Kurrë më!

Dhe erdhi një ditë e ndryshimi filloi. A do bëhet realitet ky ndryshim varet nga ata që janë kyçur direkt në të, por mbi të gjitha, varet nga të gjithë ne. Varet nga ne a do lejojmë që ata që duhet t’i ndryshojnë gjërat, të humben brenda ndryshimeve dhe reformat të mos ndodhin. Varet prej nesh dhe prej vetëdijes sonë qytetare tani më të krijuar dhe të përforëcuar se a do të kënaqemi me pak ose do të kërkojmë më shumë, a do të tolerojmë keqpërdorime dhe vjedhje në të ardhmen apo do të vazhdojmë të rreagojmë vrullshëm kundër tyre. Varet prej nesh sa me ngulm do të kërkojmë gjer në fund përgjegjësinë e të gjithë të involvuarve në krime. Varet prej nesh a do të vendosim ta falim, apo të pastrojmë me kriminalitetin një herë e përgjithëmonë.

Qeveria e re u zgjodh, një punë e madhe mbaroi, por puna më e madhe fillon pikërisht tani. Ajo vetëdije e zgjuar qytetare, nuk guxon të bjerë në gjumë përsëri, nuk guxon të heshtë dhe të tërhiqet pas fitores së parë, sado e rendësishme qoftë ajo. Ngulmi për të kërkuar drejtësi nuk guxon të heshtë për asnjë moment, në mënyrë që qeveria e re të mos fitojë komoditetin që e kishte qeveria e kaluar dhe me të cilin bënte çfarëdo që dëshironte ndërsa ne këtë ia lejonim.

 Është koha ta kujtojmë ose ta rilexojmë Korbin e Edgar Allan Po-së, dhe ta përsërisim çdo ditë togfjalëshin e tij të njohur: Kurrë më!

 Kurrë më të mos ndodhë që pushteti të kontrollojë jetët dhe fatet tona dhe të bëjë çfarë ti dojë qejfi me to. Kurrë më të mos e lejojmë këtë!

 Kurrë më të mos i shkojë në mendje një kryeministri se mund të vjedhë para sa të dojë dhe për këtë të mos përgjigjet asnjëherë.

 Kurrë më të mos e perceptojë një pushtetmbajtës mundësinë që të mbulojë kriminalitetin e vetë me nxitje të urrejtjes ndëretnike.

 Kurrë më të mos mendojë dikush se mund të luajë lojëra me arsimin dhe në këto lojëra të përkrahet pa asnjë rezervë nga parlamenti, deputetët dhe nga vetë institucionet arsimore.

 Kurrë më të mos mendojë dikush se mund të mbjellë e të nxisë urrejtje dhe për këtë asnjëherë të mos përgjigjet.

 Kurrë më të mos heshtim dhe të lejojmë dikë që për 11 vjet me rradhë të kontrollojë si marrim frymë, sa marrim frymë dhe çfarë ajri thithim. Kurrë më!

 Kurrë më të mos mendojmë se jemi të vegjël, se jemi pak në numër, se jemi të dobët dhe se nuk mund të bëjmë asgjë. Kurrë më të mos e nënvlerësojmë fuqinë tone si studentë, si intelektualë, si qytetarë. Kurrë më të bindemi pafundësisht dhe të bëhemi të dëgjueshëm për gjëra të cilat e dimë se janë të gabuara dhe që haptazi shihen se janë të dëmshme.

 Kurrë më të mos e sakrifikojmë të drejtën fundamentale njerëzore për të jetuar i lirë dhe i barabartë përpara një prezumimi fiktiv, se në “mëhallën” tone gjithçka është në rregull, dhe se neve nuk na tangon ajo që në fakt është një padrejtësi e përgjithshme.

 Kurrë më të mos lejojmë që politikanët të jenë pronarët e fatit tonë por të kuptojmë një herë e përgjithmonë që ne jemi pronarët e fatit të tyre.

