Takimi Osmani – Romeo: koha e humbur duhet të kompensohet

 

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani sot realizoi takim me ambasadorin e Republikës së Italisë, Karlo Romeo.

Në aspekt të aspiratave të Maqedonisë për anëtarësim në BE, zëvendëskryeministri Osmani theksoi se fokusi mbetet në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga Reformat Urgjente Prioritare dhe Marrëveshja e Przhinos dhe pret që të arrihen rezultate, në mënyrë që të hiqet kushtëzimi i rekomandimit për anëtarësim. Ai shprehu shpresë se kjo energji pozitive që tani mbizotëron do të jetë e qëndrueshme dhe me efikasitet do të përqendrohet në zbatimin e asaj që kemi përcaktuar si qëllim – anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Osmani theksoi se është koha për të mbyllur çështjet ndëretnike si dhe të gjitha çështjet tjera të hapura që janë element kyç për arritjen e aspiratave tona  euroatlantike.

“Ne kemi një sfidë të madhe para nesh për të kompensuar për kohën e humbur dhe unë shpresoj se do ta bëjmë këtë në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha palët e interesuara në vend si dhe me partnerët ndërkombëtarë” – tha Osmani. Ai theksoi procesin e Berlinit si një mekanizëm i mirë për përforcim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit rajonal dhe ekonomive të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Osmani theksoi se presim rezultate konkrete nga samiti i ardhshëm në Trieste, i cili mbahet në kuadër të procesit të Berlinit, dhe është njëkohësisht edhe një konfirmim se mbështetja e Italisë për zgjerimin e BE-së drejt Ballkani Perëndimor mbetet.

Zëvendëskryeministri Osmani dhe ambasadori Romeo shprehën kënaqësi nga bashkëpunimi bilateral mes dy vendeve si dhe nga marrëdhëniet e ndërsjella miqësore, edhe pse theksuan se ka hapësirë për përmirësim me projekte të reja konkrete. Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan se optimizmi aktual dhe gatishmëria e shprehur qartë duhet të shfrytëzohet për të përshpejtuar ritmin e reformave dhe zhbllokimin e proceseve euroatlantike në Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button