Familja Zekiri në zor të madh nga sulmet e maqedonasve

Familja Zekiri e cila jeton në lagjen Radishani e cila është e banuar kryesisht me maqedonas, nuk mund të flen e qetë shkaku i sulmeve të njëpasnjëshme që po iu bëhen. Portalb vizitoi këtë familje në shtëpinë e saj e cila ka pësuar trauma gjatë viteve deri në atë shkallë sa që as para aparatit të ekipit tonë nuk deshën të paraqiten si tërësi.

Njëri nga vëllezërit e kësaj familje, Bedri Zekiri thotë se janë në zor të madh, çdo herë që ka ndonjë aheng, lojë futbolli  apo ndonjë festë, maqedonasit e kësaj ane në gjendje të dehur i shajnë, gjuajnë gjëra në oborr si dhe tentojnë të hynë brenda.

“Në gjumë ishim, kanë pi alkool neper kafene dhe kanë ardhur te dera duke bërtit dilni jashtë, do të ju djegim do të ju kallim. Ka dal vëllai im nuk është marrë vesh, u zgjuam të gjithë kur dëgjuam të bërtiturën. Na kanë rrah, ishim para dere dhe një kerr erdhi në drejtim tonin, është gjithçka e incizuar. Kjo nuk është hera e parë. Sa herë që kanë festë, zgjedhje apo thjesht një turnir në stadium të ketë, kur të kthehen na shajnë bërtasin, gjuajnë sende. Edhe banorët tjerë shqiptar kanë probleme me maqedonasit, mirëpo neve kemi më së shumti nga vetë fakti që jetojmë në rrugën kryesore. Ka edhe një berber pak më poshtë nuk e di sa herë e kanë djegur dhe që e kanë thyer. Nuk jemi rehat. Fëmijët nuk janë këtu i kemi dërguar tek kushërinjtë sa të kalojë një kohë. Frikësohen të rrinë këtu”, tha për Portalb, Bedri Zekiri.

Ai shtoi se deri më tani i kanë vizituar disa funksionarë të BDI-së të cilët u kanë ofruar ndihmë dhe ju kanë thënë që ky rast do të zbardhet.

 “Kanë ardhur funksionar të BDI-së që na kanë vizituar dhe na kanë ofruar ndihmë. Nuk ma merr mendja që incidentet do të ndalen. Shpesh mendojmë edhe të ndryshojmë vendbanimin, kështu më nuk jetohet. Tërë natën rrimë zgjuar si me qenë në kohë të luftës, ruajmë shtëpinë dhe familjarët. Ky nuk është rasti i parë apo i dyti por tani më pesë herë na kanë sulmuar. Dy herë na kanë hedhur bombe në oborr, më pas kanë gjuajtur rreth njëzet shishe me benzinë dhe e kanë djegur, aq kishte flakë sa edhe zjarrfikësit erdhën për të na ndihmuar”, tha për Portalb, Zekiri.

Ai më së shumti fajëson Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila edhe pse ka dëshmi të shumta lidhur me këto incidente nuk ndërmerr masa.

 “Ajo që nuk na ndihmon është Ministria e Punëve të Brendshme, të gjitha rastet i kemi paraqitur dhe asnjëri nuk është zbardhur. Më për këtë të fundit kemi edhe video incizime nga kamerat e shtëpisë, po asgjë nuk bëhet sepse ata që na sulmuan ishin mu këta simpatizantët dhe aktivistët e VMRO-së të cilët kanë shtabin ngjitur me oborrin tonë”, shtoi Zekiri.

Nga ana tjetër zëdhënësja e MPB-së, Liza Bendevska bën të ditur se nga familja Zekiri vetëm një rast është paraqitur në polici.

“Deri më tani nuk është paraqitur ndonjë rast i ri nga kjo familje. Po punohet në zbardhjen e incidentit i cili ndodhi kohë më parë, kurse rast të ri nuk ka paraqitur askush”, tha Bendevska.

Familja Zekiri është një familje e qetë shqiptare, e cila merret me biznese private, por që kohëve të fundit janë bë cak i ngacmimeve dhe sulmeve të maqedonasve të kësaj ane. Ata shpresojnë që do të qetësohet gjendja, përndryshe në nuk do të mund të jetojnë në Radishani. 

Kohë më parë edhe studentët protestuan qetë para gjykatës, mu për këtë rast dhe thanë që drejtësia është e vdekur në Maqedoni. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button