Fillon Java e Filmit Turk në Maqedoni

Në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, u bë hapja e Javës së Filmit Turk në Maqedoni me shfaqjen e filmit të regjisorit turk Osman Sınav “Rrëfim i gjatë” (Uzun Hikaye), raporton Anadolu Agency (AA).

Në programin e hapjes së Javës së Filmit Turk në Maqedoni që organizohet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Turqisë dhe Shoqata Turke e Mendimit Vendas në bashkëpunim me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Institutin “Yunus Emre” dhe shumë organizata të tjera, morën pjesë Këshilltari i Presidentit të Turqisë, Yalçın Topçu, ministri pa Resor i Maqedonisë Bejxhan Iljas, ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara, deputeti i partisë turke për Zhvillim dhe Drejtësi (AKP), Metin Gündoğdu, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend, regjisorë, aktorë dhe shumë të ftuar të tjerë.

Në fjalën e tij me këtë rast, Topçu u shpreh se ndajnë të kaluar të ndershme me popujt e rajonit dhe se kulturalizmi dhe këmbimi i kulturave janë të rëndësishme për bashkimin e popujve mes vete.

“Si rrugë më efikase për këtë në ditët tona mendoj se është kinemaja. Televizionin e konsideroj diç më individuale. Sallonet e kinameve janë më ndryshe. Në këtë drejtim, dua që popujt në Maqedoni dhe ato në trojet e civilizimit tonë ta njohin gëzimin, fatin, pikëllimin dhe jetën e përditshme të popullit të Anadollit”, theksoi Topçu.

Topçu potencoi se Turqia mbështet Maqedoninë dhe popullin e saj në çdo fushë dhe se i jep rëndësi sigurisë, lirisë dhe mirëqenies së shtetit dhe popullit të Maqedonisë.

Ndërkaq, ambasadorja Kara tha se pjesëmarrja e artistëve në këtë aktivitet të bukur ka kuptim të madh për sa i përket zhvillimit të lidhjeve kulturore me Maqedoninë, siç e quajti, shtet vëllazëror.

Kara theksoi se kinematografia turke ka marrë hov viteve të fundit me numrin e filmave të prodhuar, numrin e spektatorëve të arritur në Turqi dhe botë, me cilësinë artistike dhe teknike dhe me çmimet e fituara në festivalet ndërkombëtare.

“Krahas kësaj, kinematografisë sonë i janë shtuar aktorë të rinj me vlerë, të cilët me kapacitetin dhe talentin e tyre mund të arrijnë suksese të rëndësishme në nivel botëror. Po ashtu, me kënaqësi dëshmojmë se telenovelat tona po shikohen me interesim të madh në televizione në shumë shtete të botës me në krye Ballkanin dhe Lindjen e Mesme dhe se ato janë shndërruar gati se në një markë”, shtoi ambasadorja Kara.

Ndryshe, në kuadër të Javës së Filmit Turk në Maqedoni, mes datave 10 dhe 14 maj në Kino Milenium të Shkupit shfaqen filmat “Rrëfim i gjatë” (Uzun Hikaye), “Vallëzim me çakej 4” (Çakallarla Dans 4), “Çanakkala, fundi i rrugës” (Çanakkale Yolun Sonu), “Lamtumirë Katja” (Elveda Katya) dhe “Plaga e nënës sime” (Annemin Yarası).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button