АNALIZË: Gjendja e Maqedonisë në raport me respektimin e të drejtave të punëtorëve

Edhe pse punojnë, disa njerëz aspak nuk mund ta marrin rrogën e merituar, ndërsa për më shumë se mbi 70% të punëtorëve – rroga mesatare prej 370 еurosh është e paarritshme. Vazhdimisht ndryshohet rregullativa ligjore që duhet t’i mbrojë të drejtat e punëtorëve – e këto të drejta edhe më tutje shkelen, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Maqedonia është njëra nga vendet e rajonit dhe të Evropës e cila e fundit e futi rrogën minimale, dhe këtë veprim Sindikata e udhëhequr nga Zhivko Mitrevski e shpalli si fitore historike. Si jeton punëtori i Maqedonisë në shekullin 21 dhe a është shkelur dinjiteti i tij.

Ku gjendet Maqedonia në raport me respektimin e të drejtave të punëtorëve?

Numër më të madh të punëtorëve ka në industrinë për përpunimin e ushqimit – mbi 137.000, pastaj vjen sektori i bujqësisë me mbi 120.000 të punësuar, si dhe tregtia e cila ka 104.500 punëtorë. Në këto sektorë dhe industri, të cilat kanë numër më të madh të punëtorëve, jepen edhe rrogat më të vogla. Kështu, në bujqësi rroga mesatare është 272 euro, ndërsa në tregti 354 euro – në të dyja rastet, rroga këto që janë më të vogla se mesatarja e vendit. Sipas ekonomistëve, përveç rrogave të ulëta, tregu i punës është i rregulluar edhe me rregullativë ligjore, e cila duhet t’i mbrojë dhe t’i përforcojë të drejtat e punëtorëve.

“Në Maqedoni vazhdimisht zvogëlohen të drejtat e punëtorëve. Dhe ky nuk është vetëm mendim subjektiv, por edhe fakt empirik, të cilin e vërtetojnë të gjitha raportet relevante në këtë temë. Për shembull, sipas Fondacionit Heritage, në vitin 2006, 56 vende në botë kanë pasur të drejta më të mëdha të punëtorëve se sa Maqedonia, ndërsa në vitin 2017, ky numër ka qenë 124 vende. Konsideroj se zgjidhjet ligjore janë gjithnjë e më të pakta, për shkak se të drejtat e punëtorëve vazhdimisht zvogëlohen” – thotë ekonomisti, Branimir Jovanoviq dhe shton:

“Ndoshta ajo që është edhe më me rëndësi, as ato pak të drejta që i kanë punëtorët nuk implementohen ashtu siç duhet. Punëdhënësit vazhdimisht i shkelin të drejtat e punëtorëve dhe askush nuk reagon. Institucionet shtetërore që duhet ta bëjnë këtë (Inspektorati i punës, dhe gjykatat) dështojnë në shumë raste”. Јovanoviq konsideron se kjo gjendje pjesërisht është pasojë e rregullativës së paqartë ligjore, mirëpo para së gjithash shkaku kryesor është mungesa e vullnetit politik, shkruan Portalb.mk.

“Si një nga betejat e fituara historike është futja e rrogës minimale. Në vitin 2012 filloi pagesa e rrogës minimale prej 131 eurosh, ndërsa në vitet që pasuan, ajo u rrit vazhdimisht. Vlerësimet ishin se nga kjo zgjidhje në fazën e parë do të përmirësohet standardi i 65.000 punëtorëve. Sipas të dhënave që i paraqet Mitevski, deri në futjen e rrogës minimale, 38% e punëtorëve nuk kanë marrë rrogë, ndërsa tani kjo përqindje nuk është më e madhe se 2 për qind.

“Është mirë që më në fund në Maqedoni, para disa vitesh u përcaktua rroga minimale. Mirëpo, rrogën minimale e përcaktoi qeveria, ndërsa pjesëmarrja e Lidhjes së sindikatave të Maqedonisë dhe e Organizatës së punëdhënësve ishte vetëm dekorative. Qëllimi me siguri ka qenë që edhe Maqedonia të ketë rrogë minimale, ndërsa sa është ajo, a i plotëson ajo nevojat themelore të punëtorit, a përkon ajo me mundin e tij, këtë askush nuk e ngre si çështje” – thotë Peco Grujovski nga Sindikata e punëtorëve të administratës, organeve të gjyqësisë dhe shoqatave të qytetarëve (AOGJSH).

Përkundër lartësisë së rrogës minimale, e cila tani është pak më shumë se 160 еuro, të dhënat, pikërisht nga LSM-ja tregojnë se shpenzimet mujore për një familje mesatare janë mbi 520 euro. Ky dallim ndërmjet fitimit dhe nevojave, sipas vlerësimeve të sindikalistëve, përsëri bën me dije se kemi standard të ulët jetësor të punëtorëve në vend.

“Maqedonia para investitorëve të huaj prezantohet si parajsë, me rrogë prej 200 еurosh, se atje ka punëtorë që patjetër e kanë të punojnë, bile edhe më shumë se orari i punës, dhe se nuk guxojnë të organizohen në sindikata dhe nuk guxojnë t’i kërkojnë të drejtat e tyre. Në vend që Maqedonia të ofrojë fuqi punëtore cilësore me të cilët do t’i tërheqë investitorët e huaj, ofrohet fuqi shumë e lirë punëtore. Që në fillim qasja është e gabuar.” – thotë sindikalisti, Grujevski, njofton Portalb.mk.

Sipas ekspertëve dhe një pjese të përfaqësuesve të sindikatave, duhet të bëhen ndryshime në fushën e që e rregullon çështjen e punës. Para së gjithash, prioritet duhet të jetë Ligji i ri për marrëdhënie të punës, pastaj dialogu u mirëfilltë social, e jo “pakti” ndërmjet pushtetit dhe sindikatave, dhe nënshkrimi i marrëveshjeve kolektive në të gjitha nivelet. Poashtu, lëvizjet sindikale, veçanërisht ato që janë pjesë e LSM-së, në periudhën e kaluar u komprometuan dhe u akuzuan për luftë të paligjshme për ruajtjen e karrigeve sindikale, që hodhën hijen mbi rolin dhe qëllimin e përgjithshëm të sindikatave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button