Qentë endacak rrezik për njerëzit por nuk duhet helmuar

Organizatat joqeveritare që merren me mbrojtjen e kafshëve në Maqedoni, kanë ngritur zërin kundër fenomenit që gjithnjë e më shumë është i pranishëm – helmimit të qenve endacakë nëpër qytete. 
 
Ndërkaq, klinikat infektive bëjnë të ditur se vetëm brenda muajit me dhjetëra pacientë kërkojnë ndihmë si pasojë e kafshimit nga qentë endacakë, të cilët paraqesin rrezik për jetën e njeriut, meqë shumica e tyre janë të pavaksinuar.

“Të gjithë jemi të njohur me mënyrën e pamëshirshme, me të cilën trajtohen qentë e rrugës. Për të shmangur lëvizjen e tyre në qytete të ndryshme, ata helmohen, vriten me armë zjarri ose mblidhen në objekte, të cilat nuk ofrojnë kurrfarë kushtesh, për t`u bërë më pas ushqim për kafshët e egra në kopshtin zoologjik, e që është tërësisht në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e kafshëve. Mirëpo, fatkeqësisht askush nuk ndërmerr”, deklaron Cece Nikollovska, aktiviste e organizatës joqeveritare “Heronjtë e Vegjël”, që merret me mbrojtjen e kafshëve.

Ndërkohë, nga Reparti për sëmundje infektive në Shkup, bëjnë të ditur se vetëm nga kryeqendra muajin e fundit janë paraqitur mbi dhjetë raste nga kafshimi i qenve endacakë. Raste të tilla janë regjistruar edhe në qytetet e tjera të Maqedonisë.
 
Drejtori i Ndërmarrjes Higjienike Komunale nga Manastiri, Zoran Soklevski, në kuadër të të cilit institucion është dhe shërbimi për grumbullimin e qenve endacakë, thotë se grumbullimi i qenve në qendra përkatëse nuk është mënyra më e mirë për t’i larguar qentë nga rruga. Megjithatë, sipas tij, kjo është mënyra e vetme për momentin që qytetarët të ndihen të sigurt, veçanërisht në orët e vona të mbrëmjes.

“Shërbimi për mbledhjen e qenve të rrugës në një stacion të veçantë është suksesi më i madh në nivel të shtetit, kuptohet në këto qendra ka shumë hapësirë për përmirësimin e kushteve, por më duhet të theksoj se në asnjë mënyrë, ne nuk i asgjësojmë kafshët e mbledhura në rrugë”, thotë Soklevski. 
 
Nga ana tjetër, veterineri Samet Abdullahu thotë se autoritetet përkatëse çështjen e qenve endacakë duhet ta trajtojnë me një seriozitet më të madh ngase qentë e rrugës në shumë raste janë edhe bartës të sëmundjeve të ndryshme. Sipas Abdullahut, në disa raste kafshimi nga qentë endacakë, mund të jetë fatal për jetën e njeriut.

“Mua më ka ndodhur që në një lagje, e cila është në brendi të Shkupit të shoh një qen të sulmuar nga qentë e tjerë dhe sërish kur kaloj në të njëjtin vend pas gjashtë orësh shoh se askush nga organet kompetente nuk është angazhuar që ta sanojë njëjtin, që të mos e bartë ndonjë sëmundje, përderisa gjaku i tij pikonte në tokë dhe ai gjak bëhet pluhur më pas dhe ne e thithim pa vetëdije atë pluhur. Kjo është mënyra si mund të barten sëmundjet nga qentë e rrugës e për çka qytetarët janë pak të informuar”, tërheq vërejtjen veterineri Abdullahu.

Sipas tij, një problem më vete paraqesin dhe ata qytetarë që i braktisin kafshët që më herët i kanë marrë për t’u kujdesur. Këto kafshë janë më agresive, sepse nuk janë mësuar të jetojnë në kushtet e rrugës.

Lajme të ngjashme

Back to top button