Paditen Facebook, Google dhe Twitter

Pjesëtarë të familjeve të 3 viktimave të incidentit të dhjetorit 2015, në San Bernardino të Kalifornisë, kanë paditur “Facebook”, “Google” dhe “Twitter”, duke pretenduar se gjigantët e teknologjisë kanë lejuar Shtetin Islamik të lulëzojë në mediet sociale.

Në padi shkruhet se, duke lejuar militantët e Shtetit Islamik të përhapin propagandë lirisht në mediet sociale, 3 kompanitë kanë mbështetur grupin dhe kanë mundësuar sulme, si ai i San Bernardinos, përcjell Top Channel.

“Për vite të tëra, të akuzuarit i kanë garantuar grupit terrorist llogari në rrjetet sociale, nga ku përhapnin propagandën ekstremiste, mblidhnin fonde dhe rekrutonin njerëz”, thuhej në padinë me 32 faqe të paraqitur në Gjykatën e Los Angeles në SHBA.

“Pa Twitter, Facebook, Youtube dhe Google, rritja e Shtetit Islamik vitet e fundit nuk do të kishte qenë e mundur”, vijon padia.

Një zyrtar i “Twitter”-it refuzoi të komentonte padinë. As përfaqësues të Facebook dhe Google nuk kanë bërë komente. Syed Rizwan Farook dhe bashkëshortja e tij, Tashfeen Malik, hapën zjarr në një festë në një ndërtesë qeveritare në San Bernardino, më 2 dhjetor 2015, duke vrarë 14 persona e duke plagosur 22 të tjerë.

28-vjeçari Farook, i lindur në SHBA, por me origjinë pakistaneze, dhe 29-vjeçarja Malik, e lindur në Pakistan, humbën jetën në një përleshje të armatosur me policinë, 4 orë pas masakrës. Autoritetet thanë se çifti ishte frymëzuar nga militantët islamikë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button