Festivali i gjashtë i filmit “Watch out” në Tetovë

Edicioni i gjashtë i festivalit ndërkombëtar të filmit “Watch out” prej sot e deri të premten do të mbahet në Tetovë. Gjatë katër ditëve të festivalit do të shfaqen 42 filma nga zhanre të ndryshme: eksperimental, dokumentar, të animuar dhe filma të shkurtë artistik.

Festivali ndërkombëtar i filmit “Waatch out” është në organizim të Qendrës për bashkëpunim ballkanik “Loja” nga Tetova në bashkëpunim me Institutin Gete nga Shkupi, ndërkaq i mbështetur nga USAID përmes projektit “Transformers”.

Hapja solemne është caktuar për në orën 20:00 në Muzeun e partisë komuniste në Tetovë – Shtëpia e Jovanovëve në lagjen e Tetovës Dy vidhat. Nëse mundësitë e motit nuk lejojnë, projeksionet e filmave do të mbahen në hapësirat e Qenbdrës për bashkëpunim ballkanik “Loja” në Tetovë.

“‘Watch out’ prej vitit në vit po rritet, ndërkaq dëshmi për këtë është që sivjet kishim marrë 292 filma nga 92 shtete nga të gjithë pesë kontinentet. Ajo që është më me rëndësi, në filmat e arritur ka shumë shtëpi të njohura produksioni dhe autorë të cilët kanë marrë pjesë edhe në festivale të tjera të filmit çdokund në botë, kështu që për ta Tetova bëhet pikë interesi”, deklaroi Bujar Luma nga “Loja”.

Skip Blimberg nga projekti “Transformers” theksoi se është këtu që ta vëzhgojë punën dhe të japë këshillë rreth video produksionit.

“Para dy viteve mora pjesë në këtë festival me veprën time. Dhe konsideroj se ‘Watch out’ lë shenjë në industrinë filmike çdokund në botë”, tha Blimberg.

Nga të gjithë filmat e arritur, së pari është bërë selektimi, e më pas juria profesionale në përbërje të Luran Ahmetit dhe Oliver Musoviq nga Maqedonia, Klara Overnik nga Gjermania dhe Matje Mijeleshko nga Polonia, të zgjedhin 42 filma prej të cilëve tashmë janë shpallur fituesit.

Në kategorinë e filmit të shkurtë, ai është “Nini” nga David Moreno nga Spanja, tek seksioni dokumentar fitues është “Bemo Pintar” i Meidi Ada nga Indonezia, ndërsa tek filmat e animuar, si më i mir është shpallur “Fëmija” nga Mona A. Shahi nga Irani. Në filmat dokumentar, ai është “Prapa kujtimeve nga shteti i humbur” i Ema Zukoviq, e cila ka prejardhje nga Maqedonia ndërkaq këtu merr pjesë si përfaqësuese e Irlandës.

Organizuesit paralajmëruan se ajo ndoshta do të marrë pjesë në festival si edhe David Moreno nga Spanja, prëderisa prëfaqësuesit nga Indonezia dhe Irani, për shkak të procedurës afatgjate për marrje të vizës hyrëse në Maqedoni do të ftohen në edicionin e ardhshëm të festivalit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button