Suela Bako, aktorja më e mirë në Nashville Film Festival në Amerikë

Me rolin e saj në filmin e zhanrit horror “Bloodlands”, aktorja shqiptare Suela Bako është vlerësuar me çmimin si aktorja më e mirë në Nashville Film Festival në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan KultPlus. Ky çmim i ndarë për Suela Bakon vlerësohet të jetë tejet i rëndësishëm për aktoren shqiptare, duke pas parasysh se filmi ka pasur konkurrentë një përzgjedhje fantastike filmash në garë në këtë edicion.

Regjisori i këtij filmi Steven Kastrissios ka qenë i pranishëm në festival, kurse për çmimin që i është ndarë Suela Bakos ka thënë se gjithmonë e ka ditur se Suela do të fitojë një çmim për punën e saj në filmin Bloodlands. “Ishte vetëm çështje kohe”, është shprehur regjisori, duke kujtuar përvojën e tij përgjatë xhirimeve, ku sipas tij, Suela Bako kishte punuar shumë për të nxjerrë rolin e saj.

“Bloodlands” shpalos historinë e një gruaje të thjeshtë e cila dhunohet, mbetet shtatzënë dhe stigmatizohet nga banorët e lagjes së saj. Atë e dëbojnë në mal, duke e quajtur shtrigë. E lënduar, e urryer dhe e dëbuar kjo grua vendos që të shndërrohet në një shtrigë të vërtetë dhe të marrë hakun për krejt dhimbjen që i kanë shkaktuar. Aktorja Suela Bako luan rolin e nënës në një familje ku zhvillohen ngjarjet kryesore te filmit, ku një familjeje i duhet të përballet me mallkimet e një shtrige.

Ngjarja zhvillohet në Tiranë, ku familjet moderne tipike shqiptare bien pre e sulmit të vampirëve të udhëhequr nga shtriga, në rolin e së cilës paraqitet aktorja nga Kosova, Ilire Vinca. Kasta e aktorëve është e gjitha shqiptare dhe i gjithë filmi shfaqet në gjuhën shqipe. Aktorët e tjerë që luajnë në këtë film janë Gëzim Rudi, Emiljano Palali dhe Alesia Xhemalaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button