Filipine, shpërthime dhe të shtëna në resortin turistik

Vendi më popullor për turistët e huaj në Filipine, “Resorti World Manila” u rrethua nga forca të shumta policore pas raportimeve për të shtëna armësh dhe shpërthime në kompleksin e përbërë nga disa ndërtesa, transmeton Top Channel.

Qindra të huaj dhe punonjës u larguan me vrap nga një prej hoteleve, pasi persona të armatosur në katin e dytë të tij nisën të qëllonin ndaj turistëve, thonë punonjës që largoheshin të tmerruar.

Forcat të ekipeve “SWAT”, të armatosur rëndë dhe të veshur me antiplumb dhe mbrojtëse të tjera zbritën menjëherë në vendngjarje. Pamjet e para shfaqën një tym që dilte nga katet e sipërme të ndërtesës.

Rreth orës 4 të mëngjesit të së premtes, kryeoficeri i resortit, Stephen Reilly tha për reporterët se policia ishte vënë në kontroll brenda ndërtesës për një prej të dyshuarve, por ende nuk janë ofruar më shumë të dhëna.

Një dëshmitar në vendngjarje tha se incidenti nisi rreth një orë pas mesnate, duke shtuar se disa prej punonjësve i vunë re shpejt të armatosurit që qëllonin në ajër. Ndërkohë, një tjetër ishte në kazinonë e resortit, së bashku me qindra persona të tjerë, kur nisi sulmi. Ai thotë se kishte dëgjuar edhe një zhurmë që ngjante si shpërthim.

Pak orë më vonë, dëshmitarët thanë se të shtënat ishin ndalur. Por deri më tani askush nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë e këtij sulmi. Ende nuk është bërë e ditur sesa persona mund të jenë plagosur, apo edhe vrarë në këtë sulm.

Kryqi i Kuq filipinas shkroi në rrjetet sociale se kishte transportuar 3 persona nga resorti në spitalet më të afërta. Ndërsa personeli i emergjencave kishte dhënë ndihmën e parë mjekësore ndaj personave që kishin shfaqur probleme me frymëmarrjen, apo lëndime të lehta, por jo plagë nga armët.

Të gjitha terminalet në Aeroportin ndërkombëtar “Ninoy Aquino” u vunë në “shtetrrethim” për shkak të sulmit, siç njoftoi Robert Echano, operator në aeroportin që ndodhet më pak se një km larg resortit.

Filipinet janë tronditur së fundi nga incidente terroriste, veçanërisht në ishullin jugor të Mindanaos, në qytetin Marawi të të cilit, forcat qeveritare luftojnë ndaj militantëve të lidhur me Shtetin Islamik për kontrollin e qytetit. Beteja për Marawin, një qytet kryesisht me myslimanë, ka detyruar të zhvendosen të paktën 70 mijë njerëz dhe deri tani numëron 140 viktima. Lufta nisi javën e kaluar, kur nisi edhe Muaji i Shenjtë i Ramazanit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button