Ademi: Maqedonia është në momente historike, nevojiten vendime të duhura

Me rastin e 9 Majit – Ditës së Evropës, Sekretariati për Çështje Evropiane i Qeverisë së Maqedonisë në Klubin e deputetëve në Shkup organizoi ngjarjen tradicionale “BE Mëngjes” me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së dhe përfaqësuesit e OKB-së, NATO-s dhe OSBE-së në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Zv/kryeministri për Çështje Evropiane i Qeverisë së Maqedonisë, Arbër Ademi, në adresimin e tij tha se ka një rëndësi të madhe që perspektiva e BE-së për rajonin dhe Maqedoninë nuk është e kërcënuar, por siç theksoi ai, para se të bisedohet për opsionet e ardhshme, duhet të shihet se ku jemi.

Ademi në vijim dënoi incidentin e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë, ku protestues të dhunshëm u futën brenda ndërtesës, si pasojë e së cilës mbetën të lënduar rreth 100 persona, përfshirë deputetë, pjesëtarë të policisë dhe punonjës të medias. Ai po ashtu përshëndeti zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryetar të ri të Kuvendit të Maqedonisë.

“Vendi im ndodhet në momente historike të cilat kërkojnë vendime historike, jo çdo lloj vendimi, por vendime të duhura. Është koha për të ndaluar rrethin vicioz të krizës dhe ta kthejmë atë në drejtim të kundërt. Si politikanë, është detyra jonë të marrim vendime që do të sigurojnë siguri për të gjithë qytetarët të cilët do të kthejnë koncensionin dhe do të hapin perspektivën për rreziqet me të cilat ballafaqohemi”, deklaroi Ademi.

Ademi theksoi se qeveria e re reformuese duhet të formohet sa më të shpejtë të mundur, pasi që siç tha ai, ajo qeveri do të duhet të ballafaqohet me shumë sfida të cilat duan vëmendje të plotë, njohuri dhe respektim të këshillave nga miqtë dhe partnerët e vendit në ndërtimin dhe përforcimin e kapaciteteve të institucioneve shtetërore.

Ndërkaq, ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar, në adresimin e tij tha se pas luftërave të shekullit të kaluar në kontinentin evropian, BE-ja është projekti më i suksesshëm i cili është duke mbajtur këtë kontinent në paqe qysh atëherë.

“Jetojmë në një kohë të ndryshimeve dhe sfidave. Secili prej shteteve tona anëtare, vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor si anëtarë të ardhshëm duhet të bëjnë një zgjidhje si të ballafaqohen me këto ndryshime dhe sfida, si të merren me to nga brenda dhe si të merren me to si grup, familje apo union. Në marrjen e vendimeve ne duhet të udhëhiqemi nga mësimet e historisë tonë dhe nga udhëheqësit tanë vizionarë”, deklaroi Zhbogar.

Gjatë ditës së sotme, Delegacioni i BE-së në Shkup në partneritet me shumë organizata, ambasada dhe komuna organizon mbi 30 ngjarje në mbarë vendin me anë të të cilave synon të afrojë procesin e eurointegrimeve sa më afër qytetarëve.

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button