Pushtim i hidhur për studentët – në vend në plazh, prapa banakut në Greqi

Autorë: Evgenija Janakieska dhe Nikolla Rasho Radullov

Pas përfundimit të sesionit të qershorit të provimeve, studentja Bojana S. nga Shkupi do të shkojë jashtë vendit për punë sezonale. Ajo e ka kaluar verën e kaluar duke punuar në Gjermani, por thotë se nuk ka qenë ashtu siç ka pritur. Për shkak të mallit të saj për vendlindjen, Bojana nuk ka mundur të qëndrojë më shumë se 3 muaj, por paratë e fituara megjithatë kanë qenë një ndihmë të madhe për të mbuluar harxhimet për një vit.

Ajo thotë se do të ishte e lumtur që gjatë pushimeve të verës të gjente një punë në Maqedoni.

Po të kishim pasur mundësi në Maqedoni, si studentë të punojmë gjatë pushimeve të verës dhe të fitojmë pak para, gjithsesi se nuk do të kishim shkuar jashtë vendit. Por, kështu funksionon sistemi ynë dhe mendoj se do të duhet të kalojë një periudhë më të gjatë kohore për t’u rregulluar gjërat“, thotë Bojana.

Deri atëherë, ajo nuk ka ndërmend të presë. Është e vetëdijshme se në vendet e tjera kërkohet shumë punë, por, për dallim nga këtu, fitohen para për çdo orë të punuar jashtë orarit të punës.

Nëse mbetem këtu do të jem e padobishme. Këtë verë përsëri do ta kaloj jashtë Maqedonisë duke punuar si student, sepse këtu nuk shoh mundësi për punë dhe përfitim parash“, është e vendosur Bojana.

Ajo është një nga qindra studentët e rregullt të fakulteteve të Maqedonisë të cilët shkojnë çdo verë për “kurbet” në plazhet në Greqi, Bullgari, Kroaci, Mal të Zi, por edhe në disa vende të Evropës, si dhe në kontinentin amerikan. Pushimet e verës dhe plazhet nuk janë sfida e tyre. Motivi i studentëve është fitimi i parave, me të cilin ata planifikojnë ta përballojnë vitin e tyre të ardhshëm akademik.

Hulumtimi i SCOOP-it ka treguar se Maqedonia dhe institucionet e saja nuk kanë kurrfarë programesh, e as kurrfarë planesh për një qasje të organizuar drejt zgjidhjes së nevojave të studentëve gjatë pushimeve të tyre tremujore të verës. Çdo vit në këtë periudhë studentët tanë “lëshojnë” vendin në mënyrë masive. Ata mund t’i gjeni prapa banakëve, ose si kamerierë, ndihmës-kuzhinierë, furnizues, si japin çadra dielli ose shezllona dhe me detyra të ngjashme pune në kafenetë, restorantet, plazhet dhe hotelet e shumta në bregdetet e vendete fqinje Greqi, Mal të Zi dhe Bullgari. Në shërbim të turistëve, por për të fituar para. Më së shpeshti punojnë edhe mbi 12, 14 dhe më shumë orë. Për ta, pushimet verore janë një punë e lodhshme.

Marija R. nga Fakulteti i Mjekësisë thotë se puna është e vështirë, por nuk kanë zgjedhje.

“Unë kam përvojë nga Greqia. Puna si punë është e vështirë nga disa aspekte. Para të gjithash, për shkak se punohet në periudhën më të nxehtë, në vende ku temperatura arrin deri në 40 Gradë Celsius. Njëkohësisht, sjellja e pronarëve në përgjithësi është e rreptë. Rreziku për të punuar pa pasaportë evropiane është shumë i madh. Ekziston edhe mundësia e dëbimit, madje edhe mundësia e procedurës gjyqësore nga e cila rezultati përfundimtar është gjoba me burg”.

Disa nga studentët, megjithatë, shkojnë edhe më larg – në Gjermani, Angli, vendet skandinave, madje edhe në Amerikë. Vendet e punës dhe angazhimet janë të ngjashme: kamerierë, banakierë, furnizues, gatues të ushqimit të shpejtë, kujdestare.

Studentët thonë se jashtë shtetit fitohen më shumë para, por puna është shumë më e vështirë, por edhe kostoja e jetesës atje është më e lartë. Gjatë verës ata do të punonin edhe në vendin tonë, në qytetin e tyre, në Maqedoni, por fitimi për ta është shumë i ulët dhe ofendues.

Cilat janë dhe nëse fare ka kushte të punojnë, të jenë të dobishëm dhe të fitojnë për standardin e tyre studentor? Çfarë në fakt bën vendi ynë në këtë temë, për nevojat e studentëve të tij dhe për angazhimin e tyre me punë gjatë pushimeve verore të studentëve?

SHTETI NUK KA AS PLAN, AS EVIDENCË

Plane strategjike për angazhime të mundshme për studentët gjatë verës nuk ka, kurse institucionet kompetente ia hedhin topin njëri-tjetrit. Këtë konstatim ka dalë nga gjetjet, anketat, intervistat, deklaratat të cilat i ka siguruar ekipi i gazetarëve hulumtues të SCOOP-it duke punuar në kërkim të përgjigjeve për atë se ku dhe çfarë bën rinia studentore e Maqedonisë gjatë pushimeve të tyre verore?

