Janë hapur dyert e Qeverisë, mysafiri i parë ambasadori i BE-së në vend Samuel Zhbogar

Pothuajse pas dy viteve të ndalesës për hyrje në Qeveri, qytetarët mund të lëvizin lirshëm nëpër oborr sepse prej sot në mëngjes dyert janë hapur, ndërsa mysafiri i parë i kryeministrit, Zoran Zaev ishte ambasadori i BE-së në vend, Samuel Zhbogar, ku kanë biseduar për hapat urgjent të Qeverisë dhe angazhimet e BE-së, njofton Portalb.mk.

“Në takimin e parë me kryeministrin kemi biseduar për hapat urgjent të Qeverisë dhe angazhimet e BE-së”, ka shkruar në twitter ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.

 

Ndryshe, tani për tani nuk ka informata se a do të hiqet plotësisht gardhi që u vendos para dy viteve, në shtator të 2015-tës, me kërkesë të ish kryeministrit, Nikolla Gruevski.

Kryeministri Zaev në konferencën e sotme ndërkombëtare të energjetikës tha se së pari duhet të shqyrtohet ligji i furnizimeve publike dhe në këtë mënyrë do të mund të hiqet gardhi.

“Ka kreacion të bukur mes qytetarëve nga shtyllat e betonit që të bëhen ulëse të bukura për t’u ulur, dhe jo të presim që arkitektët dhe inxhinieret ta japin mendimin e tyre. Qëllimi ynë është që ta hapim Qeverinë për të gjithë”, deklaroi kryeministri Zaev.

Gardhi prej metali ka kushtuar 700 mijë euro dhe e ka vendosur kompania “Bayer BG”. Për qasje janë hequr dy hyrje, të cilat vazhdimesh kanë qenë të mbyllura.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button