Presidenti i Nigerisë takoi vajzat që liroi Boko Harami

Presidenti i Nigerisë, Muhammadu Buhari, takoi 82 vjazat e qytetit Çibok, të cilat u liruan pas tre vjetësh robëri nën ekstremistët islamikë të Boko Haramit, shkruan REL.

Fotografitë e postuara në Twitter treguan dhjetëra vajza në rezidencën e presidentit më 7 maj, një ditë pasi qeveria e tij siguroi lirimin e tyre në këmbim të të burgosurve të Boko Haramit.

Pas takimit, këshilltari i presidentit, Femi Adesina, tha se Buhari “ka premtuar se do të bëhet gjithçka e nevojshme për t’i riintegruar vajzat në shoqëri”.

Adesina tha se zyrtarët e qeverisë do të mbikëqyrin rikthimin e tyre në shoqëri.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, i cili bashkë me Qeverinë zvicerane kanë ndihmuar negociimin e lirimit të vajzave, tha se ato do të bashkohen me familjet e tyre së shpejti.

Qeveria nigeriane nuk dha detaje rreth këmbimit, por një zyrtar, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se pesë komandantë të Boko Haramit u liruan në këmbim të vajzave.

Vajzat kanë qenë në mesin e 276 nxënëseve të rrëmbyera nga Boko Harami në prill të vitit 2014 nga një shkollë e mesme në qytetin Çibok.

Disa vajza kanë arritur të ikin, disa janë liruar në ndërkohë, ndërsa 113 mungojnë ende.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button