Detajet e tmerrit në Londër, ja si ndodhi, 7 të vrarë e 30 të plagosur, 3 të vrarë nga policia

Autoritetet në Britani thanë se shtatë persona u vranë dhe më shumë se 30 u plagosën në dy incidente terroriste që goditën të shtunën mbrëma në Urën e Londrës dhe në një zonë aty pranë.

Sipas policisë, sulmuesit, me një furgon, u futën në mesin e këmbësorëve në Urën e Londrës dhe më pas therën me thika klientët në restorantet pranë.

Tre sulmuesit meshkuj u qëlluan për vdekje nga policia në afërsi tregut Borough, pak minuta pas incidentit, në rreth orës 22 sipas kohës lokale, mbërmjen e 3 qershorit, thanë autoritetet.

Dëshmitarët pohojnë se panë një furgon që goditi turmën e këmbësorëve dhe disa persona u therën me thika.

Policia tha se po i trajton incidentet si veprime terroriste, ndërsa më herët kryeministrja britanike Theresa May, tha se “incidentet e tmerrshme” po trajtohen “si akte të mundshme terroriste”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, shkroi në Twitter, “Çfarëdo që SHBA-ja mund të bëjë për të ndihmuar në Londër dhe në Britaninë e Madhe, do të jemi atje. Ne jemi me ju. Zoti ju bekoftë”.

Britania e Madhe është në shkallë të lartë të alarmit pas incidenteve të fundit dhe në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 8 qershorit.

Vetëm pak ditë më parë, një sulmues vetëvrasës vrau 22 persona gjatë një koncerti të këngëtares amerikane Ariana Grande në Mançester.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button