Takimi Lika dhe Reka: Qeveria e re e përkushtuar për avancim të Marrëveshjes së Ohrit

Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe sistemin politik, Hazbi Lika, sot në takimin e tij të parë zyrtar me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në vend, Fatos Reka ka shprehur se kabibeti i ri qeveritar është i gatshëm për avancim emergjent të Marrëveshjes së Ohrit, njofton Portalb.mk.

“Implementimi dhe avancimi i Marrëveshjes së Ohrit janë thelbësore për progresin gjithëpërfshirës të shtetit tonë. Kabineti i ri qeveritar është tejet bashkëpunues dhe i gatshëm për avancim emergjent të këtij dokumenti, faktor i rëndësishëm i cili na jep më shumë kompetenca dhe përgjegjësi për të vazhduar në këtë proces dhe në realizimin e qëllimit për anëtarësim në strukturat euro-atlantike”, ka potencuar Lika.

Ambasadori Reka theksoi se implementimi i menjëhershëm i Marrëveshjes së Ohrit është i detyrueshëm për të hapur rrugët drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.

“Të dy shtetet, Republika e Maqedonisë dhe ajo e Shqipërisë janë aspirante për BE. Nëpërmjet Procesit të Berlinit, i cili shërben si një paradhomë për përgatitje për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ne mund të shndërohemi në anëtare të denja”, ka thënë Reka.

Bashkëbiseduesit konstatuan se marrëdhëniet mes dy vendeve, Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë janë të mira dhe se ky bashkëpunim, siç thuhet, do të vazhdojë edhe në të ardhmen me realizimin e projekteve të përbashkëta në sfera të ndryshme, duke u bazuar në sferën e tregtisë, atë ekonomike dhe lidhjes infrastrukturore të cilat janë bazë për rritje të standardeve të jetesës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button