Putin: Lufta SHBA-Rusi, holokaust bërthamor. Nuk mbijeton askush

Një luftë mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë do të çonte në një holokaust bërthamor, nga i cili askush nuk do të mbijetonte.

Janë këto fjalët e presidentit rus Vladimir Putin, në intervistën e tij të gjatë për regjisorin Oliver Stone, pjesëza të së cilës janë publikuar në mediat e huaja, njofton Top Channel.

Stone e pyet Putin nëse Shtetet e Bashkuara do të ishin dominante në një konflikt të tillë. “Nuk besoj se ndonjë nga ne do t’i mbijetonte një konflikti të tillë”, thotë Putin.

Kur Stone e pyet kreun e Kremlinit nëse ka shpresë për një ndryshim në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës, ai përgjigjet: “Gjithmonë ka shpresë. Derisa të jenë gati të na çojnë në varreza dhe të na varrosin”.

Udhëheqësi rus ka thënë gjithashtu se vendet që i bashkohen NATO-s bëhen në mënyrë të pashmangshme “vasalë” të Amerikanëve.

“Kur një vend bëhet anëtar i NATO-s e ka shumë të vështirë t’u rezistojë presioneve të SHBA. Dhe krejt papritur çdo armatim mund të vendoset në territorin e këtij vendi. Për shembull një sistem anti-raketë, baza të reja ushtarake dhe, nëse duhet, sisteme të reja sulmuese”, ka thënë Putin.

Presidenti ka nënvizuar se veprimet e Rusisë janë një përgjigje ndaj atyre që ajo i sheh si kërcënime, që vijnë nga NATO dhe që po përhapen drejt kufijve të saj.

“Na duhet t’i drejtojmë sistemet tona drejt objektivave që përbëjnë kërcënim për ne. Situata sa vjen e bëhet më e tensionuar”, ka thënë Putin.

Stone e pyet gjithashtu se sa të besueshme janë informacionet që tregojnë se ai u ka mbijetuar të paktën 5 atentateve.

Putin refuzon të japë një përgjigje direkte, por shprehet: “Unë bëj detyrën time, agjentët e sigurisë bëjnë të tyren dhe po e bëjnë me sukses”.

Duke shprehur besimin tek agjentët, ai ka cituar edhe një fjalë të urtë ruse: “Ata që janë të destinuar të varen nuk kanë shanse të mbyten”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button