 Zhan Zhak Ruso është njëri nga krijuesit e teorisë së kontratës shoqërore. Sipas kësaj teorie, qytetarët, që janë bartës të sovranitetit, e delegojnë pushtetin e tyre tek qeveria që ata e zgjedhin, ndërsa qeveria, bashkë me pushtetin përsipër mer obligimin që të mbrojë dhe të avansojë të drejtat natyrore të qytetarëve. Në qoftë se qeveria nuk arrin këtë ta bëjë si ç’duhet, atëherë qytetarët e ndryshojnë qeverinë dhe zgjedhin një tjetër që më mire do i mbrojë dhe avansojë të drejtat e tyre natyrore. Kjo teori sot e kësaj dite është esenca e ushtrimit të pushtetit në shtetet demokratike ku ndarja e pushtetit dhe qeversija e mirëfilltë është fakt dhe jo demagogji. Fatkeqësisht, në Ballkan pushtetarët shpesh e harrojnë këtë teori dhe e zevendësojnë me perceptimet mesjetare se pushtetmbajtësit janë të përzgjedhur nga vetë Perëndia, dhe si të tillë nuk mund të ndryshohen nga njerëzimi.

 Qeveria e re e posakrijuar ka punë të mëdha për të bërë, dhe pritshmëritë janë të larta. Sa keq që mënyra si po sillet pjesa më e madhe e subjekteve politike shqiptare dëshmojnë vetëm vullnetin formal për të qenë pjesë e reformës, por jo edhe dëshirën dhe përkushtimin esencial për të qenë bashkëpunëtorë të vërtëtetë në atë reformë. Sa keq që BDI nuk arriti të gjejë forcë për t’u reformuar së pari vetë e për ta reflektuar këtë reformim tek përzgjedhja e kuadrove të qeverisë së re. Sa keq që BESA e lëshoi tërësisht mundësinë për të qenë pjesë e reformave kaq të rëndësishme e që kalkuoi për rezultatet e ardhshme zgjedhore duke harruar qëllimisht që të shfrytëzojë mundësinë e dhënë nga qytetarët në zgjedhjet e fundit. Sa mire që LR-PDSH dëshmoi se e ka kuptuar seriozisht punën e resorit që i është besuar për udhëheqje. Sa keq që subjektet politike shqiptare mbetën kaq të përçara dhe me kaq teka të pakuptueshme në një kohë kur përkrahja për një reformë gjithëpërfshirëse është kaq e rendësishme.

 Kjo gjë më kujtoi protestat e shumta, qoftë ato studentore, qoftë ato qytetare që u mbajtën viteve të kaluara e të cilat kontribuan esencialisht që të vijmë deri tek kjo ditë. Në atë kohë shumë shqiptarë e lëshuan shansin për t’u bërë pjesë e një lëvizjeje ndryshe që po ndodhte në këtë shtet. Skepticizmin e tyre e arsyetonin me mendime të ndryshme konspirative, të lidhura me të kaluarën e që ngjallin ende mosbesim mes komuniteteve. Sigurisht që duhet pasur kujdes gjithmonë, por duke qenë shumë skeptik, lëshohet mundësia për të marrë pjesë në momentet e rendësishme që e determinojnë ardhmërinë e vendit. Ashtu njejtë edhe subjektet politike, duke rënë pre e mendimeve të ndryshme konspirative dhe e zënkave banale mes vetes po lëshojnë mundësinë për të qenë pjesë e ndryshimeve historike në këtë vend.

 Asnjëherë më parë nuk kemi qenë kaq afër të krijimit të një shoqërie më të mire në këtë vend, asnjëherë më parë nuk ka pasur kaq shumë shpresë se diçka e mirë mund të ndodhë. Asnjëherë më parë një ndryshim i këtillë nuk është dukur kaq i mundshëm.

 Tani është koha që ne si qytetarë të insistojmë që ndryshimi vërtetë të ndodhë, dhe me forcën tone qytetare, që e pamë se mund të fuknsionijë, të kërkojmë që reformat të ndodhin një e nga një e gjer në fund, gjersa të gjithë që shkelën ligjin të dënohen në mënyrë të drejtë, dhe të gjithë, pa marë parasyshë a janë ende pjesë e pushtetit ose jo, të bartin përgjegjësi për gabimet e bëra.

 Vetëm kur ligji do të vlejë njësoj për të gjithë do mund të themi se reformat me të vërtetë kanë filluar të ndodhin dhe po tregojnë sukses.

 Prandaj, mend në kokë, sytë e hapur, dhe vetëdije të zgjuar. Puna e vërtetë fillon tani.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button