fbpx

Sindikata e shëndetësisë akuzon Qeverinë për ‘mosreflektim’

Një numër protestash dhe grevash të punonjësve të shëndetësisë në Kosovë në javët e fundit kanë kaluar pa një vëmendje të autoriteteve në vend, thonë sindikalistët e shëndetësisë.

Mos reagimi i institucioneve, thonë ata, mund të nxisë veprime të tjera sindikale që do të mund të kenë, sipas tyre, ndikime më të mëdha.

Punëtorët shëndetësorë në vazhdimësi kanë shprehur pakënaqëistë e tyre me pagat e ulta dhe me, siç thonë, kushtet e punës.

Një ligj i pagave që kishte radhitur mjekët specialistë në koeficientin 2.7 në një shkallë prej 1 deri në 11, u kundërshtua fuqishëm dhe ai u tërhoq nga qeveria për t’u rishqyrtuar.

Federata Sindikale e Shëndetësisë, thotë se në vazhdimësi i ka bërë kërkesë Qeverisë së Kosovës për të përmbushur kushtet e parashtruara që prej kohësh, por siç thotë kryetari i saj, Blerim Syla, sindikata ka ‘hasur në vesh të shurdhër’.

“Greva 24 orëshe (e organizuar ditë më parë] ka përfunduar suksesshëm dhe i janë përgjigjur të gjitha institucionet shëndetësore publike. Reagim nga Qeveria nuk ka pasur dhe mendoj se ky mosreflektim po na bën të mendojmë se duan ta nxisin situatën. Në të ardhmen do të merren vendime përmes së cilave nuk do të respektojmë ligjin. Ka disa ditë nuk kemi asnjë reagim”, ka thënë Syla.

Ai tha se veprimet sindikale të shëndetësisë do të shqyrtohen dhe do të ndërmerren hapa të caktuar në rast se Qeveria e Kosovës nuk reflekton në kërkesat e parashtruara.

Por, autoritetet në vend thonë se problemet e shëndetësisë zgjidhen përmes bisedave dhe mirëkuptimit.

Zëvendës ministri i Shëndetësisë Izet Sadiku, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se me sindikatën e shëndetësisë kanë pasur disa herë takime dhe shqetësimet e tyre janë marrë për bazë si dhe janë duke u shqyrtuar.

“Ne kemi pasur disa takime dhe është grupi punues që vazhdimisht është diskutuar çështja sociale me sindikatën duke i adresuar problemet. Për rrezikshmërinë në punë tashmë është hartuar drafti në nivelin sekondar dhe terciar, jemi në themelim të grupit punues për hartimin e rrezikshmërisë në punënivelin primar”, ka thënë Sadiku.

Sadiku ka shtuar se Qeveria e Kosovës tashmë e ka tërhequr Ligjin për paga nga Kuvendi i Kosovës. Ai thotë se do duhej që Qeveria të bisedojë me Bashkimin e Sindikatave, dhe më pas të merret vendim për rritje pagash për gjithë punëtorët publik, jo vetëm për sektorin e shëndetësisë.

“Ligji i pagave është tëhequr nga Kuvendi. Ne si ministri të gjitha obligimet i kemi kryer. Dialogu social ka vazhduar dhe janë adresuar të gjitha kërkesat, me përjashtim të pagave. Duhet që të pritet dhe jo të merren hapa radikalë, pasi duhet hapsirë për dialog”, ka thënë Sadiku.

Duke iu referuar furnizimit më të mirë me barna në institucione publike shëndetësore, problem i ngritur nga punonjësit e shëndetësisë në protestat e grevat e tyre, zëvendës ministri Sadiku tha se po pritet që të fillojë mbledhja e premiumeve nga ligji i sigurimeve shëndetësore dhe me rritjen e buxhetit nga të hyrat, do të bëhet furnizimi më i mirë me barna, në të gjitha nivelet e sistemit shëndetësor. (REL)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button