Maqedonia vend i ndotjes dhe mbeturinave, strategji e pasuksesshme për mbrojtjen e banorëve

Një nga problemet e mëdha që është fshehur “nën qilim” vite me radhë nga struktura udhëheqëse e Maqedonisë është çështja e ndotjes enorme të ambientit, si ajo e ajrit ashtu edhe ajo e tokës. Ajri që banorët thithin ka cilësi të dyshimtë shkaku i fabrikave dhe ndotësve të tjerë ndërkaq deponitë, që janë mbi 50 në tërë territorin helmojnë tokën.
Ekspertët thonë që duhen të merren masa urgjente ndërsa edhe nga kreu i ri i Ministrisë së mjedisit nuk ka ndonjë strategji konkrete se si të luftohen këto ndotje vrastare, shkruan Portalb.mk.

Protesta e reagime, në vesh të shurdhër

Protesta për të zgjuar përgjegjësit dhe për ti vetëdijesuar ata për situatën alarmante, ishin të organizuara në shumë qytete si në Shkup, Tetovë, Manastir dhe në vende tjera mirëpo deri më tani asgjë nuk ka ndryshuar. Para disa ditëve po ashtu u organizua protestë nga qytetarët e Tetovës për largimin e deponisë së egër e cila ndodhet në hyrje të qytetit.

Arianit Xhaferi nga Eco Guerilla thotë për Portalb.mk se qeveria qendrore dhe ato lokale duhet të angazhohen në implementimin e standardeve ekologjike, sidomos për prodhuesit e mëdhenj, por edhe ata të mesëm dhe të vegjël.

“Për të ulur ndotjen e ajrit më tej qeveria qendrore dhe ato lokale duhet të angazhohen në implementimin e standardeve ekologjike, sidomos për prodhuesit e mëdhenj, por edhe ata të mesëm dhe të vegjël. Kapacitetet industriale prodhuese që lëshojnë gazra në atmosferë duhet të aplikojnë sistem filtrash me të cilën do minimizohej më tej ndotja e ajrit. Shembull klasik, Jugohromi pa filtra emeton në hapësirë 30 ton pluhur në ditë ndërkohë që Jugohromi me filtra do emetonte 800 kg pluhur në ditë në rastin më të keq të mundshëm. Tjetër kontribuues i madh i ndotjes së ajrit janë edhe amvisëritë të cilat kryesisht për ngrohje përdorin si lëndë djegëse drurin (vende vende dhe qymyrin). Duhet të punohet intensivisht dhe shpejtë që të sillet rrjeti i gazit natyror si zëvendësues i drurit dhe lëndëve tjera ndotëse. Gjatë ditëve me ndotje të lartë duhet të aplikohet regjim i veçantë i komunikacionit ku do ju ndalohej qarkullimi të gjitha automjeteve pa standarde ekologjike, por në të njëjtën kohë komunat duhet të organizojnë transport publik efikas dhe të pastër”, tha për Portalb, Xhaferi.

Të menaxhohen deponitë!

Menaxhimi me deponitë paraqet një problem serioz i cili ka nevojë për zgjidhje strategjike, vlerëson drejtoresha e “Eko Svest”, Ana Çoloviq Leshoska.

Leshoska për Portalb.mk theson se ajo që duhet të bëhet se pari është vendosja e qendrave recikluese që në mënyrë të duhur të mblidhet dhe të riciklohen mbeturinat.

“Menaxhimi me mbeturinat paraqet problem serioz të sistemit i cili ka nevojë për zgjidhje strategjike me mjete financiare të nevojshme. Mbështetja nga BE vjen mu në pjesët e qendrave rajonale për menaxhimin me mbeturinat. Ajo që duhet të bëhet në mënyrë urgjente është vendosja e qendrave recikluese me qëllim që në formë të duhur të mblidhen dhe të riciklohen mbeturinat”, tha për Portalb, Leshoska.

Ajo gjithashtu tha se për eliminimin e djegies ilegale të deponive na duhet inspektim më i fortë, i cili do të zbatonte urdhrat ligjore që rregullojnë këtë problem.

Gjithashtu, Xhaferi thekson se ato egra duhet të mbyllen njëherë e përgjithmonë sepse në shumicën e tyre nuk ka fare kontroll shteti por as opinioni publik dhe nuk dihet çfarë mbetjesh deponohen.

