VMRO e paparashikueshme për skenarët e formimit të Qeverisë

Pas ngjarjeve të fundit në Kuvend, dhunës ndaj deputetëve dhe tani uzurpimit të zyrave, gjithçka mund të pritet nga deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe simpatizantëve të tyre, thonë njohësit e çështjeve politike për Portalb.mk. Sipas tyre, Maqedoni çdo ditë e më shumë po largohet nga vlerat demokratike duke u zhytur kështu edhe më shumë në krizë politike, andaj shpresojnë në formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re.

Profesori universitar Mersel Bilalli thotë për Portalb.mk se në Maqedoni ne kemi të bëjmë me një skizofreni politike të bartësve të krimit të organizuar.

“Tjetër është se çka duhet të ndodh në një shtet demokratik, a tjetër është ajo që mund të ndodh te ne. Në fakt ne kemi të bëjmë me një skizofreni politike të bartësve të krimit të organizuar. Pra, paralel i kemi dy të këqija. Këso kodi mental nuk është objekt i përshtatshëm për analiza aq më shumë për parashikime. Këtu vetëm mjekët mund të bëjnë analiza. Por, unë besoj në mendjen e shëndoshë të aspiruesve për qeverinë e ardhshme të cilët mirë e dinë se çka duhet dhe si duhet bërë”, tha për Portalb, Bilalli.

Ai shtoi se në koordinim me faktorin e jashtëm brenda maksimum dy javëve duhet të kemi qeveri, e cila po ashtu mund të mos pranohet nga ky parapushtet.

“Në koordinim me faktorin e jashtëm brenda maksimum dy javëve duhet të kemi qeveri, e cila po ashtu mund të mos pranohet nga ky parapushtet. Andaj pas formimit të qeverisë së ardhshme, e cila menjëherë do të njihet nga jashtë, besoj se SHBA dhe BE do të bllokojnë të gjitha komunikimet dhe marrëdhëniet me qeverinë ekzistuese. Në keso kushtesh ajo s’mund të funksionoj më tepër se disa javë. Pra, duhet shumë punë dhe durim, pasi kemi të bëjmë me monstra politike. Të ishin ndryshe nuk do të kishim keso situate”, shton Bilalli.

Profesoresha universitare Mirjana Maleska thotë për Portalb.mk se ky ishte kulmi i të ashtuquajturës torturë shtetërore, të cilën po e dënon populli demokratik si në vend ashtu edhe jashtë.

“Dhuna në Kuvend, e cila përfundoj me rrahjen e deputetëve të shumicë së re, nuk është spontane dhe e rastësishme, por e inspiruar dhe organizuar nga strukturat më të larta shtetërore dhe partiake (VMRO-DPMNE). Kjo është shumë e qartë dhe u kuptua nga incizimet. Besoj që ky ishte kulmi i të ashtuquajturës torturë shtetërore, të cilën po e dënon populli demokratik si në vend ashtu edhe jashtë”, tha për Portalb, Maleska.

Ajo shtoi se shpreson që të formohet qeveri pa skenarë të përgjakshme, edhe pse VMRO sipas saj mund të mundohet ta pengojë këtë proces.

“Mund të them se format më të rrezikshme të krizës tejkalohen më atë që SHBA dhe BE pranuan legjitimitetin e plotë të shumicës së re parlamentare dhe zgjedhjen e Talat Xhaferit si Kryetar i Kuvendit. Edhe në deklaratën e kryetarit të shtetit ndjehet lëshimi dhe shpresoj që të formohet qeveri pa skenarë të përgjakshme. VMRO do të mundohet ta pengoj formimin e qeverisë së re, por ajo ka filluar të zhvillohet dhe nuk mund të ndalet. Pres që të gjithë ata që kanë keqpërdorur qeverinë dhe funksionet e tyre të përgjigjen dhe vetëm ashtu mund të mësojnë si shoqëri që keqpërdorimet dhe dhuna nuk janë të lejuara dhe që sanksionohen”, shtoi Maleska./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button