Keqpërdorimi partiak i rezistencës demokratike në Maqedoni

Dukuria e përdorimit të bojkotit në vendet e Ballkanit veçse po shkon duke u shpeshtuar. Kjo metodë demokratike e rezistencës çdo herë e më shumë po bën vend në skenën politike duke mos e përjashtuar edhe Maqedoninë. Nëse VMRO-DPMNE si që bojkotoi Xhaferin fillon të bojkotoje dhe punën e Qeverisë së re, kjo do të thotë që Maqedonia sërish do të mbetet në krizë politike.

Njohësit e çështjeve politike thonë për Portalb.mk se bojkoti është formë demokratike e të vepruarit, mirëpo gjithashtu thonë se ekziston mundësia që kjo të keqpërdorët dhe të humb çdo vlerë demokratike.

Analisti Alajdin Demiri thotë për Portalb.mk se pse bojkoti nuk përdoret shpesh, mirëpo në rajonin tonë është mjet më i shpeshtë, ai është i arsyeshëm për arsye se edhe pozita, mazhoranca apo thënë shkurt pushteti në këto vise është i egër dhe është arrogant që nuk përfillin opozitën.

“Bojkoti si instrument politik është një ndër instrumentet e demokracisë i cili është shumë valid dhe shumë në rregull për demokracinë, mirëpo bojkoti është i mirë kur pozita është arrogante, kur kërkesat e atij që bojkoton (në princip, gjithmonë bojkoton opozita) janë reale dhe kanë qëllim konkret. Edhe pse bojkoti nuk përdoret shpesh, mirëpo në rajonin tonë është mjet më i shpeshtë, ai është i arsyeshëm për arsye se edhe pozita, mazhoranca apo thënë shkurt pushteti në këto vise është i egër dhe është arrogant që nuk përfillin opozitën. Kërkesat për bojkot janë legjitime dhe në të shumtën e rasteve japin rezultate, kështu ishte në Maqedoni, bojkoti LSDM-së i solli zgjedhjet e parakohshme, kështu po ndodh tani edhe në Shqipëri dhe Kosovë, që do të thotë se bojkoti është mjet i rëndësishëm në princip i opozitës si metodë politike i veprimit. Bojkoti është legjitim dhe demokratik, ashtu siç janë edhe protestat”, tha për Portalb, Demiri.

Ai shtoi se edhe pse shanset janë të vogla, megjithatë nuk përjashtohet mundësia që bojkoti edhe të keqpërdoret.

“Mirëpo ashtu siç keqpërdoret shteti, ashtu edhe bojkoti mund të keqpërdoret, por mundësitë që kjo të ndodh janë shumë të vogla ngase nuk mund të bojkotohet për çështje terciare, sekondare dhe të paarsyeshme. Bojkoti është instrumenti i fundit të cilin ata që bojkotojnë e përdorin kur nuk arrijnë në metoda tjera rezultat për qëllimet e tyre”, shtoi Demili.

Gjithashtu edhe profesoresha universitare Lura Pollozhani për Portalb.mk thotë se në Ballkan, bojkoti po fiton popullaritet në vitet e fundit, sidomos në metodën e bojkotimit të parlamentit.

“Bojkoti si metodë e rezistencës apo si mënyrë për të kundërshtuar pushtetin ka lindur shumë heret, si rast më i veçantë është bojkoti i çajit që ishte një ndër veprat e para të rezistencës që rezultoi më vonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bojkoti merret si metodë më e qetë e rezistencës, dhe preferohet kundrejt metodave të dhunshme. Në Ballkan, bojkoti po fiton popullaritet në vitet e fundit, sidomos në metodën e bojkotimit të parlamentit. Nga njëra anë kjo metodë mund të jetë mënyrë demokratike e rezistencës kundrejt padrejtësisë ose ndonjë ngjarjeje, si psh në Maqedoni mbas ngjarjeve të dhjetorit në 2014. Por, si çdo metodë e rezistencës dhe e lëvizjeve sociale ose protestave, edhe bojkoti s’do të thotë që gjithmonë përdoret për arsye demokratike, ose për arsye legjitime”, tha për Portalb, Pollozhani.

Ajo shton se tani është koha që të mësohen mënyra tjera të rezistencës.

“Përdorimi i bojkotit në Ballkan nuk është gjë e keqe në vete, është mirë që mësojmë metoda të reja të rezistencës, por mungesa e llogaridhënies dhe e përdorimit të kësaj metode kryesisht nga parti politike e bëjnë bojkotin shpesh si metodë të peng-marrjes të demokracisë, dhe si i këtillë bojkoti bëhet i rrezikshëm”, shtoi Pollozhani./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button