Ndërroi jetë një e burgosur në Idrizovë

Një grua 46 vjeçare, dje ka ndërruar jetë në departamentin e grave në burgun “Idrizovë”, mëson “Fokus” nga burimet e burgut, njofton Portalb.mk.

Sipas informatave të tyre, e burgosura Shutkija Mustafova, ka ndërruar jetë mbrëmë në ora 22:30, ndërkaq disa herë ka intervenuar edhe Ndihma e Shpejtë, por nuk ka mundur që t’i ndihmojë.

Drejtori i burgut, Zhivko Pejkovski, e ka konfirmuar lajmin për vdekjen e të burgosurës, ndërkaq shkaqet do të dihen pas obduksionit.

“E burgosura mbi 20 herë është dërguar në disa klinika edhe atë në Klinikën e Gastroenepatologjisëm, në Klinikën e Kirurgjisë etj., disa herë ka intervenuar edhe Ndihma e Shpejtë. Do me thënë që këtu kemi vepruar ashtu siç duhet, çështja  është se pse nuk është mbajtur për mjekim”, theksoi drejtori Pejkovski.

Burimet e gazetës, thonë se vdekja e të burgosurës ka ardhur si pasojë e moskujdesit të mjekëve.

“Është e vërtetë që disa herë e kanë dërguar në mjek, por e kanë kthyer me arsyetimin se nuk ka asgjë, se problemet i ka të natyrës psikike. Por, ajo nuk është e vërtetë, pasi që gruaja që 3 vjet është  e sëmurë dhe i ka humbur 25 kilogramë. Njeriut të shëndoshë kjo nuk do t’i ndodhte”, sqaron një e burgosur.

Ajo shpjegon se të gjitha të burgosurat janë të shokuara, pasi që gruaja u ka vdekur para syve.

“Nuk jemi të obliguar që ta shohim se si një jetë e dikujt shuhet. Ajo është përvojë e tmerrshme, ne e kemi përjetuar disa herë. Sikur të kishte kujdes normal të mjekëve, ajo nuk do të ndodhte”, thotë bashkëbiseduesja.

Drejtori Pejkovski thotë se për vdekjen e të burgosurës e ka njoftuar Prokurorinë dhe MPB-në, por edhe Avokatin e Popullit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button