Shoqata për kulturë “Tradita” e organizoi edicion IV të Manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

Shoqata për kulturë “Tradita”, më 10 qershor 2017, në Tetovë e organizoi edicionin IV me radhë të Manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”. Përmes organizimit të këtij manifestimi kulturor-shkencor, Shoqata “Tradita”, e shënoi 139 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si dhe e përkujtoi veprimtarinë e rilindësve, të patriotëve të vërtetë dhe të intelektualëve të mirëfilltë, që e zgjuan kombin, të punojë për të ardhmen e tij, ta shkruaj gjuhën shqipe, të hapë shkolla dhe të bëhet gati për ta realizuar ëndrrën shekullore të popullit shqiptar.

Edicionin e IV të Manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon” e shpalli të hapur kryetari i Shoqatës për kulturë “Tradita”, Selam Sulejmani, i cili para pjesëmarrësve theksoi se organizimi i këtij manifestimi për katër vjet me radhë e dëshmon qëllimin për të cilin edhe u themelua shoqata, në vitin 2012, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shtetit Shqiptar.

“Manifestimi kulturor “Lidhja na bashkon”, është  ngjarja kryesore që ne e organizojmë në çdo 10 qershor, na bashkon të gjithëve për ta shënuar përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila e dha kushtrimin për bashkimin e shqiptarëve rreth idesë së kombit dhe konsolidimin e Shqipërisë. Përmes këtij manifestimi kulturor e kujtojmë sot edhe veprimtarinë e rilindësve tanë, të patriotëve të vërtetë dhe intelektualëve të mirëfilltë, që e zgjuan kombin, të punojë për të ardhmen e tij, ta shkruaj gjuhën shqipe, të hapë shkolla dhe të bëhet gati për ta realizuar ëndrrën shekullore, për Shqipërinë e lirë. Të tillë ishin rilindësit tanë, dhe për këto personalitete emblematike, shkrimtari ynë Ismail Kadare ka theksuar se: “Ata ishin njerëz të mëdhenj dhe kishin gjoks të gjerë për të luftuar njëkohësisht në shumë fronte. Ekipi i tyre ishte i fortë dhe i pajisur me gjithçka, me pushkë e me penë, me poema e gramatika, me fjalorë, rapsodi popullore dhe harta politike. Sami dhe Abdyl Frashëri, De Rada, Vaso Pasha e Vretoja, Mitkoja e Kristoforidhi, Çajupi e Asdreni, e shumë e shumë  të tjerë, me Naimin në krye, nuk zmbrapseshin përpara asgjëje kur ishte fjala për interesat e Atdheut”. Pas Lidhjes së Prizrenit dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, historia e shqiptare hyri në një fazë të re. Sigurisht, për këto dhe zhvillimet e mëvonshme historike e kanë thënë fjalën e tyre studiuesit e historiografisë sonë kombëtare”, tha Selam Sulejmani.

Edicionin IV të këtij manifestimi e përshëndeti edhe Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës të RM-së, Behixhudin Shehabi

Në shënimin e 139 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, në Tetovë, mori pjesë edhe Kryetari i Shoqatës së të burgosurve dhe të dëmtuarave politikë shqiptarë në Maqedoni, Shpëtim Pollozhani, si dhe veprimtarë të  njohur çështjes kombëtare nga Republika e Kosovës, ne mesin e tyre Avni Dehari dhe Hydajet Hyseini. Ata e vlerësuan lartë shënimin e kësaj ngjarje historike që përbën kthesën vendimtare të vetëdijes dhe të lëvizjes kombëtare shqiptare.

Prof. Dr. Nebi Dervishi, në referatin tematik para pjesëmarrësve foli për rëndësinë e Lidhjes së Prizrenit.

Në programin e edicionit IV të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”, Shoqata për kulturë “Tradita” për herë të tretë e ndau Çmimin kombëtar “Ali Vishko”.Vendimin për laureatin e këtij viti e bëri publik kryetari i shoqatës Selam Sulejmani, i cili duke iu referuar Statutit të Shoqatës për kulturë “Tradita”, tha se ky çmim u ndahet personaliteteve shqiptare nga vendi dhe rajoni në çdo përvjetor të Lidhjes së Prizrenit

Shoqata për kulturë “Tradita”, organizoi edhe Konferencën shkencore, me temë: “Të persekutuarit dhe të burgosurit politikë shqiptarë në Republikën e Maqedonisë”.

Në këtë konferencë morën pjesë mbi 20 punonjës shkencorë, njohës të mirëfilltë të proceseve shoqërore që janë zhvilluar në vendin tonë, të cilët me autoritetin dhe integritetin e tyre intelektual ju qasën gjithë problematikës që trajtoi konferenca e sotme shkencore.

Konferenca shkencore i trajtoi këto ngjarje: Proceset politike ndaj atdhetarëve shqiptarë në Maqedoni në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore deri në ditët tona; Ngritjen e Flamurit kombëtar në Tetovë, në vitin 1968; Demonstratat në Kosovë në vitin 1981 dhe reflektimin e tyre në trojet shqiptare në Maqedoni; Dhunën e pushtetit ndaj shqiptarëve në Maqedoni gjatë periudhës së pluralizmit; Represionin e pushtetit me rastin e themelimit të Universitetit të Tetovës, në vitin 1994 dhe 1995; Qëndrimin e shtetit shqiptar lidhur me politikën represive të pushtetit ndaj shqiptarëve në Maqedoni dhe Qëndrimin e faktorit ndërkombëtar ndaj dhunës së ushtruar ndaj shqiptarëve në Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button