Protesta para Gjykatës themelore në Shkup

Organizata studentore “Forca” organizon protestë të qetë para Gjykatës themelore në Shkup, lidhur me rastin e fundit në Radishan.

Rasti i fundit në Radishan të Shkupit është vetëm edhe një provë se drejtësia në Maqedoni nuk ekziston, posaçërisht kur janë në pyetje Shqiptarët. Detyra jonë si studentë dhe ardhmëri e këtij populli është që të ju bëjmë me dije Shqiptarëve të Radishanit, edhe atyre të Strumicës, të Prilepit dhe të gjithë Shqiptarët tjerë se nuk janë vetë !!!Ftohen të gjithë të rinjtë shqiptarë, studentë, nxënës, që të marrin pjesë në tubimin paqësor që do të mbahet para Gjykatës themelore në Shkup, ku në mënyrë simbolike do të vendosen lule përpara gjykatës dhe do të mbahet 1 minutë heshtje për drejtësinë e vdekur në këtë shtet”, u tha në thirrjen e kësaj organizate në rrjetin social Facebook.

Edhe përkundër thirrjes që sa më shumë student ë të rinj të marrin pjesë në këtë protestë të qetë me qëllim që të ndalohet dhuna dhe drejtësia të funksionojë drejtë, shumë pak student ishin prezent.

“Jemi sot në numër të vogël por në mënyrë simbolike deshëm që të shprehim keqardhje për drejtësinë e cila sipas nesh, por e di edhe opinioni i gjerë se është e vdekur. Drejtësia e Republikës së Maqedonisë po mbetet pikërisht në sirtarët e mbyllur dhe kanë vulosur fatin e shumë familjeve. Lulet që sot i vendosëm këtu janë shenjë për policët që nuk punojnë, nuk e mbrojnë qytetarin, por vetëm marrin rrogë”, tha Furkan Saliu nga Organizata studentore “Forca”.

Ai u shpreh se më se keqi e pësojnë shqiptarët në këto incidente.

“Rasti i fundit ishte në Radishan, ku u sulmuan shqiptarët dhe gjithashtu sulmi ndaj maqedonasve të nesërmen, shprehim keqardhje për familjet e tyre, se për shkak të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, rastet mbeten pa u zbardhur. Në këtë rast jemi ne shqiptarët që kemi më shumë pasoja, ne nuk jemi nismëtarët e dhunës. Ja sot kishim shumë presione edhe pse ne paralajmëruam protestë të qetë. Ne nuk kemi lidhje me politikë, nuk duam që gjërat të politizohen, vetëm kërkojmë mbrojtje dhe drejtësi për sulmet dhe rrahjet që janë bërë deri më tani”, tha Saliu.

 

Ai  apeloi deri te gjithë studentët të mos frikësohen të ngritin zërin sepse nesër ata ose ndonjë familjar i tyre mund të jetë viktimë e një sulmi.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button