Maqedoni, paralajmërohen reforma të shumta dhe rrënjësore në sistemin arsimor

Në sistemin arsimor aktual në Maqedoni duhet të bëhen reforma rrënjësore dhe të shumta. Këto ndryshime sipas Aleksandar Spasovit nga Institutit Progresiv për Demokraci Sociale do të duhet të bëhen duke filluar nga arsimi fillor, njofton Portalb.mk.

Ky edhe përfundimet e tjera të mëposhtme u thanë sot në debatin “Reformim i reformave të pasuksesshme”.

“Duhet të ndryshohet pothuaje çdo gjë në sistemin arsimor, duke filluar që nga arsimi fillor për të përfunduar tek ai sipëror. Ndryshime duhet të bëhen në përzgjedhjen e kuadrit të arsimor, mënyrës dhe sasisë së financimit të shkollave”, tha Spasov.

Ai gjithashtu vlerësoi se nuk duhet të jetë arsimi i obligueshëm por duhet të ketë kritere në pranim e nxënësve, ngaqë me kritere të caktuar rritet cilësia e arsimit.

Deskoska: Do të hiqet edhe Programi i Kembrixhit

Ndërsa, ministrja aktuale e Arsimit, Renata Deskoska krahas asaj që paralajmëroi moszbatim të Programit të Kembrixhit në shkolla të mesme, ajo gjithashtu tregoi edhe hapat konkrete që do të bëhen në kuadër të reformimit arsimor, duke filluar nga zvogëlimi i lëndëve mësimore, ndryshimi e librave shkollor e për të përfunduar në formimin e një fondi shtetëror i cili do të përkrahte moralisht dhe financiarisht nxënësit dhe studentët e talentuar

“Jam e vetëdijshme se në arsim duhen reforma që nga fillimi që të gjitha këto do të kontribuojnë paralelisht edhe në zhvillimin e shoqërisë. Do të zvogëlojmë orët dhe numrin e lëndëve mësimore, do të shqyrtojmë librat shkollor, do të formojmë fond shtetëror ku do të përkrahen moralisht dhe financiarisht nxënësit dhe studentët e talentuar, do të bëhet revizion në evidencën pedagogjike dhe shërbimeve administrative në institucionet arsimore të cilët më shumë janë si proform. Do të kemi edhe mësim të integruar ku do të shmangen ndarjet ekzistuese të deritashme qofshin ato sociale por edhe etnike”, tha Deskoska.

Por ajo sërish vlerëson, se krahas këtyre ndryshimeve fokus më të madh do të ketë pavarësimi i universiteteve që ata dhe kuadri i tyre të jenë sa më autonom në vendimet që do t’i marrin.

Në këtë ngjarje i pranishëm ishte edhe përfaqësuesi dhe kryetari i Komisionit për Arsim në Kuvendin e Maqedonisë, Petar Atanasov i cili sistemin e deritashëm e vlerësoi si sistem të të pasurve me shmangie të tërësishme të të varfërve.

“Sistemi i deritashëm arsimor ka mundësuar shkollim vetëm për të pasurit, ata të cilët kanë pasur mundësi që fëmijët e tyre t’i dërgojnë në orë e kurse private. Parashohim ndryshime, jo me eksperimente, por që do të përfshijnë në vete debate të gjera publike, ligjet dhe programet arsimore do të zbatohen në përputhshmëri me moshën dhe kategorinë e shoqërisë, do të punohet me arsimtarët, dënimet do të largohem nga mënyra e edukimit dhe në vend të tyre të vijnë shpërblimet, gjuha amtare do të pësojë reforma kruciale ngaqë ajo është shmangur totalisht nga sistemi arsimor si dhe do të bëhet përpjekje që të futet arsimimi i integruar në sistem me qëllim të shmangies së konflikteve etnike”, tha Atanasov.

Nëse kemi zbatim të të gjitha këtyre propozimeve të Atanasov, me shumë gjasë do të kemi një përparim në sistemin arsimor dhe rikthim të cilësisë së arsimit, ngaqë, siç edhe bëri të ditur ish këshilltari arsimor në Finlandë, Esa Suominen, të njëjtat kanë qenë të zbatuara edhe në Finlandë.

“Finlanda ishte vend i varfër në krahasim me vendet fqinje të saj. Mirëpo edhe pse kishte resurse të vogla sërish ajo arriti që t’i zhvillojë reformat e nevojshme me çka sot gëzojmë një sistem arsimor cilësor. Me rëndësi është të kemi modele evropiane të cilat do të ndiqen dhe të cilat fokusohen në kualitete. E rëndësishme të kemi kuadër të arsimtarëve cilësor dhe reformat tjera do të vijnë vetvetiu”, tha Suominen.

Siç edhe vlerësoi ai, arsimi i integruara ka bërë që në Finlandë gjatë viteve të fundit të mos kemi konflikte etnike edhe përskaj asaj që shteti paraqet një diversitet kulturor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button