Topalli “shpërthen” kundër Bashës

Ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli komentoi sot shumë ashpër zhvillimet në Partinë Demokratike.

Ajo, së bashku me Arben Imamin, në këtë moment janë duke shpallur një lëvizje të re politike në Partinë Demokratike. Konferencën, Topalli e parapriu me një moment kur thotë se “prej 26 Majit, edhe zyrtarisht, kjo nuk është më Partia Demokratike e Dhjetorit 1990”.

“Jo pse mungoj unë në listën e deputetëve, por sepse shpirti i Partisë Demokratike është zëvendësuar me llogarinë e ftohtë të Republikës së Re”, shkruan Topalli.

Më tej, thotë se e di se ata pak demokratë që kanë mbetur dhe që numërohen me gishtat e njërës dorë janë edhe më zemërthyer se ajo, sepse do të bëjnë fushatë për diçka që nuk e besojnë, që nuk është e tyrja: për Republikën e Re të Lulzim Bashës. Topalli thotë se e ka ditur që në fillim se Lulzim Basha po zhbënte Partinë Demokratike, se ai kurrë nuk ka luftuar për asnjë fitore të Partisë Demokratike dhe se e vetmja axhendë e tij ka qenë ajo personale. Topalli shpjegon ngjarjet dhe thotë se shumë demokratë “që u
merzitën me mua kur i kërkova Lulzim Bashës të mos bojkotojë zgjedhjet”.

Ajo thotë se e dinte që Lulzim Basha po e përdorte shpirtin e demokratëve, revoltën e tyre kundër Edi Ramës, për të mbyllur pazaret e veta politike me Edi Ramën. Dhe ashtu u bë! Kauza për zgjedhjet e lira e të ndershme u verifikua si një kauzë e rreme e Lulzim Bashës.

“I rremë” është fjala që e përshkruan më mirë kryetarin e Republikës së Re, sipas Topallit. I rremë, thotë Topalli, për premtimin e madh dhe të pambajtur për ringritjen e Partisë Demokratike, që u shndërrua në një grusht njerëzish servilë të kryetarit apo klientë të familjes së tij. Ish-nënkryetarja e PD-së thotë se “nga dita që u vu në krye të PD-së, Lulzim Basha nuk i konsideroi kurrë anëtarët e thjeshtë si aksionerë të PD-së, por e përdori logon e opozitës si ndërmarrje private biznesi me aksionerë familjarë”.

Të rremë e quan ajo edhe për premtimin e madh dhe të pambajtur se do të bashkonte dhe ribashkonte PD-në për të forcuar shtyllën kurrizore të PD-së, që përfundoi në një karrike me rrota, të cilën e shtyn herë me Ramën, herë me Metën, por asnjëherë me demokratët.

Të rremë e quan edhe për premtimin e madh dhe të pambajtur se PD-ja do të jetë gardiane e pakompromistë e interesit publik. Ajo thotë se “me përjashtim të dy viteve të fundit, Lulzim Basha, kreu i Republikës së Re, ka qëndruar 11 vjet në majat e pushtetit, 4 prej të cilave në krye të Bashkisë së Tiranës, ku nuk la asnjë gjurmë në favor të interesit publik. Përkundrazi! Modelin klientelist familjar e bëri model të drejtimit dhe vendimarrjes në Partinë Demokratike. I rremë edhe për premtimin më të madh të jetës 2-vjeçare në opozitë, atë të Republikes së Re pa oligarkë, të cilët Lulzim Basha ditën i mallkon, ndërsa natën darkon familjarisht në vilat e tyre luksoze”.

Më e rënda, thotë Topalli, është se për Lulzim Bashën nuk është problem as fakti se PD-ja rrezikon më të keqen! Atij i mjafton që të jetë në krye dhe të mbajë logon e vulën e PD-së. “Do të isha edhe unë si Kryetari i Republikës së Re, e rreme, po të thosha se nuk do të doja të isha në Parlament. Por, fatmirësisht, nuk jam e rreme”, shkruan Topalli.

Ajo thotë se do të donte të ishte në Parlament në listën e PD-së dhe jo në listën “Basha”. Topalli thotë se Lulzim Basha nuk ndryshon nga Edi Rama dhe as Republika e tij e Re nuk ka ndonjë ndryshim nga “Rilindja”.

Topalli lajmëron se do të qëndrojë në politikë, nga jashtë Parlamentit, ku thotë se do të ngrihet kundër çdo padrejtësie dhe çdo akti korruptiv, që ushqen shqiptarët me bindjen se ky vend nuk bëhet.

“Unë besoj se Shqipëria mund të bëhet me politikanë të pakorruptuar, me autoritet dhe integritet të lartë moral. Çdo gjë varet nga shqiptarët. Tani është koha”, thotë Topalli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button