KULTI

Kuptimi figurativ i fjalës kult është adhurim, nderim i tepruar ndaj dikujt, të cilit i vishen veti të jashtëzakonshme.

Kështu thotë fjalori i gjuhës së sotme shqipe, i cili na e bën të mundshme njohjen më të mirë të njerëzve që nuk mund të jetojnë pa kulte, pa idolë, pa baballarë jobiologjikë dhe pa iu gjunjëzuar dikujt përulësisht.

Prej këtij sindromi tipik shqiptar më së paku kanë dobi të hymnizuarit pa fajin e tyre dhe pa ua kërkuar këtë idolatristëve, që, me amin-in tonë, hipin dhe zbresin me nalle nga plepi cilindo që ua do interesi. Fundja, a nuk është dëshmuar, sa e sa herë, se pikërisht rapsodët e elozheve që lartësojnë dikë në qiell para bebzës së painformuar, pas një kohe, bëhen të parit që ndërsejnë vreret, këlbazat, thikat… mbi perënditë që i shpallin vetë?

Pjesa dërmuese e idhujtarëve janë sihirbazë të talentuar që e ushtrojnë zejen me projekte të mirëmenduara, të prirë nga filozofia e Zhozef Fushesë së Cvajgut – atij heroit që e shkoi jetën nën hijen e kulteve, idhujve pa krena, yjeve prijës, shpinave mbrojtëse të rrnesës me sefa…
Të tjerët, ndërkaq, janë idhujtarët mendjegëzuar, të cilët as e dinë përse e adhurojnë dikë, as e kuptojnë përse e groposin totemin e deridjeshëm, kur e bëjnë këtë, një dajm për interesat e tyre, kultaxhinjtë e talentuar.

Në këtë pikë, para të hymnizuarve dhe idhujtarëve fanatikë, midja shqiptare s’duhet të pranojë ushujëzat, coftingrënësit, zhozef-fushetë…, që imponohen si inventar i përokolltë i çdo njeriu me pushtet.

Se për çfarë kolere e kam fjalën, mjafton ta kthejmë shikimin prapa për të parë imazhin e shpërdredhur të lidershipit shqiptar gjatë epokës së tranzicionit të pafund. A njihni ndonjë kapidan tonin, të cilin nuk e kemi himnizuar, nuk e kemi shpallur hero dhe nuk e kemi vënë në fron me hosanna! ngazëlluese? Po ndonjë që nuk e kemi shembur pastaj përtokë, nuk e kemi pështyrë si tradhëtar dhe nuk e kemi shfronësuar me barabba! skajshmërisht poshtërruese?

Sigurisht jo, sepse historia e prijësve tanë është historia jonë qeshite, jemi vetë ne – sovrani me tipare sizifi, që vazhdimisht shtynë kodrës engjëj dhe rrokullis teposhtëzës djajë.

Pasha Diellin!, diçka nuk është në rregull me ne, me kulturën, me takatin tonë politik. Shi për këtë: ftoj ata që e ndjejnë veten të aftë për politikbërje të garojnë në mënyrë të hapur për pushtet, kur të vijë koha e zgjedhjeve. Kjo më duket më normale se pakënaqësia e përjetshme dhe pozicionimi në stilin hem-hem, që nuk sjell asnjë dobi. Ndryshe, do të duhet të pajtohemi me përfaqësuesit që zgjedhim vetë, në mesin e të cilëve gjithsesi ka dhe do të ketë edhe idhuj pa krena, të ngjitur lart nga kultaxhinjtë dhe të dëmshëm sa s’bëhet për të ardhmen time, tënden, tonën…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button