Koalicioni arab e hoqi Katarin nga operacioni në Jemen

Koalicioni i kryesuar nga Arabia Saudite, sot kumtoi se është duke e ndërprerë pjesëmarrjen e Katarit në operacionin e përbashkët ushtarak kundër kryengritësve – husët, të cilët vendosën kontroll ndaj një pjese të madhe të territorit në Jemen.

Sot Bahreini, Arabia Saudite, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe publikuan se janë duke i ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Katarin pasi vlerësojnë se ai i mbështet terroristët dhe islamistët e armatosur.

Arabia Saudite kumtoi se dëshiron ta mbrojë sigurinë e saj nacionale prej kanosjeve të terrorizmit dhe ekstremizmit.

Agjencia shtetërore saudite citoi një burim zyrtar anonim, sipas së cilit Arabia Saudite ka vendosur t’i ndërpresë marrëdhëniet diplomatike dhe konsullare me Katarin “duke e realizuar të drejtën sovrane, të garantuar me ligj ndërkombëtar, për ta mbrojtur sigurinë nacionale prej rreziqeve të terrorizmit dhe ekstremizmit”.

Arabia Saudite i ndërpret të gjitha kontaktet për rrugë ajrore, tokësore dhe detare me Katarin dhe ju bën thirrje të gjitha vendeve dhe kompanive vëllazërore që ta bëjnë të njëjtën”, thuhet në kumtesën e agjencisë saudite.

Ministria egjiptiane e Punëve të Jashtme theksoi se Egjipti i ka mbyllur kufijtë e vet dhe hapësirën ajrore për të gjitha lidhjet transportuese me Katarin, si dhe se vendi i ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Katarin pasi që ai mbështet organizata terroriste, duke i përfshirë edhe “Vëllezërit mysliman”.

Bahreini e akuzoi Katarin se minon sigurinë dhe stabilitetin dhe se përzihet në punët e tij të brendshme.

Emiratet e Bashkuara Arabe u dhanë 48 orë diplomatëve të tyre për ta braktisur Katarin, pasi ai mbështet dhe financon terroristë, ekstremistë dhe organizata religjioze.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button