LSI zgjedh kryetarin e ri Petrit Vasili

Në Konventën  e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili është zgjedhur në postin e kryetarit të kësaj partie, njofton Top-Channel.

Vasili është zgjedhur në mënyrë unanime nga pjesëmarrësit me të drejtë vote, ndërsa Monika Kryemadhi është votuar si nënkryetare e parë e LSI-së.

Në daljen e fundit si kryetar i LSI, Meta u kujdes të bënte një përmbledhje të këtij rrugëtimi, duke i cilësuar sfidat përgjatë viteve edhe si presione të politikës së kohës për ta shpërbërë LSI, siç bënë PD e PS në 2008.

“Por ne s’u dorëzuam, treguam rritje aq sa në një natë të errët në prill 2008 u ndryshua Kushtetuta vetëm për të eliminuar LSI. Një akt i paprecedentë dhe sot ende Shqipëria vuan pasojat e atyre ndryshimeve dhe të atij kodi të mallkuar, ku qëendron një pjesë e mirë e burimit të konfliktit dhe frikës së politikës së papërgjegjshme”, deklaroi Meta.

Meta kishte edhe disa porosi të fundit për pasuesin e tij, por edhe votuesit besnikë të LSI, duke kujtuar shprehjen e shumëpërdorur të viteve të fundit.

“Qetësi e dashuri nuk më doli nga goja, por nga shpirti. Do t’ju lutesha edhe juve që çdo vendimmarje të rëndësishme ta bëni me qetësi, sepse për fat të keq deri tani të tjerët japin shembullin që i bëjnë me kokëfortësi dhe gjaknxehtësi. LSI duhet të jetë forca që mban fjalën edhe në të ardhmen”, tha Meta.

Pavarësisht se veten ende e përshkruan si një eurosocialist, Meta bëri një premtim, ndoshta të parin si presidenti i ri i Republikës.

“Unë si president i ardhshëm do bëj gjithçka që të jap sa më shumë fuqi e sa më shumë pushtet dialogut, stabilitetit dhe demokracisë, në interes të qytetarëve shqiptarë. Sot kërkoj nga ju dhe nga LSI që të bëjë çdo gjë për t’i dhënë sa më shumë humanizëm, vlera morale dhe njerëzore politikës, pushtetit dhe qeverisjes”, tha Meta.

Marrjen zyrtarisht të detyrës më 24 korrik, Meta e cilësoi sfidën e tij të radhës. “Pas 24 korrikut do dëshmoj përpara të gjithëve se nuk ndikohem as nga bindjet e mia politike dhe as se kam qenë kryetar i LSI. Ju keni një sfidë më të lehtë në raport me opinionit publik, tregoni se edhe pa Metën kryetar ju jeni në rrugën e fitores dhe rritjes”, tha Meta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button