Mbajtja e zgjedhjeve të reja të parakohshme, me ligj të vjetër

Përfaqësuesit e partive politike, anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thonë se ngecjet në procesin e reformave të parapara zgjedhore nuk paraqesin problem në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, shkruan REL.

Partitë politike opozitare kanë ripërsëritur qëndrimin e tyre, se zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do ta nxirrnin, sipas tyre, vendin nga kriza politike, por së fundmi edhe partitë në pushtet nuk e kanë përjashtuar mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje.

Kjo për shkak të mos përmbushjes së obligimeve posaçërisht ndërkombëtare në Kuvend.

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve thonë se ligji ekzistues ka shërbyer për organizimin e zgjedhjeve qoftë parlamentare apo edhe lokale dhe si i tillë mund të vazhdojë të zbatohet në rast të zgjedhjeve të parakohshme.

Betim Gjoshi, anëtar i KQZ-së, nga radhët e PDK-së, tha për Radion Evropa e Lirë, se në radhë të parë vullneti politik është ai i cili mundëson zgjedhje demokratike dhe me standarde të larta.

“Cështja e reformave zgjedhore është çështje se kah do të shkojë procesi zgjedhor, por nuk varet cilësia e zgjedhjeve nga to. Ne kemi pasur zgjedhje në 2013 apo 2014 që janë vlerësuar nga të gjithë si zgjedhje me standarde ndërkombëtare. Pra, këto nuk janë pengesa, por është vullneti politik ai i cili mbanë një palë zgjedhje me standarde të larta”, tha Gjoshi.

Gjoshi tha se mbi 60 mijë persona që nuk jetojnë më dhe 40 mijë të tjerë që kanë hequr dorë nga shtetësinë janë larguar nga listat votuese.

Anëtari i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës tha po ashtu se personat të cilët kanë rënë ndesh me ligjet apo kërkohen nga drejtësia, nuk do të lejohen të jenë pjesë e një gare zgjedhore.

“Ne edhe në të kaluarën edhe tani, askënd që është në kundërshtim me ligjin nuk do ta lemë që të jetë në lista zgjedhore. Çdo kush që di për dikë që është në lista zgjedhore, dhe që nuk është në përputhje me ligjin, mund ta denoncojë pranë PZAP-it [Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa] edhe pas certifikimit nga ana jonë. Kanë 24 orë kohë qytetarët dhe subjektet e tjera mundësi që të ankimojnë ndonjë person që rastësisht mund të na ketë shpëtuar dhe të gjendet në listat zgjedhore”, tha Gjoshi.

Anëtari tjetër i KQZ-së, Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se ligji ekzistues aktual ka bazë të mjaftueshme dhe të mirë për organizimin e drejt të zgjedhjeve. Ai tha se KQZ-ja ka përgjegjësi kushtetuese për organizimin e zgjedhjeve, qofshin ato të rregullta apo të parakohshme.

“Ligji aktual mundëson zgjedhje të lira pa asnjë dyshim, natyrisht që kërkohet marrja e masave nga trupat përgjegjës siç është KQZ-ja dhe institucionet e tjera që kanë rol në garantimin e procesit zgjedhor siç është prokuroria, policia dhe institucionet e tjera. Po të ketë një koordinim të mirë mes këtyre institucioneve dhe do të thosha një shmangieje të ndërhyrjeve në proces zgjedhor nga partitë që e kanë cenuar edhe në të kaluarën, është i mundur një proces i drejt me integritet që garanton vullnetin e votuesve”, tha Rrustemi.

Rrustemi, sa i takon çështjes se reformave zgjedhore, thotë se asnjëherë nuk ka pasur veprime serioze e as mjedis politik për ta shqyrtuar drejt ketë çështje.

“Në këtë legjislaturë edhe me parë nuk ka pasur iniciativa të njëmendta për ta përmirësuar sistemin zgjedhor dhe ligjin për zgjedhje. Ne kemi një histori të freskët kur reforma zgjedhore filloi në vitin 2010 dhe ka dështuar në vitin 2013, përkundër plotësimit dhe kalimit në lexim të parë të ligjit për zgjedhjet. Kjo përpjekje e kësaj legjislature jo që nuk ishte serioze por, ishte e motivuar për të forcuar pushtetin autoritar të presidentit, por edhe të disa liderëve politik”, tha Rrustemi.

Presidenti Thaçi, vitin e kaluar formoi dy nëngrupe punuese, një për amandamentimin e Kushtetutës dhe një tjetër për reformën zgjedhore në të dyja nivelet, atë qendror dhe lokal. Ai ka kërkuar, siç ka thënë, ‘dekriminalizimin e skenës politike në vend’ përmes, siç ka deklaruar, ‘pamundësimit të të gjithë atyre që janë nën hetime të marrin poste publike ose të kandidojnë në zgjedhje’.

Gjatë nëntorit të vitit të kaluar, presidenti organizoi mbajtjen e dy takimeve me përfaqësues të partive politike dhe shoqërisë civile, por këto takime u bojkotuan nga tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button