Paditja ndaj Bogoevskit, Ahmeti dhe Xhaferi nuk paraqiten në Gjykatë
Gjykatësi i Gjykatës Themelore Shkupi 2 shtyu edhe sot seancën për fyerje dhe shpifje e cila udhëhiqet kundër drejtorit të mëhershëm të Shërbimit Sekret Shtetëror, Sllobodan Bogoevski, i cili paditet prej liderit të BDI-së, Ali Ahmeti dhe bashkëpartiakut të tij, Musa Xhaferit, njofton Portalb.mk.
Paditësit sot nuk u paraqitën në seancë gjyqësore.
Ahmeti dhe Xhaferi kanë paditur ish-agjentin Boegoevski për shpifje gjatë dëshmisë në Gjykatën e New York-ut për rastin “Magjar Telekom”.
Bogoevski gjatë dëshmisë para Gjykatës Amerikane ka thënë se në Maqedoni janë dërguar 7.5 milionë euro me automjet zyrtar për ryshfet të tre politikanëve, ish-kryeministrin Vllado Buçkovski, lideri i BDI-së Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi.
Gjykata në seancën e kaluar ka pranuar që për dëshmitarë të thërrasë avokaten Biljana Panova, noterin Sasho Klisarovski dhe përkthyesen të cilës iu është dhënë vërtetësia e deklaratës e cila ka qenë e shfrytëzuar për nevojat e procedurës hetimore në SHBA, nga këtu, Ahmeti dhe Xhaferi do të tregojnë se deklarata është dhënë në Shkup dhe për këtë kompetente është Gjykata në Shkup, e jo në hapësirën e Ambasadës së Amerikës në Shkup.
Si dëmshpërblim për këto procedura Ahmeti ka kërkuar 3 milionë denarë, kurse Xhaferi 2.5 milionë denarë.