Analizë: Shtabet partiake dhe kërkesa e Xhaferit, si do t’u “zgjatet” jeta kryetarëve të komunave?

Fati i kryetarëve të komunave mbetet në kalkulimet e shtabeve partiake të partive politike të Maqedonisë. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi duhet të thërret seancë për ndryshime ligjore që do të zgjatin mandatin e komunave i cili skadon me 15 maj, por më parë duhet të merr “aminin” partiak nga mazhoranca. Xhaferi kërkoi nga ata “pajtueshmëri urgjente”, megjithatë të kontaktuar nga Portalb.mk disa nga përfaqësuesit e tyre thanë që “nuk dinë gjë” për këtë kërkesë.

Ministrja e Vetëqeverisjes Lokale, Shirete Elezi ka kërkuar nga Talat Xhaferi që të merr iniciativë për ndryshim sa më të shpejtë të ligjit për vetëqeverisje lokale dhe Kodit Zgjedhor për zgjatjen e mandatit të kryetarëve dhe këshillave komunal. Ndaj thirrjes së Elezit u përgjigj kabineti i Xhaferit duke thënë se “kërkon pajtueshmëri urgjente të të gjitha partive politike për të thirrur seancë kuvendore në të cilën do të sillet vendim për çështjen në fjalë”, shkruan Portalb.mk.

Çfarë pret Talat Xhaferi nga deputetët?

Se çfarë konkretisht kërkohet nga deputetët pas kërkesës së Talat Xhaferit drejtuar atyre, nuk sqaruan nga kabineti i tij, duke u shprehur se janë “tejet të qartë”. Nga ana tjetër, deputeti i koalicionit “Aleanca për Shqiptarët”, Vesel Memedi supozoi se tërë kjo procedurë për zgjidhjen e çështjes së komunave paraprihet nga një marrëveshje ndërpartiake.

“Kërkesa e kryetarit të Kuvendit drejtuar neve me shumë gjasë ka të bëjë që ne sa më shpejtë të mblidhemi para 15 majit për t’u vazhduar mandati që të zgjidhet çështja e komunave. Nëse Kuvendi nuk mban seancë deri para 15 majit më pas nuk do të ketë mundësi që t’i rikthehet çështjes së komunave në mënyrë retroaktive. Por fillimisht duhet partië parlamentare të dakordohen për datën e zgjedhjeve komunale që në mënyrë të përshpejtuar të mbledhet Kuvendi i cili duhet të caktojë dy komisione amë që të kalojnë nëpër komisione për sistem politik që sa më shpejtë të caktohet data dhe në të njëjtën kohë t’ju vazhdohet mandati kryetarëve dhe këshillave komunal”, tha Memedi.

Mazhoranca e Kuvendit në fraksione

Të kontaktuar nga Portalb, nga shumica parlamentare aktuale në Kuvendin e Maqedonisë bëjnë të ditur se nuk kanë marrë deri më sot çfarëdolloj iniciative sepse “për këtë vendos kryetari i Kuvendit”. Disa thonë që do të kishin votuar disa thonë që nuk kanë të drejtë e disa që do ta shqyrtojnë thirrjen e Xhaferit.

“Kur do që të jetë iniciativa për vazhdim të mandatit të kryetarëve dhe të këshillave komunal, ne si parti do ta mbështesim. Tash për tash nuk kam informacion se kur do të ketë seancë parlamentare në të cilën do diskutohet dhe do vendoset për fatin e komunave”, tha deputeti i LR-PDSH-së, Surija Rashidi

Madje, nga deputeti i Lëvizjes Besa, Afrim Gashi nuk u bë e ditur se nëse do të ndërmerrej ndonjë iniciativë e tillë, do të votohet nga ata si parti parlamentare.

“Ne si Lëvizje Besa nuk kemi ngritur një nisme të atillë. Por, nëse në Kuvend vjen një ligj mbi këtë çështje, atëherë ne do ta shqyrtojmë dhe vetëm atëherë mund të japim vlerësimin tonë komfor çështjes në fjalë”, tha Gashi.

Deputeti i Lidhjes Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), Petre Shilegov thotë që Qeveria teknike e cila mbahet peng nga VMRO-DPMNE-ja duhet ta zgjidh këtë çështje.

“Ne si deputetë dhe parti parlamentare nuk mund të ndërmarrin iniciativë për ndryshimin e ligjeve në Kuvend ngaqë kjo duhet të bëhet me propozim të Qeverisë dhe me shqyrtim të komisioneve të Parlamentit. Qeveria teknike momentale është në duart e VMRO-DPMNE-së ndërsa nga ana tjetër nuk kemi formim të komisioneve si rezultat i bojkotit institucional të të njëjtëve. Prandaj duhet të kemi kujdes që fillimisht të bëhet propozimi e më pas e njëjta të vihet në votim”, tha deputeti i Lidhjes Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), Petre Shilegov.

Por, ai sërish bëri të ditur se “si shumicë parlamentare shqyrtojmë të gjitha mundësitë për veprim në kuadër të procedurave parlamentare që të mund të bëhet një gjë e tillë pa propozim të Qeverisë”.

“Bëhet kujdes i madh që të mos shkelen ligjet dhe procedurat”, tha Shilegov.

Ndërsa, deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ejup Alimi për Portalb bëri të ditur se si shumicë parlamentare do të ndërmarrin të gjitha masat që institucionet të jenë funksionale dhe në shërbim të popullit.

“Sapo të kemi mundësi dhe kushte ne do të mbulojmë këtë vakum institucional. Unë nuk dua të flas në emrin tim personal. Si shumicë parlamentare do të ndërmarrim masa që institucionet të jenë funksionale dhe në shërbim të qytetarëve”, tha Alimi.

Edhe pse kanë ngelur vetëm dy ditë nga skadimi i mandatit komunal, sërish Alimi qëndron në atë se “ne si shumicë parlamentare do të ulemi dhe bashkërisht do ta gjejmë një zgjidhje por se kur do të ndodh kjo nuk dihet edhe pse këshillimet ndërpartiake me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferin janë në vazhdim por se pritet momenti i duhur që të bëhet një zgjidhje e duhur” por ai sërish nuk tregon se kur është “momenti i duhur”.

Përndryshe, Portalb ditë më parë analizoi ligjet në fjalë dhe u kuptua se me shfuqizimet e neneve paraprake në ligjin e vetëqeverisjes lokale dhe Kodit Zgjedhor mund të zgjidhet çështja e komunave.

Kujtojmë se ndryshimi i ligjit të vetëqeverisjes lokale dhe e Kodit Zgjedhor është zgjidhja e vetme e çështjes së komunave. Me ndryshimin e ligjit vetëm mund të zgjatet mandati i kryetarëve dhe këshillave komunal edhe për gjashtë muaj.

Ndryshe, mandatet e kryetarëve dhe këshillave komunal skadojnë deri më 14 maj sepse sipas zgjidhjeve aktuale ligjore, mandati i tyre zgjatë katër vite ndërsa zgjedhjet lokale duhet të mbahen në gjysmën e parë të muajit maj, ose me 7 ose me 14 maj. Por, meqë Kuvendi i Maqedonisë një kohët të gjatë nuk kishte kryetar i njëjti pengoi caktimin e zgjedhjeve lokale e cila bëri që të skadojë afati për shpalljen e zgjedhjeve lokale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button