Sipas Ligjit për qasje të lirë deri te informacionet me karakter publik, kemi kërkuar përgjigje për pyetjet se nëse Ministria e Punëve të Brendshme mban evidencë se sa studentë apo njerëz të rinj në moshë prej 18 deri në 26 vjet, e lëshojnë vendin në qershor dhe kthehen në shtator.

Dejana Nedeljkoviq, përgjegjëse për marrëdhënie me publikun në MPB-në, na është përgjigjur se nuk kanë një evidencë të tillë.

“Ministria nuk mban evidencë për studentët dhe nuk mban evidencë sipas strukturës së moshës së qytetarëve, të cilët e kanë lëshuar vendin kështu që nuk mund të japim përgjigje për pyetjen e parashtruar”.

Të gjitha institucionet ku jemi drejtuar i kanë caktuar fakultetet si përgjegjëse për organizimin e praktikës së studentëve. Çdo fakultet ka Statutin e tij me të cilin rregullohet praktika, ndërsa në pjesën më të madhe të fakulteteve praktika njëmujore është e detyrueshme për verifikimin e semestrit veror, përkatësisht për regjistrimin e semestrit dimëror. Por, fakultetet nuk kanë kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar praktikën as për një të tretën e studentëve të tyre, kurse studentët më së shpeshti marrin vetëm vulë për punën e realizuar praktike, edhe pse kjo gjë në fakt nuk ka ndodhur.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës gjithashtu nuk ka kurrfarë platforme, e as kurrfarë programi për organizimin e praktikës së studentëve apo për punë gjatë pushimeve të verës. Arsyetimi është se ajo gjë është e rregulluar në arsimin e lartë dhe se MASH-i nuk guxon të ndërhyjë në autonominë e fakulteteve.

Sipas Agim Rushitit, udhëheqës i sektorit të arsimit të lartë, “institucionet e arsimit të lartë në kuadër të kompetencave të tyre dhe në bazë të natyrës së veprimtarisë së arsimit të lartë, miratojnë rregullore të brendshme për mënyrën dhe kushtet e organizimit të mësimit praktik të studentëve”.

Biljana Zhivkovska, udhëheqëse e departamentit të marrëdhënieve me publikun, komunikimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në Agjencinë e Punësimit të RM-së na është përgjigjur me një njoftim: “Duke pasur parasysh se pyetjet tuaja kanë të bëjnë me studentët e rregullt (të cilët nuk mund të jenë përdorues të shërbimeve të Agjencisë së Punësimit ) Ju njoftojmë se Agjencia nuk ka kompetenca në fushëveprimin tuaj të interesit“.

Aneta Trajkovska nga Oda Ekonomike e Maqedonisë ka shpjeguar se ata i lidhin studentët me ato kompani të cilat kanë nevojë për fuqinë e punës të studentëve. Ajo thotë se çdo fakultet e trajton këtë çështje në mënyrë të vet.

 

Studentët e realizojnë praktikën e tyre në bazë të kontratave të nënshkruara që i kanë fakultetet me kompanitë dhe në bazë të bashkëpunimit të tyre të drejtpërdrejtë dhe me këtë Oda Ekonomike në zbatimin e mësimit praktik nuk ka asnjë lidhshmëri të drejtpërdrejtë dhe programe të përcaktuara për zbatimin e mësimit praktik në arsimin e lartë”, thotë ajo.

Studentët, megjithatë, tregojnë se nuk marrin asnjë kompensim për angazhimin e tyre në kompanitë e Maqedonisë, por se u japin certifikata në mënyrë fiktive për angazhimin e tyre të punës.

NËPËRMJET STUDENTËVE PËRFITOJNË AGJENCITË E NDËRMJETËSIMIT

Përderisa institucionet nuk kanë plane për këtë nevojë të studentëve dhe përgjegjësia ia bartin njëri-tjetrit, të rinjtë nxjerrin pasaporta për të shkuar jashtë vendit. Ndër “angazhimet” më të dëshiruara janë ato nëpërmjet agjencive turistike, por edhe nëpërmjet të ashtuquajturve ndërmjetësues. Nëpërmjet agjencive turistike angazhimet e punës konsiderohen si legale (të ligjshme), ndërsa nëpërmjet ndërmjetësuesve – të paligjshme, në të zezë. Në rastin e dytë, rreziqet janë punë pa sigurim, rreziku nga dëbimi, ndalesa për të hyrë. Por, edhe në të dyja rastet ndërmjetësimi kushton para. Për destinacionet më të largëta, siç janë SHBA-të, ndërmjetësimi kushton edhe deri në 2.500 euro, ndërsa shumën e konsiderueshme të atyre parave e merr agjencia – ndërmjetësues.

