NJERIU I RI

Ata që më duan vetëm si qytetar, por jo edhe si shqiptar janë skile.
“Si individë baskët shihen mirë në Madrid e jo si baskë”, thotë poeti B.T. Artetxe.
Ata që flasin shumë për identitete partikulare fshehin një dredhi.
Ata synojnë që të mbrohet vetëm identiteti i tyre kolektiv, kurse unë duhet të jem vetëm qytetari, të jem numër, thuajse duke qenë shqiptar është pengesë për të qenë qytetar.
Atyre që më pandehin të paemancipuar kur e mbroj identitetin tim kombëtar, mund t’u them se nuk jam aq i “emancipuar” dhe aq “modern” sa ta mohoj identitetin tim kolektiv, sepse duke e njohur, mburrem me të.
Atyre që hiqen si “të emancipuar”, “modern” dhe turpërohen nga identiteti i tyre kolektiv, askush nuk u ka dhënë mandat të flasin në emër të të gjithëve. Ata nuk mund të flasin në emrin tim.
Prej tyre ka të padijshëm, të mashtruar, por edhe mashtrues.
“Qytetarët e botës” mund të duken simpatikë, por fshehin një hipokrizi. Sa herë përmenden shqiptarët menjëherë, për çështje ekuilibri, shtojnë: EDHE turqit, romët, serbët, boshnjakët, vllehtë dhe gjithnjë e veçojnë veten prej “të tjerëve”.
Jo hipokrizia, por e vërteta na bën të lirë.
Nuk janë të sinqertë as kur flasin për ndërveprime kulturore, për shumëkulturalitet, për ndërkulturalitet…
Këta e duan vetëm “shqiptarin e ri”, i cili duhet të jetë si “njeriu i ri”, që edhe mund të flasë shqip, por nuk duhet të mendojë dhe të veprojë shqip. Ai, kur flet, duhet ta ketë mendimin në “dyzen” me ideologjinë e atyre që më duan si qytetar e jo edhe si shqiptar.
“Shqiptari i ri” duhet të ketë ndjenjë vetëpërçmimi; të besojë se kultura e tij nuk është e vlefshme, se është inferiore, se të qenit shqiptar është përçmim. Ai nuk duhet të ketë kërkesa kombëtare, por vetëm kërkesa sociale dhe ekzistenciale; të mendojë vetëm për “bukën e përditshme”. Ai nuk duhet ta dijë të kaluarën e tij dhe të merret me të kaluarën, sepse s’duhet që të ketë kujtesë, por të jetojë në të “tashmen e përjetshme”. Duhet të jetë “njeriu i ri” i kohës sonë, të jetë automati, gëlltitësi i pilulës “Murti Beng”, që menjëherë njeriut i ngjall lumturi të rrejshme, ja ndryshon mendimet, e shndërron në aprovues të robërimit të tij.
Jam për një shqiptarizëm të re që synon shqiptari të flasë, të mendojë e të veprojë shqip dhe të ketë ndjenjë të theksuar europianizme në thellësi të qenies së tij; të mos urrejë kombe, religjione, kultura, gjuhë të ndryshme; të mos jetë ksenofob, sepse ksenofobia e dëmton një kulturë, por as ksenofil i sëmurë, që mohon vlerën e tij dhe çmon jovlerën vetëm pse është e huaja.
Shqiptari duhet t’i çmojë dhe t’i përthith vlerat botërore; të synojë që të jetë pjesë koalicionesh të mëdha kulturore; ta çmojë gjeniun krijues dhe të udhëhiqet nga ideali madhor: të zë vend nderi në familjen e madhe të kombeve të qytetëruar, sikurse na kanë mësuar mendimtarët më mendjendritur dhe jo si duan të na orienojnë disa deledashë.
Gjithsesi duhet tolerancë ndaj identiteteve partikulare, por edhe ndaj identitetit të “tjetrit”, që është i ndryshëm…
Gjithçka tjetër është mashtrim. Është maskë që e kemi parë shumë herë.
Nuk jemi aq të rinj. Mbartim mbi supe mijëvjeçarë…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button