“Atentatet” e dështuara të Telma, MCMS dhe M-Prospekt ndaj opozitës së re shqiptare

Para zgjedhjeve kjo treshe parashihte 14 deputetë për BDI-në; ajo tentoi të ju dërgojë sinjal shqiptarëve që të mos “përçajnë votën” dhe mos votojnë partitë e reja

Pasqyrë e rrejshme politike. Çfarë ndodh në skenën politike në Maqedoni pas ngjarjeve të 27 prillit? Si duket sulmi në Parlament ka rritur rejtingun e VMRO-së dhe LSDM-së, por tani LSDM po rritet te maqedonasit dhe bie tek shqiptarët. Me sakrificën e Zijadin Selës në parlament rejtingu i BDI-së është rritur 250%, ndërsa rejtingu i Aleancës ka stagnuar! Stagnim shënon edhe Besa, ndërsa votuesit e PDSH-së po e braktisin partinë dhe aderojnë me të madhe tek BDI-ja! Përveç tyre BDI po mbledh edhe shqiptarët e LSDM dhe ata të papërcaktuar.

Nëse ky përshkrim ju duket qesharak, nuk jeni të vetëm. Dua t’iu siguroj se kështu nuk mendon asnjë njohës i rrethanave politike, përpos një tresheje të famshme të përbërë nga televizioni Telma, Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (e njohur si MCMS) dhe agjensioni M-Prospekt, që thanë pikërisht këtë gjë në një anketë të publikuar javën e kaluar. Për fat të mirë kësaj treshe nuk kemi pse t’i besojmë fare, sepse në zgjedhjet e kaluara doli anketues tejet i dobët. Dështim total sidomos shënoi te blloku shqiptar, siç do të shohim më poshtë.

Renditja. Sa e dobët ka qenë anketa e treshes para zgjedhjeve tregon fakti që ajo nuk ka qëlluar as renditjen e partive shqiptare. Sipas saj e para do të dilte BDI, e dyta PDSH, pastaj Besa dhe në fund Aleanca. Një renditje të këtillë nuk kanë pritur as njerëzit në çarshi, lere më ata që sadopak i njohin rrethanat politike te shqiptarët. Të prognozosh gabimisht renditjen, madje duke i dhënë vendin e dytë partisë që doli e fundit, është huqje e turpshme për cilindo anketues. Një huqje të tillë nuk ka bërë askush tjetër, madje as Pavel Shatev. Nëse jo Aleancën, të gjithë të paktën nxirrnin Besën para PDSH-së.

Deputetët. Në anketën para zgjedhjeve treshja Telma-MCMS-M Prospekt shënoi një tjetër autogol pasi dha rejtingjet e partive nëpër njësi zgjedhore, edhepse kishte anketuar vetëm 300 persona për njësi. Por autogoli i këtillë është problem i saj; pasi veçmë dha një prognozë të tillë, ne kemi të drejtë të gjykojmë saktësinë e saj.

Në kampin shqiptar anketa e treshes prognozonte 14 deputetë për BDI, nga 5 për PDSH dhe Besën dhe 1 për Aleancën. Në realitet huqja është edhe më e madhe. Anketa nuk i jepte shans Besës te zona 1, as Aleancës te zona 5. PDSH dhe Besa merrnin nga katër deputetë të gjashtësha; aty edhe Aleanca fitonte deputetin e vetëm. BDI merrte deputet ngado, për të arritur 14 në total. Mua më vjen mirë që gjatë prognozave të mia parazgjedhore në Portalb fare nuk morra parasysh këtë anketë të kësaj treshe, ndryshe do kisha gabuar njëlloj si ata.

Anketa në numra. Për të parë saktësinë e anketës së atëhershme, më mirë është t’a shohim të krahasuar me rezultatet reale. Në tabela nuk përfshij diasporën, sepse prognozat për diasporën edhe ashtu bien në kategorinë fantazi-shkencore.

Anketa Dhjetor2016 Rezultatet 2016 Gabimi
VMRO 23.3% 25.5% -2.2%
LSDM 19.4% 24.7% -5.3%
BDI 6.6% 4.9% +1.7%
Besa 2.7% 3.3% -0.6%
Aleanca 1.9% 2.0% -0.1%
PDSH 3.3% 1.8% +1.5%
Tjerë 4.7% 2.9% +1.8%

 

Shihet qartë se anketa ka fryrë numrat e BDI-së dhe PDSH-së. Që atëherë mesazhi i anketës drejtuar shqiptarëve ishte i qartë. Ai ishte plotësisht në vijë me retorikën e BDI-së: mos votoni “partitë e vogla”, sepse votat do të digjen. Mesazh ky i përforcuar me prognozën njësi për njësi.

