Maqedoni, ku mbeti Ligji i gjuhës shqipe dhe lektorët e premtuar?

Tekstet shkollore në gjuhën shqipe, si edhe mbishkrimet e ndryshme nëpër institucione e rrugë, mes tjerash, janë rezultat i mungesës së lektorëve të licencuar, shkruan Portalb.mk.

Partitë politike gjatë fushatës së tyre premtuan se do të ketë ndryshme në kushtetutë sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe dhe më pas do krijohej mundësia për formimin e një komisioni për dhënie të licencave për lektorë të gjuhës shqipe të cilat deri më tani kanë dështuar për shkak se gjuha shqipe nuk specifikohet me Kushtetutë si gjuhë zyrtare dhe nuk mbrohet me ligj. Madje nuk ka as katedër të veçantë të lekturimit në gjuhë shqipe, në kuadër të Fakulteteve Filologjike në vend.

Koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Ejup Alimi, thotë për Portalb.mk se tani qeveria pritet të formojë një Agjenci për lektorët dhe përkthyesit.

“Së shpejti Qeveria pritet të merr vendimin për formimin e Agjencisë për lektorë dhe për përkthyes dhe kjo problematikë me përkthimet të merr fund”, tha për Portalb, Ejup Alimi.

Vesel Memedi thotë për Portalb se ndryshimi i ligjit të gjuhës shqipe është marrëveshje mes shumicës parlamentare dhe nuk bëri të ditur se kur përafërsisht do të propozohet ky ndryshim ne parlament.

“Ende asgjë nuk është propozuar. Së pari duhet të sillet ligji për përdorimin e gjuhës shqipe dhe më pas të mund të impelemntohet puna e lektorëve. Kur do të realizohet kjo do të ketë njoftim për të gjithë kur të bëhen ndryshimet e ligjit të gjuhës që është marrëveshje mes shumicës parlamentare”, tha për Portalb, kryetari i RDK-së, Memedi.

Kurse nga ana tjetër Afrim Gashi nga Lëvizja Besa thotë për Portalb.mk se nga partitë në pushtet varet koha se kur do të paraqitet pakoja e ndryshimeve sa i përket gjuhës shqipe dhe lektorëve.

“Sa i përket ligjit në fjalë kjo me siguri do të jetë pako me ligjin e gjuhës shqipe. Kur do ta përcjellin në kuvend do të varet nga partitë në pushtet. Me siguri është pjesë e marrëveshjes për bashkëqeverisje. Ne si Lëvizja Besa nuk kemi një informacion të tillë”, tha për Portalb, Gashi.

Ndërkaq dy vite më parë Ministri i atëhershëm i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi, pat vizituar Institutin për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni ku u takua me drejtorin Skender Asani, ku u bisedua për kërkesën e Institutit për licencimin e lektorëve të gjuhës shqipe.

“Sot kisha kënaqësinë të vizitoj Institutin, ku bashkë me drejtorin, diskutuam për iniciativën për hartimin e një plani konkret për përdorimin e gjuhës standarde shqipe dhe mbrojtjen e saj. Ky plan përfshin disa faza, prej themelimit të një sektori të veçantë në Institut e deri te licencimi i lektorëve. U dakorduam që të formojmë një grup punues me përfaqësues të Institutit, MASH-it, Ministrisë së Kulturës dhe Sekretariatit për Implementimin e MO-së të cilët do të hartojnë një plan për implementimin e kësaj ideje”, tha ministri i atëhershëm Ademi.

Kurse tani Safet Neziri nga MASH thotë se nuk është kompetent për të biseduar për këtë çështje, duke mos sqaruar se çfarë është bë brenda dy viteve lidhur me këtë çështje.

Njohësit e çështjes thanë kohë më parë për Portalb.mk se nëse do të kishin dashur, deputetët shqiptarë të Maqedonisë kanë pasur mundësi ta rregullojnë këtë punë në Kuvend.

Gjithashtu para disa ditëve kryetarja e Komunës së Tetovës dhe nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi, tha se LSDM dhe BDI janë marrë vesh për ligjin për gjuhët, sipas të cilit, mes tjerash, në gjuhë shqipe do të mund të mbahen seancat kuvendore, ndërkaq shqipja do të mund të shfrytëzohet edhe në seancat qeveritare, njofton Portalb.mk.

Ndryshe, me Kushtetutën e Maqedonisë përcaktohet se pos gjuhës maqedonase gjuhë zyrtare është edhe gjuha që e flasin 20% e popullsisë, pa e specifikuar “Gjuhë shqipe”.

LEXO: Shqipja s’është në listën e ligjeve prioritare

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button