“Nga ana tjetër, deponitë rajonale legale (por pa standarde) duhet të vendosen në një sistem funksional të menaxhimit dhe kontrollit të rreptë edhe nga shteti por edhe nga trupa të pavarur. Deponitë e egra duhet të mbyllen njëherë e përgjithmonë sepse në shumicën e tyre nuk ka fare kontroll shteti por as opinioni publik dhe nuk dihet çfarë mbetjesh deponohen. Qeveria e re duhet t’i kushtojë vëmendje më të veçantë mjedisit që Maqedonia të hiqet nga lista e turpit të vendeve më të ndotura në Botë por dhe që qytetarët e Maqedonisë të jetojnë në një mjedis të shëndoshë”, shtoi Xhaferi.

Ministria e Mjedisit mbetet e hutuar

Nga Ministria e Mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor nuk sqarojnë se çfarë masash do të merren për mbrojtjen e ajrit dhe ambientit jetësor, ndërkaq nga partia nga e cila vjen ministri Sadulla Duraku, në fushatën parazgjedhore paraqiti pika në bazë të të cilave u premtua se do të ruhet ambienti dhe do të ulet ndotja e ajrit.

“Përforcimi i kapaciteteve administrative në nivel shtetëror dhe lokal. Rruajtja e cilësisë së ajrit nga ndotësit industrial. Në bazë të ligjit për mjedisin jetësor çdo instilacion duhet të plotësojë standardet ekologjike, edhe atë duke i implementuar parimin e arritjes së teknikës më të mirë qasës, harmonizim me implementimin e planeve operative dhe pajisjen me leje A ose B të integruar. Bashkimi Demokratik për Integrim do të insistojë në implementim të plotë të këtyre standardeve dhe obligimeve ligjore. Në bashkëpunim me njësitë e vetëqeverisjes lokale do të përpilojmë plane konkrete për zonat e gjelbra ne komunat urbane”, u tha në platformën e BDI-së, gjatë zgjedhjeve të fundit në Maqedoni.

Kurse sa i përket programeve të partive më të mëdha politike që kishin gjatë fushatës parazgjedhore, mund të arrijmë në konkluzion se një pjesë e madhe e projekteve janë kopjuar nga njëri tjetri. E përbashkët është ajo që për të ulur ndotjen do të arrijnë me ndarjen e subvencioneve, kredive dhe fondeve, takimeve me qytetarët si dhe edukimin e tyre.

Një pjesë e madhe e projekteve që ishin parashikuar në programe vetëm zvarriten dhe premtohen në secilën periudhë parazgjedhore.

Ligji nuk zbatohet

Në vend ka 54 deponi, të cilat i ndotin ujërat nëntokësor, tokën dhe ajrin. Nga ata, sipas vlerësimeve të ekspertëve, 16 janë me rrezik të lartë, 16 me të mesëm, ndërsa 19 me rrezik të ulët të mjedisit jetësor. Ka edhe me dhjetëra lokalitete industriale të ndotura që paraqesin rrezik serioz për njerëzit që jetojnë në afërsi të tyre. Ndërsa afër tyre ka edhe rreth 1.000 deponi të egra, edhe pse as “zyrtarët” nuk i plotësojnë kushtet teknike minimale që të aplikojnë për marrjen e lejes, me të cilat ata praktikisht veprojnë si jo-standarde ose të egra.

E vetmja është deponia “Drislla” e cila posedon leje të integruar për menaxhimin e deponisë. Duke i pasur parasysh këto të dhëna, mund të thuhet se Maqedonia është e varrosur në lym. Deri tani ekspertët shumë herë kanë treguar se “vendi i cili pretendon të bëhet anëtare e BE-së, nuk mund të lejojë të mos ketë sistem për menaxhimin e deponisë”.

Maqedonia ka regullativë ligjore për këtë sferë, por nuk realizohet. Ligji për menaxhimin e deponisë është miratuar në vitin 2004, ndërsa është ndryshuar dhe plotësuar në vitin 2012.

Ndryshimet themelore të ligjit kanë të bëjnë me vendosjen e menaxhimit rajonal të mbeturinave, ose detyrim të Komunave për të krijuar një qendër rajonale për menaxhimin e mbeturinave. Komunat e tetë rajoneve ishin të detyruar që mes veti të merren vesh për ndërtimin e deponive rajonale, por nuk patën sukses.

Gjendja në teren mbetet e njëjtë, ndërsa nuk ekzistojnë dispozita ndëshkuese nëse kryetarët e Komunave dhe këshilltarët nuk e zbatojnë ligjin. Në rast të tillë, ligji parasheh që qeveria t’i ndërmarrë letra kredenciale dhe ta organizojë punën e deponive rajonale. Por edhe kjo nuk është realizuar.

Përpos 50 deponive të egra, ku mblidhet bërlloku i komunave, në Maqedoni janë aktive mbi 2 mijë lokacione ku mund të gjesh me tone mbeturina, të cilat hidhen pa asnjë standard dhe askush nuk di të thotë përmbajtjen e atyre mbeturinave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button