Anketa pa të papërcaktuarit. Çdo anketë përmban një numër njerëzish që thonë se janë të papërcaktuar ose që nuk do dalin në zgjedhje. Pasi kjo shton mundësinë e gabimit, zakonisht është më korrekte që të merren parasysh vetëm të deklaruarit në anketë dhe të krahasohen me përqindjen e atyre që dalin të votojnë, pa ata që abstenojnë. Ja si duket anketa e treshes në këtë variant:

Anketa Dhjetor2016 Rezultatet 2016 Gabimi
VMRO 37.6% 38.0% -0.3%
LSDM 31.3% 36.8% -5.4%
BDI 10.7% 7.3% +3.4%
Besa 4.4% 4.9% -0.5%
Aleanca 3.1% 3.0% +0.1%
PDSH 5.3% 2.6% 2.7%
Tjerë 7.6% 4.4% 3.2%

 

Pra edhe nëse eliminojmë faktorin “të papërcaktuar” dhe ata që nuk dalin në zgjedhje, anketa ngelet me problemet e njëjta –favorizim i skajshëm i BDI-së. Madje kështu gabimi është edhe më i theksuar.

Margjinat e gabimit. Çdo anketë është operacion statistikor andaj detyrimisht ka margjina gabimi. Por këto “margjina gabimi”, si dhe prezenca e “të papërcaktuarve”, gjithnjë e më tepër janë bërë alibi e anketuesve që dështojnë në prognoza. Të ballafaquar me dështim, ata si papagallë reterojnë “dallimi është brenda margjinave të gabimit”, ose “kishim kaq përqind të papërcaktuar dhe ata kanë votuar në këtë apo atë anë”. Këto argumente kanë dy mangësi.

Së pari margjinat e gabimit duhet të jenë distribucion normal me mesatare 0. Këtë e pranojnë edhe anketuesit kur thonë “margjina e gabimit është +- 3”. Mirëpo nëse gabimi në mënyrë konsistente tërheq nga plusi për njërën anë dhe nga minusi për anën tjetër, atëherë nuk bëhet më fjalë për gabim statistikor, por për gabim metodologjik ose për anim të hapur. Kjo i ndodh treshes Telma-MCMS-M Prospekt. Gabim apo tendencë, pak rëndësi ka. Me rëndësi është që anketa nuk është më e besueshme.

Sa u përket të papërcaktuarve, një anketues i mirë duhet të dijë t’i trajtojë edhe ata si duhet. Nëse Rejting thotë se dallimi VMRO-LSDM është 1%, treshja thotë 4% dhe Pavel Shatev thotë 11% me 15% të papërcaktuar, kjo nuk do të thotë se të tre anketat janë njëlloj të sakta vetëm pse Pavel Shatevin e kanë ngatërruar të papërcaktuarit. E drejtë është të thuhet se Rejting ka qenë më i sakti dhe Pavel Shatev më i pasakti.

Tendenca kundër opozitës së re shqiptare. Nga anketa mund të duket se treshja nuk ka dëmtuar aq opozitën e re shqiptare sa ka favorizuar BDI-në, por në esencë kjo është e njëjta gjë. Anketa doli gjashtë ditë para zgjedhjeve, duke pretenduar se BDI është dominuese absolute te shqiptarët, madje se opozita nuk ka gjasa në zonat 1,2 dhe 5. Për BDI-në anketa në atë moment erdhi si e porositur. Atëbotë ajo bënte fushatë të egër kundër oponentëve duke pretenduar se shqiptarëve ju duhen vetëm dy parti dhe se vota për opozitën e re ishte votë e djegur. Kjo anketë e gabuar ju dha edhe më tepër krahë këtyre argumenteve të mbrapshta, saqë s’kemi si t’a quajmë ndryshe përpos tentim për “atentat” politik ndaj opozitës së re.

Në zgjedhje votuesit shqiptarë e përgënjeshtruan rëndë anketën, duke e lënë BDI-në me vetëm një të tretën e votave shqiptare. Në shkurt treshja anketuese kishte marrë parasysh këtë fakt dhe e nxorri BDI-në të përgjysmuar, por javën e kaluar ja ka rritur përsëri rejtingun, madje duke e treguar edhe më të fortë se para zgjedhjeve.

Këto variacione të shpeshta, si dhe gabimi i madh i njëanshëm para zgjedhjeve, lënë hapësirë për dyshime serioze te rezultatet e kësaj treshe anketuese te blloku politik shqiptar. Këtu ka dy mundësi: ose ata favorizojnë qëllimisht njërën parti në dëm të partive të reja shqiptare duke lëshuar sinjale politike, ose fare nuk dijnë të masin rejtingje. Nëse është e para, atëherë treshja bën mirë të maskojë pak më mirë animin e saj, në vend se të edukojë anketuesit tjerë siç bëri në emisionin e fundit. Ndërsa nëse vërtetë nuk din të bëjë anketa, atëherë mund të drejtohet për leksione te Agjensioni Rejting për elektoratin maqedonas dhe te Instituti për Hulumtimin e Politikave dhe Qeverisje të Mirë (IHPQM) për elektoratin shqiptar. Shqiptarët nuk i hanë më “atentatet” e këtilla dhe realitetin politik fiktiv që ata mundohen t’a krijojnë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button