Hashashi dhe zgjedhjet, Demiraj tregon prioritetet

Në ditën e dytë të detyrës, ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj zhvilloi një takim me drejtuesit e Policisë së Shtetit, ku prezantoi prioritetet e mandatit të tij.

Sipas marrëveshjes Rama-Basha, ai nuk duhet të prononcohet për mediat, por zyra e shtypit zbardhi fjalën e tij.

Demiraj ka kërkuar mospërfshirjen e Policisë në aktivitetet e partive politike dhe gjatë fushatës zgjedhore, duke paralajmëruar edhe penalizime, transmeton Top Channel.

“Shpërdorimi i autoritetit policor për të influencuar në mbështetjen e një partie politike është vepër penale dhe dënohet me burgim”, shprehet ministri Demiraj.

Demiraj gjithashtu ka kërkuar edhe vijimin e luftës kundër kanabisit.

“Kontrolli i territorit është detyrë që çdo individ me uniformë policore duhet të angazhohet maksimalisht. Çdo tolerim ndaj këtij fenomeni do të penalizohet rreptësisht. I gjithë zinxhiri drejtues i Policisë së Shtetit do të mbajë përgjegjësi sipas përcaktimeve të ligjit”, thotë ministri i Brendshëm Dritan Demiraj.

Ministri është ndalur edhe te rendi gjatë sezonit turistik duke kërkuar angazhim maksimal nga Policia e Shtetit për qetësinë publike dhe një përqendrim të veçantë në drejtim të parandalimit të aksidenteve dhe përmirësimit të qarkullimit rrugor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button