Jakob Qiprovski nga Fakulteti i Pylltarisë në Shkup thotë: “Në situatën time konkrete dhe në profesionin tim nuk jam në dijeni për një opsion të tillë të vullnetarizmit ose punës dhe praktikës me pagesë. Përkundrazi, kam pyetur edhe një pjesë të profesorëve, por ata nuk ishin në mundësi të më ndihmojnë që t’i drejtohemi ndonjë organizate joqeveritare nëse do të na pranojnë dhe kaq”.

 

 

Një përvojë të ngjashme ka edhe Bisera Vllahova nga Fakulteti i Matematikës dhe Shkencave Natyrore në Shkup.

Nuk jam në dijeni për mundësitë e praktikës me pagesë gjatë verës, për shkak se studentët e ekologjisë eksplorojnë gjatë verës florën dhe faunën në Maqedoni. Mendoj se duhet të ketë mundësi për një praktikë me pagesë në çdo fakultet, e cila jo vetëm që do t’ua lehtësojë financiarisht jetën studentëve, por edhe do t’i mësojë ata që të kenë përgjegjësi dhe do t’i mësojë që të jenë më të mirë në profesionin e tyre të ardhshëm”.

Georgina Jedikovska nga Fakulteti i Bujqësisë thotë se praktikën e vetme që e ofron fakulteti në këtë moment është praktika njëmujore pa pagesë në ndonjë prej kompanive me të cilat i njëjti ka lidhur kontratë.

“Duke u nisur nga ky fakt, ndoshta është e logjikshme që secili student t’i orientohet opsionit i cili do t’i sigurojë atij një përfitim të mirë të parave dhe një plotësim të ditëve të lira verore, si  dhe një mundësi të mirë për udhëtim”, thotë ajo.

Megjithatë, shton Jedikovska, “mbetet pyetja se në qoftë se studentëve u mundësohej një shans për një trajnim të mirë profesional dhe për një fitim të mirë këtu, nuk do të ulej numri i atyre që vendosin të shkojnë jashtë vendit”.     

 KA EDHE PËRVOJA POZITIVE

Megjithatë ka studentë të cilët thonë se kanë pasur edhe përvoja të tjera, pozitive. Aneta Misheva, student i Fakultetit Filologjik ka qenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet programit “Work and Travel” dhe ka përvoja pozitive. “Shkurtimisht, bëhet fjalë për një organizatë të shkëlqyeshme, ku kisha një bashkëpunim me njerëz të cilët ishin tërësisht të përkushtuar për profesionin e tyre dhe të cilët ishin korrektë nga fillimi deri në fund të programit. Ndihesha e sigurt në çdo sekondë të kaluar gjatë qëndrimit tim katër-mujor në ishullin Block Island. Derisa zgjaste programi i punës, sponsori i cili ishte përgjegjës për mua, kolegët e mi dhe shefat, ishte në dispozicion për çfarëdo problemesh apo paqartësish që paraqiteshin. Përfitimet e këtij programi janë të mëdha, sepse përvojat të cilat i fiton, karakteret, kulturat dhe ngjarjet e ndryshme që bëhen pjesë e përditshmërisë sate, janë në fakt pjesa më e mirë e tërë programit“.

Por, nëse dikush është kompetent për çështjet dhe problemet e studentëve, gjithsesi ajo është organizata e studentëve. Por, assesi të marrim pikërisht prej atje një përgjigje të pyetjes: “A ka çfarëdo iniciative, programi, realizimi të një angazhimi të studentëve për punë gjatë periudhës së verës në vend apo jashtë vendit?”.

Davor Popovski, kryetar i Parlamentit Studentor të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodiu”, mendon se institucionet e shtetit duhet të merren më seriozisht me këtë çështje. Ai shton se duhet të bëhen ndryshime në Ligjin e vullnetarizmit dhe praktikës me atë që do t’i obligojnë të gjitha kompanitë në Maqedoni për t’u siguruar studentëve të fushave përkatëse një praktikë 1 deri 3 mujore me pagesë me një kompensim minimal mujor prej 5.000.оо denarësh.

Në përgjithësi, thonë bashkëbiseduesit tanë studentë, nevojitet një përkujdesje shtetërore për studentët dhe standardin e studentëve. Tani ata janë lënë që vetë të kujdesen për vetveten dhe të bredhin duke kërkuar punë nëpër plazhet, restorantet, baret në vendet fqinje, por edhe në ato përtej oqeanit.

MAQEDONIA MUNDET, POR NUK PËRDOR PËRVOJAT E VENDEVE TË TJERA 

Nga Republika e Sllovenisë për shembull:https://www.studentski-servis.com/studenti

Kjo vërtetohet edhe me hulumtimin e bërë nga Instituti i Politikës Evropiane ku në bazë të përgjigjeve të marra nga fakultetet, studentët dhe kompanitë, jepet një vërejtje se fakultetet nuk janë të përkushtuara tërësisht për zbatimin e duhur të dispozitave të Rregullores së punës së Ministrisë së Arsimit.

Fakultete duhet të bëjnë më shumë përpjekje në ndërtimin e sistemeve të sofistikuara për evidentimin dhe identifikimin e studentëve të cilët kanë kryer praktikën dhe definohen në mënyrë precize kriteret minimale, sipas të cilave një institucion vlerësohet si adekuat për kryerjen e punës praktike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button