Maqedonia shteti i vetëm në Ballkan dhe Evropë ku paguhet për informata me karakter publik

Maqedonia është ndër shtetet e pakta në Ballkan por edhe në Evropë në të cilën gazetarët paguajnë gjatë procedurës së marrjes së informatave me karakter publik, deri sa në Bosnjë e Hercegovinë, Serbi, Shqipëri, Mal të Zi dhe në vendet tjera të Evropës, të njëjtat informata mund të merren pa ndonjë kërkesë të veçantë procedurale dhe pa asnjë kompensim material, me kërkim në webfaqet e institucioneve të caktuara, shkruan Portalb.mk.

LEXO: Hulumtim: Institucionet ua lidhin duart gazetarëve kur informojnë për paraburgimin

Ky është njëri nga vlerësimet që u bë sot në debatin që u zhvillua në ngjarjen ku “Fondacioni Metamorfozis” prezantoi tre video storjet hulumtuese për masën e paraburgimit dhe për problemet me të cilat përballen gazetarët gjatë të kërkuarit të informatave zyrtare nga institucionet shtetërore.

Violeta GligorovskaKoordinatorja e kësaj ngjarjeje dhe tre video storjeve hulumtuese, Violeta Gligoroska u shpreh se gjatë punës së saj në këtë projekt ka pasur shumë vështirësi të cilat kryesisht ndërlidhen me mbylljen e institucioneve shtetërore.

Ajo tregoi se për të marrë të dhëna për masën e paraburgimit të kërkuar dhe miratuar gjatë vitit 2016 nga Prokuroria Themelore Publike(PTHP), nga po i njëjti institucion përgjigje kanë marrë pas 10 javëve.

“Gjatë realizimit të këtij projekti kemi hasur në shumë vështirësi të cilat kryesisht ndërlidhen me mbylljen e institucioneve. Duke dashur të kuptojmë se sa masa të paraburgimit janë kërkuar në Gjykatën Themelore Shkup 1, nga Prokuroria Speciale Publike, Prokuroria për Ndjekjen e Korrupsionit dhe nga Prokuroria Themelore Publike dhe sa prej tyre janë miratuar kundrejt institucionet që e ka parashtruar kërkesën, ne nuk arritëm të sigurojmë këto informata, dhe për këtë arsye vendosëm të veprojmë në kuadër të ligjit për qasje deri te informata me karakter publik, me anë të së cilit ne dërguam pyetje deri te Gjykata Themelore Shkupi 1 për këto çështje. Përgjigje morëm pas 10 javëve”, u shpreh Gligoroska.

Sipas Gligoroskës, këto vështirësi kanë bërë që edhe ky projekt të mos e ketë rezultatin e pritur.

Ajo gjithashtu kërkoi që nga institucionet të ketë brifingje sa më shpesh dhe për çdo ngjarje.

Ndërsa, në ngjarje e pranishme ishte edhe gazetarja hulumtuese e Nova TV-së, Sashka Cvetkovska e cila vlerësoi se mbyllja e institucioneve edhe për informatat më të thjeshta, i kushton shumë gjepit të gazetarëve dhe qytetarëve.

“Nëse flas nga përvoja ime e deritashme, them se gazetarëve hulumtues në Maqedoni mbyllja e institucioneve është duke iu kushtuar shumë. Në Maqedoni paguhet edhe për informacionin më të thjeshtë në vlerë deri në 200 euro, ndërsa në vendet me zhvillim më të lartë ekonomik, ku standardi është më i lartë, ata nuk paguhen fare dhe mund të gjenden shumë lehtë”, tha Cvetkovska.

Por në të njëjtën vijë të mendimin është edhe gazetarja hulumtuese e SCOOP, Zhaklina Zafirova e cila vlerësoi se edhe pse paguhet për këto informata, sërish nuk janë të dëshiruarat dhe nuk u kryejnë punë ngaqë nuk janë të përditësuara.

Se pse ndodh që të kemi në Maqedoni institucione të mbyllura dhe të paguhet për informata me karakter publik, gazetari i fondacionit “Metamorfozis”, Teofil Bllazhevski vlerësoi se kjo ndodh si rezultat i mungesës së vullnetit politik i cili duhet të ndryshojë edhe strukturën e funksionimit institucional.

Kurse për tu kuptuar kjo më qartë, gazetari Lubomir Cvetkovski tregoi shembullin se si për të njëjtin pronar të një ndërmarrjeje publike, në një shtet ka informacione deri më të thjeshtat, kurse në shtetin tjetër mungojnë edhe më elementaret.

“Në Çeki dhe Mal të Zi për pronarin e një ndërmarrjeje mund të gjesh informata me vetëm një “search”(kërko) në webfaqe, kurse për të njëjtin nëse kërkon në institucionet e Turqisë (ngaqë edhe atje ka ndërmarrje) nuk ka informata. Kjo tregon shumë se politika e një shteti përcakton edhe qasjen deri tek informatat me karakter publik”, tha Cvetkovski.

Ndryshe, në këtë ngjarje u prezantuan edhe tre video storjet hulumtuese të cilat u realizuan në kuadër të projektit “Gazetari hulumtuese, roje e demokracisë dhe të drejtave të njeriut” nën përkrahje financiare nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Shkup e realizuar nga Qendra për Menaxhim me Ndryshime dhe Instituti për të Drejtat e Njeriut. Përmbajtja e storjes hulumtuese nuk shpreh edhe pikëpamjet dhe qëndrimet e organizatave të cilat e realizuan projektin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button