Salmon, biftek, alkool dhe cigare – në llogari të shtetit (FOTO)

Salmon, biftekë, cigare dhe alkool ka porositur ish zëvendësministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratë, Timço Mucunski, në llogari të shtetit, derisa ka qenë në funksion. Llogaritë që janë në emër të tij, janë paguar nëpërmjet faturës, të cilat janë bërë në periudhën prej prillit deri në dhjetor të vitit 2016, dhe kanë vlerën rreth 150.000 denarë ose 2.5 mijë euro, njofton Portalb.mk.

Rrjeti BIRN, ka arritur që nëpërmjet ligjit për qasje të lirë te informatat me interes publik, t’i sigurojë llogaritë për shërbimet hotelierike që i kanë shfrytëzuar ish ministrja e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Marta TOmovska, zëvendësi i saj, Mucunski, zëvendësministri plotësues, Aleksandar Kiracovski dhe sekretari shtetëror, Jahi Jahija. Sipas llogarive, ish ministrja  Tomovska është e vetmja që nuk ka harxhuar para të shtetit për shërbime hotelierike.

Restorantet më të shtrenjta në llogari të shtetit i ka shfrytëzuar Mucunski. Ai më tepër e ka vizituar kafenenë “Rustikana” në Shkup.  Salmon me sos të gjelbër prej 650 denarësh, biftek viçi, mish viçi të pjekur, peshk deti, uzo, raki, verë, birrë, uiski dhe cigare – janë një pjesë e gjërave që ai më së shpeshti i ka porositur në restorant.

Në llogaritë mund të shihet se sa persona kanë ngrënë dhe kanë pirë për këto para, ndërkaq llogaria ka lëvizur nga 2 mijë deri në 13 mijë denarë. Më së shpeshti llogaritë janë bërë gjatë orarit të punës, por ka edhe prej atyre që janë bërë edhe pas orarit të punës, gjegjësisht deri në mesnatë.

Më poshtë BIRN ka bërë një infografik në të cilën mund të shihet se çfarë është porositur në qershor të vitit të kaluar në restorantin “Rustikana” në Shkup nga ana e zv/ministrit të atëhershëm të Shoqërisë Informatike dhe Administratës. Vetëm kjo darkë, në llogari të shtetit, ka kushtuar diçka më pak se gjysma e rrogës neto në Maqedoni.

Sekretari i atëhershëm në Ministri, Jahi Jahija, ka harxhuar mbi 3 mijë euro gjatë vitit 2016 për shërbime hotelierike. Ai ka ngrënë në restorantin “Buket”, por edhe në dy restorante në Likovë dhe Kumanovë, ndërkaq llogaritë që i ka bërë për një ditë variojnë, nga 2 deri në 24 mijë denarë.

Për një pjese të madhe të harxhimeve të sekretarit shtetëror, nuk janë  dorëzuar llogaritë fiskale që të shihet saktë se çfarë ka porositur, ndërkaq në njërën nga llogaritë e cila është bërë në mars të vitit të kaluar, mund të shihet se Jahija ka harxhuar 8.350 denarë për 10 kilogramë lajthi dhe arra të Indisë.

Zv/ministri plotësues i LSDM-së, Aleksandar Kiracovski, në llogari të shtetit ka ngrënë në restorantin “Buket”, e cila ndodhet afër Ministrisë. Ai prej shkurtit deri në dhjetor të vitit 2016, për shërbime hotelierike ka harxhuar 90.000 denarë, prej të cilëve fatura më e madhe në nivel mujor ka vlerën prej 27 mijë denarë. Sipas llogarive del se, për shembyll, në muajin mars, Kiracovski, thuajse çdo ditë ka ngrënë në llogari të shtetit, më së shpeshti, çorbë, lëngje, sallata dhe kafe. Sipas një pjesë e llogarive, disa herë ka porositur edhe pije alkoolike.

Për dallim nga zv/ministrat dhe sekretari shtetëror, ministrja Arsovska Tomovska, nuk ka harxhuar para të shtetit për shërbime hotelierike. Nga kartela kreditore zyrtare gjatë vitit 2016 ka harxhuar mbi 28.000 denarë, më së shpeshti për harxhime jashtë vendit.

БИРН од сите министерства ги

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button