MIRËVETIA SHESHORE

Kështu do të quhej vepra Etika Publike (Logos-A, 2017) para më shumë se 130 vitesh, në kohën e Jani Vretos. Rilindasit mes tjerash kanë shënuar relevancën e shkronjëtores (gramatika), dheshkronës (gjeografia), arifmetikës, bujqësisë, këndonjëtores e të tjera, duke i kushtuar vend të veçantë mirëvetisë (mësimeve morale). Kjo e fundit ndërlidhet me etikën, për të cilën Moore në veprën e tij Principia Ethica (1903) thotë se nënkupton hetimin apo shqyrtimin e përgjithshëm të së mirës. Sipas Phaneuf (2009) etika ka të bëjë me vendosjen e njeriut në qendër të përkujdesjes tonë dhe me përpjekjen për të vepruar për të mirën më të madhe në favor të tij, kurse sipas Høie (2012), me arritjen e diturisë, zgjedhjen e veprimeve që janë të dobishme, të pranueshme dhe të qëndrueshme në një afat të gjatë. Fjalori i Oksfordit (2010) e përkufizon etikën si mënyrë e studimit të rregullave të sjelljes, të moralitetit që na bën të aftë të marrim vendime në rastet kur ballafaqohemi me dilema morale. Etika është degë e dijes që merret me parimet morale, është filozofi morale që përfshin sistematizimin, ruajtjen dhe rekomandimin e koncepteve të sjelljes së mirë, është disiplinë që ndërlidhet me kulturën, edukatën, me sjelljen konform normave me prejardhje qiellore, shoqërore apo nga arsyeja humane. Etika merret me çështjet në vijim: si të jetojmë një jetë mirë, cilat janë të drejtat dhe përgjegjësitë tona, ç’është gjuha e të drejtës dhe të së gabuarës, ç’janë vendimet morale – çka është e mirë dhe çka është e keqe e të ngjashme.
Etika publike apo Etika në administratën publike siç e kishim emërtuar këtë vepër në fillim paraqet një tekst nevoje për kohën gjegjëse, një përmbledhje artikujsh të lëmës të vjela me kujdes konform plan-programit të drejtimit studimor administrim publik, të përkthyera nga disa gjuhë dhe të sistemuara në një tërësi për studentët në vitet e para të karrierës sonë akademike dhe të funksionimit të Universitetit të Europës Juglindore (2002-2005), botim ky që më pas do të kërkohet edhe nga qarqet akademike në Shqipëri dhe Kosovë. Vepra në fjalë trajton një subjekt jashtëzakonisht aktual për kohën në të cilën jetojmë, madje edhe globalisht, etikën, të kryqëzuar me çështjet e administrimit publik, si disiplinë akademike që studion implementimin e politikave qeveritare dhe përgatit nëpunës civilë që do punojnë në shërbimin publik, të kësaj sfere që nënkupton gamën e aktiviteteve që kanë të bëjnë me interesin e përgjithshëm, me rendin publik, me tregun e shërbimeve publike, me funksionin publik, me interaksionin mes qeverisë dhe shoqërisë civile, mes sektorit publik dhe qytetarëve, me politikat publike, sektor që përfaqësohet nga nëpunës që gjithnjë duhet të kenë parasysh ndershmërinë, paanësinë, efikasitetin, dhe para së gjithash, interesin publik.
