Familjarët apel për personat e zhdukur në Kosovë

Përfaqësuesit e familjeve të personave të zhdukur në Kosovë prezantuan apelin para konferencës së Gjenevës për Personat e Zhdukur në Kosovë, që do të mbahet më 29 dhe 30 qershor 2017, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë konferencë e cila u mbajt në Qendrën Burimore për Persona të Zhdukur në Prishtinë përfaqësuesit e familjeve të personave të zhdukur në Kosovë, Bajram Qerkini dhe Milorad Trifunoviç lexuan apelin të cilin do ta paraqesin në Gjenevë.

Qerkini tha se me anë të këtij apeli nxisin Beogradin dhe Prishtinën si dhe komunitetin ndërkombëtar që “Të caktojnë një përfaqësues të lartë me mandat dhe autoritet të fuqishëm për t’i dhënë fund vuajtjes së familjeve që të gjinden mbetjet e të dashurve tanë dhe të na mundësojë të mbajmë zi”.

Ai tha se Prishtina, Beogradi dhe komuniteti ndërkombëtar duhet t’i përdorin informacionet të cilat ua kanë dhënë gjatë këtyre 18 viteve që të gjejnë të vërtetën rreth personave të zhdukur, numri i të cilëve është 1658.

Qerkini duke theksuar se që nga 30 shtatori i vitit 1999 e deri në vitin 2016 kanë dhënë më shumë se 30 deklarata drejt organizatave ndërkombëtare rreth zhdukjes, por sipas tij nuk kanë marrë asnjë informacion konkret rreth familjarëve të tyre.

“Ne, nënat, baballarët, bashkëshortët, vëllezërit, motrat, vajzat, djemtë dhe të gjithë anëtarët e tjerë të familjeve të personave të zhdukur të cilët janë marrë me dhunë nga viti 1998 e tutje duam të theksojmë se për ne çështja e të zhdukurve të më të dashurve tanë është ekskluzivisht çështje humanitare dhe ne nuk do të pushojmë deri sa të zbardhet edhe fati personit të fundi të zhdukur. Për 18 vite me radhë, çdo ditë është ditë agonie prej secilit prej nesh”, tha Qerkini.

Ndërsa, Milorad Trifunoviq tha se kërkojnë që aktorët kryesorë të kësaj çështjeje t’i mbajnë të informuar familjet dhe të shpërndajnë informacionet të cilat i kanë premtuar dhe “asnjëherë nuk i kanë marrë”.

Ndryshe, më 29 dhe 30 qershor do të mbahet takimi dyditor, i cili sjell së bashku anëtarët e Grupit Punues për Persona të Zhdukur (Beograd dhe Prishtinë), përfaqësues të familjeve të personave të zhdukur dhe ekspertë të çështjes duke përfshirë edhe anëtarët e Grupit Punues të Kombeve të Bashkuara për Zhdukjet me Dhune ose të Detyrueshme (UNWGEID).

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button