PREJ GOSTIVARI DERI NË DIBËR

Si u krijua Serbia e madhe e para Luftës së parë botërore, si ndërtohej ajo, cila ishte politika e saj ndaj “Jugut”, pra ndaj Kosovës dhe Maqedonisë, treva këto që ranë në duart e Serbisë pas ngjarjeve të përgjakshme në vitet 1912/13? Disave nga këto pyetje lexuesi do t’ua gjejë përgjigjet edhe drejtpërsëdrejti, por edhe midis rreshtash në fletëzat vijuese nga dëshmitë e njërit nga ideologët dhe krijuesit e projektit të ashtuquajtur Serbia e madhe, Milosav Jeliçit, që i shtron në Librin Kronikë e jugut. Përndryshe M. Jeliçi ka marrë pjesë aktive në pushtimin e këtyre anëve shqiptare si oficer i lartë dhe pastaj edhe në ndërtimin e pushtetit shovinist serb të asaj kohe. Tekstin e përshkojnë fjali të qarta, përshkrime mjaft interesante, me një dozë romantizmi “patriotik”, prapa së cilës fshihet bërthama e politikës serbomadhe ndaj njerëzve të pambrojtur të këtyre anëve, e veçmas ndaj shqiptarëve….   

                                                                                       

PREJ GOSTIVARI DERI NË DIBËR

Ne s’kemi histori tjetër më të vjetër se ajo që ka ndodhur në Serbinë jugore. Serbia jugore është vendi më i bukur  në botë. Luginat e Moravës dhe të Vardarit (Kosova e Maqedonia, shën. i përkth.) janë kurrizi i vendit tonë.                                                             
                                                                           Videant, consules, ne respublica…

Udhëtojmë unë dhe miku im Muhamed Haxhi Bajram Zllatko. Ai ka rreth 37 vjet dhe relativisht është i kulturuar. Ka mësuar diçka në Stamboll dhe ka dalë jashtë vendlindjes “për tregti”. Mallin e ka në Shkup, në Selanik dhe në Dibër. Këtu e ka familjen. Para pak kohësh u martua si i vejë me motrën e Maliç Beut, një vajzë krejt e re. Ka pamje sllave të fytyrës dhe të mbiemrit. Vlen si njeri i qetë dhe i ndershëm. Ka frikë nga pak prej kaçakëve udhës, por ka shpresë se nuk do të na befasojnë sot.

Me neve është edhe mëngjesi i ndritshëm e i freskët veror me buzëqeshjet plot shqetësim përmbi Vërtok buron Vardari dhe mbi fshatin Duf lart në malin që vështirë kalohet. Përreth nesh janë drithnajat e arta e të gatshme për korrje, palët lak e leqe të barit të kositur nëpër livadhe dhe misërishtet e blerta në të kaltër. Ndërkaq, thuajse kudo nëpër ara ndjehet rrëshqitja e qetë dhe farfurimëza e ujit përfund përshëndetjes me rreze dielli të mëngjesit. Atje rrëzë Vllahinasit duken lulet e mëdha në pyllin me gështenja dhe trajtat ende të paqarta të kthesave e leqeve. Pastaj u shfaq ajo kaltria malore në paskaj mbi majat e larta si përmbi rojet në përrallat e moçme.

Para se të largohemi nga Pollogu dhe të futemi në kthesat e shumta të Vllahinasit më ankohet një hanxhi galiçnikas asisoji që Muhamedi mos ta dëgjojë:
– Nuk mundet me xhemijetlinjtë, nuk bën. Lira kanë, kaçakë kanë, pushkë kanë (1). 
– Po nuk do të zgjasë as kjo gjatë kohë.
– E mamkata (2)!… Të kishim qenë njerëz!…
Dhe ai mbetet në atë dispozicion të mundimshëm dhe me ato ofshama, të cilat në këto vise thuajse nisen prej thembrave.
Derisa vonë, kur u futëm në grykën e Radikës, ankohen xhemijetlinjtë. I paska plaçkitur njëfarë nëpunësi.
– Pse s’e paditni?
– Jo.
– Mirë, unë do ta padis, kurse ju vetëm dilni dëshmitarë.
– Jo, jo!
Dhe, ju rrini me veshë të skuqur para Muhamedit në qerre dhe shikoni gjatë kohë shpinën e qerraxhiut.