Një ndër objektivat kyç të këtij libri është ndryshimi i kulturës sonë të rrafshit publik, gjenerimi i një etike në shërbimin publik për shekullin dhe mijëvjeçarin e ri (Chapman, 2000), afirmimi i kodit të etikës, shtytja e estetikës së veprimeve, avancimi i bontonit dhe etikës profesionale, i mirësjelljes së nëpunësve civilë, përgatitja e një brezi të ri të administratorëve që janë të vetëdijshëm për detyrat dhe përgjegjësinë, të ndërgjegjshëm se bartin mbi supe misionin për forcimin e besimit mes shtetit dhe qytetarëve. Pra, profili që synon të ndërtojë ky tekst si në aspektin teorik, ashtu edhe në atë praktik është ai i nëpunësit, i administratorit që e lufton korrupsionin dhe të gjitha antivlerat sociale, që iu shmanget konflikteve të interesit, që nuk e shfrytëzon pozitën për qëllime private, që i njeh teoritë etike klasike dhe moderne, që i lexon kthjelltas dilemat kontekstuale etike dhe që ndërmerr aksione për t’i zgjidhur problemet e shfaqura në vendin e punës dhe në shoqëri, që krijon klimë pozitive në ambjentet ku punon dhe graviton, që është i gatshëm në çdo çast të japë llogari, që monitoron dhe vetëmonitorohet, që evaluon dhe vetëevaluohet, që në saje të menaxhimit etik krijon një imazh pozitiv për institucionin, që me performancat e veta si në administratën qendrore ashtu edhe në atë lokale e rrit besimin te shteti dhe te përfaqësuesit e tij, që vepron në përputhje me të drejtën, me eprorët, me profesionin e tij dhe me shoqërinë qytetare (Larsen, 2000), që me vepra e eliminon animozitetin që qytetarët ndjejnë ndaj sporteleve, zyrave dhe administratës.
Etika publike përmban gjithsej tre kapituj, (I) morali dhe etika, (II) administrata publike dhe etika, (III) etika, urtësia shpirëtrore dhe globalizmi, ku trajtohen teoritë etike, zhvillimi i mendimit të etikës ndër shekuj, nga Sokrati deri te Weber e Luhmann, relativizmi etik, çështja e relacionit mes religjionit dhe moralit, dhjetë detyrat për të cilat flasin Waldo dhe Hennigan (1999), ndaj kushtetutës, profesionit, ndaj mirëqenies së përgjithshme, deri te ato ndaj botës dhe Zotit, etika e virtyteve, urtësia shpirtërore, ku zbërthehet etika personale dhe ajo e rolit, etika profesionale, që pasqyron specifikat e moralit, marrëdhëniet dhe sjelljen personale në kuadër të aktiviteteve profesionale, cilësitë etike që janë të domosdoshme për nëpunësit publikë, në saje të të cilave jetësohen vlerat kushtetuese si liria, e drejta shoqërore, mundësitë e njëjta dhe të drejtat e njeriut.
Elementet e mësipërme, dhe më shumë, gjenden brenda faqeve të këtij libri, të kësaj krestomacie të konsumuar qëmoti si produkt tregu, që pas dymbëdhjetë viteve, vjen me disa ndryshime, me disa tekste të reja që i japin një ngjyrim tjetërfare këtij publikimi të nxjerrë sërish përpara lexuesit, studentëve, botës akademike, me shpresë që t’i ndhihmojë kategorisë që merret me diadën etika-administrimi publik, por edhe më gjerë, eticienëve, sociologëve, filozofëve etj.
Falënderojmë botuesin, një shkollë kjo sui generis e afirmimit të mendimit të lirë dhe shkencës, , miqtë nga të gjitha anët që na kanë mbështetur dhe inkurajuar që ta ribotojmë këtë punim, studentët që e kanë “lëvruar” atë brenda viteve, si dhe lexuesit dhe shkollarët që i janë referuar atij në shkrimet, teza dhe publikimet e tyre të ndryshme. Të gjitha kritikat konstruktive janë të mirëseardhura, të njëjtat i kuptojmë si kontribut altruizmi shkencor dhe kulturor! Shpresa jonë ka qenë dhe është që kjo përmbledhje të lexohet jo vetëm nën trysninë e provimeve universitare, por edhe për të dhënë provime të jetës, të ndihmojë në përgatitjen e personave me vlera, qytetarë dhe njerëz të mirë e të dobishëm gjithandej e për gjithkë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button