Në Tetovë u mbajt festivali i parë ballkanik i poezisë

Më 19 e 20 maj 2017, qyteti i Tetovës, themeloi dhe u bë mikpritësi i parë i Festivalit ballkanik të Poezisë, i titulluar nga Shoqata e Shkrimtarëve “Oeneum”, “Pranvera poetike tetovare”.

Po kjo Shoqatë ishte dhe organizatore e këtij Festivali, të cilin e mbështetën pjesërisht Ministria e Kulturës e Maqedonisë dhe Bashkia e Tetovës, kurse sponzor gjeneral i Festivalit ishte restorant ARBRI, me pronar Xhelal Idrizin.

Shtatë shtete të Ballalkanit morën pjesë në këtë Festival poezie: Shqipëria, Kosova, Bullgaria, Turqia, Greqia, Bosnja, Mali i Zi, Kosova Lindore ( Serbia) si dhe nikoqiri, Maqedonia.

Nga Kosova, në këtë Festival ballkanik të Poezisë ishin ftuar dhe morën pjesë, Flora Brovina (LSHK), Sabit Rrustemi ( Ars Clubi “Beqir Musliu”) dhe Shefqete Gosalci bashkë dhe me Bilall Maliqin nga Kosova Lindore.

Poetët mysafirë, fillimisht u pritën nga nikoqiri në hapësirat e hotel TIVOLIT, ndërsa zyrtarisht Festivali ballkanik i Poezisë “Pranvera poetike tetovare”, u hap në ambientet e restorant ARBRIT, në qendër të Tetovës nga kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve “Oeneum”, prof. dr. Zejnepe Alili – Rexhepi, poete dhe studiuese e letërsisë..

Më pas, përmes “Magjisë së Fjalës”, Të cilën e moderoi poetja Nita Behluli, mbi tridhjetë poetë u njohën dhe u paraqitën përmes vargjesh .

Ditën e dytë të Festivalit, në ambientet e Shtëpisë së Kulturës në Tetovë, u përuruan dy libra poetikë, të botuar kohë më parë, libri i poetit mërgimtar, Hasan Qyqalla, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve të Mërgatës, “Në ëndrra digjet nata”, për të cilin foli, prof dr. Zejnepe Alili Rexhepi dhe, vëllimi i tretë poetik i poetes tetovare, Behare Shabani – Neziri, “Odeoni i shpirtit tim”, për të cilin foli recensenti, Selman Iljazi.

Pas një shetitje nëpër disa pika kryesore të trashëgimisë kulturore të këtij qyteti rrëzë maleve të Sharrit dhe një pushimi në një nga lokalet e shumta tetovare (Shend e verë ), në sallën solemne të Fakultetit të Arteve në Tetovë, u mbajt pika qendrore e festivalit ” Ora e Oeneumit”, nën moderimin e poeyes Vjollca Berisha, ku me krijimet e tyre të reja, u paraqitën afro dyzet poetë .

Poezitë u lexuan në gjuhët e poetëve pjesmarrës, ndërsa u lexuan dhe në gjuhën angleze nga ana e Poetes Nita Behluli dhe Besarta Ramadanit.

Një Juri letrare, në përbërje Ejup Hajdini, Vjollca Berisha si dhe Salajdin Salihu, me Çmimin e dytënderoi poetin bullga, Vlladimir Levçev. ndërsa me Çmimin e parë, poetetn nga Kosova, Flora Brovinën.

Çmimi special i Festivalit, si çmim kryesor, i takoi poetit nga Shqipëria, Agim Matos.

Me plaketa u nderuan edhe kryetari i parë i kësaj Shoqate, organizatore e këtij Festivali që mëton të jetë i përvitshëm, Ejup Hajdini si dhe pronari i restorant ARBRIT, Xhelal Idrizi.

Me pika të shkëlqyera muzikore, Festivalin e freskoi, violinisti tejet i talentuar, Shkëlzen Pajaziti. Kurse me deklamime poetike ishin përzgjedhur dy studente nga Fakulteti Filologjik i Universitetit të Tetovës, Besarta Ramadani dhe Bjondina Vejseli.

Në përgjithësi, Festivali i parë ballkanik i Poezisë, me nikoqirin tashmë të përhershëm, Shoqatën e Shkrimtarëve “Oeneum”, e cila nënshkroi gjashtë Marrëveshje bashkëpunimi me simotra të ngjashme nga shtetet e Ballkanit, u shqua për organizim tejet të mirë dhe, veçmas me një mikpritje të rrallë, ashtu siç e kanë traditë shqiptarët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button