Rama: Linjë ajrore me logo kuqezi, falë ndihmës së “Turkish Airlines”

Në qiellin shqiptar, shumë shpejt do të fluturojnë avionë me logon kuqezi. Pas takimit me shefin e gjigantit botëror, “Turkish Airlines”, kryeministri Edi Rama bëri publik një projekt të ri në fushën e transportit ajror, transmeton Top Channel.

“Për ngritjen e një linje të re ajrore shqiptare, e cila ka nisur të projektohet falë mbështetjes së posaçme të presidentit Erdogan dhe asistencës teknike të ekipit të ‘Turkish Airlines’”, tha Rama.

Rama shtoi se detajet e plota të projektit do të bëhen publike brenda 3 muajsh. Por mësohet se linja do të jetë private.

“Në bazë të vendimit të përbashkët që ka arritur presidenti Erdogan dhe kryeministri Rama, ne kemi përveshur mëngët. Ne kemi realizuar për këtë çështje disa vizita në Shqipëri dhe po punojmë për fizibilitetin e projektit”, tha Ilker Ayci, drejtor i bordit ekzekutiv të “Turkish Airlines”.

“Sot ne pamë se jemi shumë afër realizimit të këtij projekti dhe jemi shumë shpresëplotë se, në harkun e këtij viti do të nisë edhe fluturimi i parë”, deklaroi më tej Rama.

Por linja e re nuk është projekti i vetëm ajror që mban vulën e Turqisë. Pas tij vjen edhe Aeroporti i Vlorës.

“Edhe në këtë rast, me mbështetjen e presidentit Erdogan dhe falë konsorciumit të kompanive, që ndërkohë ndërtojnë dhe aeroportin e tretë të Stambollit, shumë shpejt do të paraqesim publikisht shprehjen e vullnetit për realizimin e projektit”, tha Rama.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button