Gjuha e urrejtjes, të sanksionohen politikanët!

Ngjarjet e fundit politike në Maqedoni, kanë rritur përdorimin e gjuhës së urrejtjes, duke ndikuar kështu drejtpërdrejtë në marrëdhëniet ndëretnike në vend. Se a mund të sanksionohen apo a duhet të mbajnë përgjegjësi qoftë politike ose juridike politikanët, deputetët dhe liderët e partive politike që përdorën gjuhën e urrejtjes njohësit e çështjeve politike thonë se duhet të krijohet një institucion i veçantë që do të merret me këto çështje, shkruan  Portalb.mk.

Analisti politik Petar Arsovski thotë për Portalb.mk se secili politikan jo vetëm në Maqedoni por në tërë botën, por veçanërisht te ne pasi që jetojmë në një shoqëri të tillë, ata duhet të mbajnë përgjegjësi për atë që thonë, sidomos nëse bëhet fjalë për gjuhë të urrejtjes.

“Në sistemin juridik shumica e politikanëve e posaçërisht deputetët janë të lirë nga na ligjore, do të thotë janë të mbrojtur nga ana ligjore pasi që kanë imunitet. Gjithsesi secili politikan jo vetëm në Maqedoni por në tërë botën, por veçanërisht te ne pasi që jetojmë në një shoqëri të tillë, ata duhet të mbajnë përgjegjësi për atë që thonë, sidomos nëse bëhet fjalë për gjuhë të urrejtjes. Në sistemin juridik në Maqedoni kjo i bie që ai të ketë përgjegjësi politike , por kjo nuk mund të zbatohet kur ka tensione të mëdha politike. Duhet të ekzistojnë ndonjë institucion që të dënojë përdorimin e gjuhës së urrejtjes”, tha për Portalb, Arsovski.

Gjithashtu juristi Osman Kadriu thotë për Portalb.mk se Qeveria e re një prej preokupimeve në agjendën dhe programin e saj patjetër që do të ketë në rend dite si detyrë shtëpiake sanksionet kundër nxitjes së urrejtjes në çdo formë që paraqitet dhe për secilin që e përdor.

“Gjuha e urrejtjes është përdorur shumë në Maqedoni sidomos në vendet publike, ku protestuesit që luftonin për Maqedoni të bashkuar mjerisht në ato tubime, fjalime, protesta, ku morën pjesë edhe funksionarë e personalitete me poste publike dhe kur dëgjohen edhe prej tyre fjalë të tilla, përdorimin e gjuhës së urrejtjes, padyshim duhet të sanksionohet dhe duhet të ndëshkohet. Qeveria e re një prej preokupimeve në agjendën dhe programin e saj patjetër që do të ketë në rend dite si detyrë shtëpiake sanksionet kundër nxitjes së urrejtjes në çdo formë që paraqitet dhe për secilin që e përdor. Natyrisht përgjegjësia duhet të jetë e theksuar nëse bartësit e saj janë personalitete publike. Kjo sidomos është e nevojshme në shtete shumë nacionale dhe prandaj kjo fushë shumë e ndjeshme duhet të ruhet nga çdo veprim dhe sjellje e cila përkeqëson marrëdhëniet ndëretnike”, tha për Portalb, Kadriu.

Ai shtoi se fatkeqësisht kjo dukuri ka marrë dimensione të mëdha dhe brengosëse dhe kjo reflektohet në mënyrë të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe ndëretnike.

“Jam i mendimit që këtu së pari përgjegjësi politike duhet të ketë por gjithashtu jam i mendimit se në disa veprime dhe në disa sjellje mund të vërehet edhe elemente të veprave konkrete penale që d.m.th. se përgjegjësia duhet të jetë e qeverisë. Kjo dukuri ka marrë dimensione të mëdha dhe brengosëse dhe kjo reflektohet në mënyrë të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe ndëretnike”, shtoi Kadriu.

Nga ana tjetër, për dallim nga organizatat tjera të shoqërisë civile, Fondacioni Metamorfozis ka implementuar projektin “Liria e shprehjes dhe gjuhës së urrejtjes,” i cili ka të bëjë me ballafaqimin e gjuhës së urrejtjes në internet dhe edukimin e qytetarëve se si ta parandalojnë zhvillimin e këtij fenomeni përmes mjeteve të avancuara online.

“Gjuha e urrejtjes në internet është një dukuri shumë e shpeshtë dhe në internet mundësitë për tu përhapur janë shumë të mëdha, prandaj ne përmes materialeve edukative dhe aktiviteteve të ndryshme mundohemi që të rrisim vetëdijen e qytetarëve se çfarë domethënë gjuha e urrejtjes dhe cili është dallimi mes gjuhës së urrejtjes dhe lirisë së shprehjes gjë të cilën shpesh qytetarët e ngatërrojnë. Në përpjekjet tona për të parandaluar këtë fenomen ne kemi ngritur një ueb platformë www.mosurrej.mk dhe në të gjenden një spektër i gjerë i udhëzuesve, dorracakëve, analizave, lajmeve lidhur me gjuhën e urrejtjes dhe ballafaqimin e saj.” thotë Adriana Selmani nga Metamorfozis.

“Me qëllim për informim më efikas dhe ngritjen e vetëdijes publike për gjuhën e urrejtjes, krijuam aplikacion për celular i cili ju mundëson qytetarëve të kenë qasje të shpejtë dhe inovative në lajmet dhe ngjarjet më të reja që kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes si dhe qasje në burimet arsimore dhe profesionale” shtoi ajo.

Ndryshe, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut në raportin e tyre për muajin prill konstatuan se gjuha e urrejtjes dhe thirrjet për dhunë, janë shfrytëzuar nga politikanët dhe personat publik, një pjesë e protestuesve të protestave “Për Maqedoni të përbashkët”, ndërkaq gjithashtu të njëjtat janë shpërndarë edhe në rrejtët sociale. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button