Maqedoni, do të ndalen presionet dhe do të riafirmohet roli pozitiv i OJQ-ve

Organizatat joqeveritare të Maqedonisë ishin ato që më së shumti u akuzuan, u penguan në kryerjen e detyrës, iu mohuan të drejtat e lirisë së shprehjes, gjatë pushtetit qeverisës që lamë pas.
Për pesë muaj, po thuaj se çdo ditë inspektorët janë të pranishëm në zyrat e dhjetëra organizatave duke angazhuar dhjetëra inspektorë që të bëjnë kontrolle mbi të punësuarit, duke u përgjigjur pyetjeve të shumta.

Duhet të theksohet se roli i OJQ-ve në një shoqëri është shumë i rëndësishëm pasi që ata janë korektor i pushtetit dhe janë garantues për zhvillimin e demokracisë në një vend andaj ata duhet të jenë të lira të kryejnë punën e tyre.

Nga biseda e Portalb me disa OJQ, kuptuam se ata presin ditë më të mirë, duke shpresuar që tani pas rënies së regjimit dhe formimit të Qeverisë së re, do të munden të punojnë në mënyrë të lirë dhe të standardizuar, pa presione politike apo financiare.

Bardhyl Jashari nga Fondacioni Metamorfozis thotë për Portalb.mk se beson që me formimin e Qeverisë së re do të ndalet përndjekja politike e OJQ-ve dhe do të shuhet presioni institucional ndaj tyre.

“Kontrollet e vazhdueshme që zgjasin gati gjysmë viti janë të padrejta dhe tendencioze dhe nuk shoh asnjë arsye që ata të vazhdojnë. Megjithatë, edhe pse ndoshta presioni institucional do të shuhet, mendoj që presioni medial ndaj OJQ-ve do të vazhdoje dhe pres të intensifikohet pas caktimit të datës për zgjedhjet lokale. Krejt kjo, sepse shumë media janë ende nën kontrollin e pushtetit të kaluar dhe ata do të tentojnë që me shpifje dhe manipulime të diskreditojnë punën e OJQ-ve të cilat natyrshëm do të vlerësojnë dhe do të kërkojnë llogari për punën e pushtetit lokal. Por mbi të gjitha do të kërkojnë drejtësi dhe sundim të ligjit”, tha për Portalb, Jashari.

Ditë më parë, njëzet organizata joqeveritare nga Maqedonia kanë bërë thirrje që të ndalet përndjekja, tanimë 5 mujore e tyre, dhe institucionet të marrin përgjegjësi.

Arianit Xhaferi nga Eco Guerila thotë për Portalb.mk se kryeministri Zaev dhe ministrat e qeverisë së tij nuk janë aq naivë sa që të mos njohin rolin e OJQ-ve në jetën publike dhe se të njëjtave duhet t’u garantohet liri veprimi.

“Nga qeveria e re pres që të shohë shoqërinë civile dhe sidomos organizatat joqeveritare si një partner të denjë në tejkalimin e problemeve të shumta që shteti ka e që nuk po ju gjen zgjidhje. Në demokracitë perëndimore roli i organizatave të shoqërisë civile është t’i ndihmojnë shtetit – kurse në Maqedoni gjatë regjimit të kaluar OJQ-të u shpallën armiq të shtetit, dhe u persekutuan në mënyra të ndryshme. Besoj që kryeministri Zaev dhe ministrat e qeverisë së tij nuk janë aq naivë sa që të mos njohin rolin e OJQ-ve në jetën publike dhe se të njëjtave duhet t’u garantohet liri veprimi, pasi shumica e organizatave të tilla punojnë në zgjidhjen e problemeve sociale të cilat shteti nuk i zgjidh dot, ose i kushton më shumë për t’i zgjidhur. Nga këtu mendoj që qeveria e re do ketë qasje më pozitive ndaj organizatave joqeveritare dhe aktivistët do e kenë më të lehtë të angazhohen në aktivitetet e tyre, tha për Portalb, Xhaferi.

Sa për ilustrim, qeveria e shkuar ka ndarë 800.000 еuro për organizatat qytetare të cilat vetëm ata i njohin dhe nuk kanë ndodnjë aktivitet të dukshëm. Përderisa vitin e kaluar janë nënshkruar marrëveshje deri në 5.000 еuro, tani ato janë rritur deri në 50.000 еuro!

Xhabir Deralla nga “Civil” thotë për Portalb.mk se problemet dhe presionet më të cilat u ballafaquan pjesë e organizatave joqeveritare që ngritën zërin kundër regjimit, tani mbetën në të kaluarën.

“Mirëpo kjo nuk do të thotë se politizimi i shoqërisë do të përfundojë. Partitë politike kuptuan se OJQ mund të jenë mjet i rëndësishëm i ndikimit. Në periudhën e ardhshme mund të pritët që OJQ të cilat heshtën nën hijen e anonimitetit, të paraqiten si artikulues të qendrave të fuqishme që u larguan nga kaska e qeverisë. Gjithashtu mund të presin që pjesë e disa OJQ-ve të hynë në marrëdhënie të afërta me qeverinë e re. Civil do të vazhdoj të kujdeset për lirinë dhe të jetë kritikues konstruktiv i qeverisë por edhe i partive tjera dhe strukturave financiare të fuqishme. Kërkesë jonë ishte do të jetë që të gjithë kriminelët të përgjigjen para drejtësisë”, tha për Portalb, Deralla.

Në Maqedoni këto muaj u paraqitën rastet e para të dënimeve të padrejta dhe të montuara mbi organizatat të cilat me vite të tëra punojnë dhe u ndihmojnë qytetarëve më të rrezikuar dhe më të varfër. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button