Ja kur mundet Prokuroria Speciale t’i procedurojë rastet “Monstra” dhe “Sopoti”

Pas ndryshimit të Qeverisë së Maqedonisë, ajo ka në duar edhe fillimin e procedurës për ti mundësuar Prokurorisë Speciale Publike të Maqedonisë të zbardhë rastet më kontroverse dhe siç dyshohen në opinion, të montuara ndaj shqiptarëve “Monstra” dhe “Sopoti” dhe të tjerëve siç është rasti i vrasjes së të riut Martin Neshkovski, gazetarit Nikolla Mlladenov, shkruan Portalb.mk.

Qeveria e re LSDM-BDI-AP, duhet që të propozojë ndryshime ligjore në Parlamentin e Maqedonisë, të cilët do të munden ti zgjidhin duart Prokurorisë Speciale për të zbardhur rastet në fjalë. Konkretisht, nevojiten ndryshimi i nenit 22 të Ligjit për Prokurori Speciale i cili do të zgjatë mandatin e saj si dhe zbatimin e rekomandimeve të Komisionit të Venedikut në të cilin parashihet miratimi i ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe përdorimin e “bombave” si dëshmi hetimore gjë e cila deri më sot nuk është bërë.

Këtë për Portalb.mk e konfirmoi edhe deputeti i Lidhjes Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), Muhamed Zeqiri dukë thënë që punohet në këtë drejtim.

“Ndryshimi i ligjit për prokurori speciale dhe sjellja e ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve duhet të bëhet me propozim të Qeverisë. Deri më sot Qeveria nuk ka propozuar një gjë të tillë prandaj edhe nuk është vendosur në votim i njëjti. Punohet me ekspertët e kësaj fushe se si do të bëhet me PSP para se asaj ti skadojë afati. Do t’ju njoftojmë me kohë për çdo iniciativë”, tha Zeqiri.

PSP ka kohë që kërkon miratimin e ligjeve

“Miratimi i ligjit për dëshmitarët e mbrojtur dhe ndryshimet që ne i kërkuam, janë kyçe për shumë lëndë, në mesin e të cilëve janë “Monstra” dhe “Sopoti”, tha në një konferencë javë më parë prokurorja e PSP-së, Lençe Ristovska.

Përpos PSP-së edhe Lëvizja BESA në konferencën që u mbajt kërkoi nga kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev dhe Prokuroria Speciale Publike që urgjentisht t’i procedojnë rastet “Monstra” dhe “Sopoti”.

“Derisa Prokuroria Speciale Publike u tregua shumë e shkathët dhe efikase dhe iu mjaftuan vetëm 24 orë për verifikimin e të kaluarës së ministrave të BDI-së, kërkojmë dhe presim që me të njëjtën urgjencë të procedohen edhe rastet “Monstra” dhe “Sopoti”, për të cilat ka prova të shumta të cilat e konfirmojnë pafajësinë e shqiptarëve të cilët padrejtësisht mbahen nëpër burgje”, tha zëdhënësja Njomza Imeri Ismaili.

Ata nga Zaev kërkojnë ngaqë ai para disa kohe u shpreh se të dënuarit e “Monstrës” janë të pafajshëm  dhe se gjegjësisht nuk ka kurrfarë dëshmi se ata e kanë bërë vrasjen e pesëfishtë.

PENGESAT PËR PSP-në

Deri më tani një afat për PSP ka kaluar të dielën me çka hiqet mundësia që e njëjta nga 18 mujori të ngrit padi penale për lëndët që i ka marrë nga Prokuroria e përgjithshme më 4 dhjetor të vitit 2015. Ndërkaq, sa i përket bisedave të përgjuara që LSDM i ka dorëzuar në PSP, afati për ngritjen e padive për to është 30 qershori.

Sa i përket vazhdimit të mandatit të prokurorisë, pengesën më të madhe e bëjnë deputetët e VMRO-DPMNE-së të cilët me cdo kusht dëshirojnë shuarjen e kësaj prokurorie, gjë që dëshmohet nga propaganda publike disa vjetore e kësaj parti. Ata nuk do të votojnë për vazhdimin e mandatit të PSP-së ndërsa vota e tyre është e nevojshme sepse ligji është miratuar me 2/3 e votave.

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Vesel Memedi tha për Portalb.mk se “nëse nuk ka konsensus, atëherë do të ketë alternativë tjetër”.

Ai nuk bëri të ditur se nëse alternativa tjetër do të jetë vendosja e Katica Janevës në vend të prokurorit aktual Marko Zverlevski, për të cilin tashmë është hapur procedurë për shkarkim. Ai këtë as nuk e mohoi e as nuk e pohoi këtë. Ndërsa nga BDI -ja nuk prononcohen për këtë çështje.

Rastet që tronidtën shqiptarët

 “Monstra”

Halil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës.

Familjarët e të burgosurve për rastin ‘Monstra’ 1 majin  e vitit 2012 e kujtojnë si një ndër ditët më të këqija të jetës së tyre, pasi që trauma e aksionit policor të zhvilluar para pesë viteve ende nuk ka kaluar.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët si dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Sopoti

Rasti i “Sopotit” është që nga viti 2003, kur gjatë eksplodimit të një mine në afërsi  të Sopotit humbën jetën dy ushtarë polak dhe një civil.

Për këtë rast u gjykuan 10 banorë të fshatit Sopot me gjithsej 140 vite burg, shumica e të cilëve vuajtën nga shtatë vite burg, kurse tani ndodhen në liri me detyrim paraqitjeje çdo javë në gjykatë.

Nga materialet e përgjuara të publikuara nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, dëgjohet se si ish ministrja e MPB-së, Gordana Jankullovska dhe ish shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, diskutojnë për rastin në fjalë dhe thonë se të akuzuarit pafajsisht janë burgosur.

Në një bisedë tjetër telefonike dëgjohet se si deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të VMRO DPMNE-së në Kuvend, Ilija Dimovski, ka kërkuar nga Gordana Jankullovska dhe prokurori Marko Zvërlevski paraburgim për bashkëqytetarët e tij në procesin gjyqësor “Sopoti”, në kundërshtim me vendimet e mëparshme të Gjykatës. Dimovski kërkoi nga Jankullovska ta detyrojë Marko Zvërlevskin dhe të caktojnë burgim, pa e respektuar gjykatën dhe prezumimin e pafajësisë.

LEXO më shumë: Rasti “Sopoti” dhe “Monstra

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button