Ecim në këmbë nëpër mal t’u ikim kthesave të forta. Toka është e lagshtë prej vesës, malit i vjen era e verës së parë, bilbilat këndojnë me sa munden. Sa herë kam kaluar nëpër këtë shteg në rrethana të ndryshme?! Dhe gjithherë në këtë shteg më sillej në kokë mendimi i njëjtë kur ndaleshim të marrim frymë dhe ta shikojmë para vetes Pollogun e Epër dhe të Poshtmin. Këtë rrafshinë të gjatë, të kaltër e të buzëqeshur, e cila e përqafon Treskën, Vardarin, Gostivarin dhe Tetovën. Drithnikun tonë të lashtë të Rashkës prej kah nëpër këtë udhë kemi pasur cak ta marrim Dibrën dhe Durrësin, njësoj si nga ajo ana tjetër Prizrenin, Lumën e Shkodrën. Këto “anë të detit” siç qëndron e gravuar në kelshejtin i Deçanit dhe në kryqin e Dushanit në Deçan.(Sa pak kërkojnë serbomëdhenjtë nga ne pa pushuar. Shën. i përkth.).

Atëherë kanë udhëtuar me kuaj shtigjeve pranë kreshtave të maleve buzë Radikës, nëse nuk ka qenë ndoshta këndej ndonjë udhë me kalldrëm dhe me ura romake me harqe. Këndej, ku tash ndërmarrësit nga Cërna Trava i murojnë pjerrinat mos të rrëshqasin e ta prishin udhën dhe e zgjerojnë trasenë ushtarake nga viti 1912, kanë shkuar me ngut ndoshta kalorësit e carit nga Eskadroni i Prelubit t’u çojnë urdëra nga Shkupi fiseve shqiptare (2) që me kalorësinë tonë ta shkelin Epirin, Akarnaninë, Etolinë dhe Tesalinë. Dhe tash kur ne këto drejtime i mbajmë… Po kjo është ëndërr e rinisë! Dhe, tash kur këto fise (ne jemi, sipas autorit, në nivelin e organizimit fisnor. Shën. I përkthe). duhet të jenë aleatë… A u ofrojmë ne respekt me sigurim ose me administratë ose me dashuri të madhe bashkëqytetarësh? Dhe, te unë ngre krye pasardhësi “i të vdekurve që flasin”. Dhe, në shpirt gumëzhin një këngë e ndjeshme e paqartë me një refren të gjatë e të dhembshëm, me një arie pyetëse të njëtrajtshme, për të cilën nuk gjendet përgjigje siç nuk ka përgjigje edhe misteri i gjithësisë. 

Kjo udhë e cila na kushton me miliona dhe të cilën tash e meremetojnë është me rëndësi të jashtëzakonshme, se e lidh Drinînë me Vardarînë(2) .
Na del përpara fusha e Mavrovës me tri fshatra kurbetqare të strukura në qafë të Malit: me Leunovën, Niçiforovën dhe Mavrovën. Në këtë rrafshnaltë s’ka asgjë tjetër përveç kullosave dhe bagëtisë, të cilën e grabisin plaçkitësit arnautë (3). Prandaj këtu është garnizoni te Hanet e Mavrovës.
– Kush është komandant këtu? e pyes hanxhiun te i cili hamë një borani të pazier mirë dhe një kos të mrekullueshëm.
– Nuk e njoh. Tash shpejt ka ardhur.
– Po a e njeh ndonjë komandant?
– Jo.
Ndërkaq të gjithëve do të na kishte ardhur më mirë të më ishte përgjigjur:
– Po si s’e njohkam, ore? Javën e kaluar ma pagëzoi djalin.
Ose për ata komandantët:
– Ata janë burra të mirë. Ua shkruajnë adresat të gjithë kurbetqarëve në Amerikë.
Ose kështu disi.
Sepse ky, këmbë e krye është populli ynë, sipas tipit, sipas gjuhës dhe sipas paraardhësve të cilët kanë marrë pjesë që në kryengritjen e Gjorgjes së Zi. E ky vend mbase është vend demokratik (4).

Futemi në njërën ndër grykat më piktoreske në mbarë vendin, pa dyshim. Faqet e pafund të malit me shkrepa vende-vende të pyllëzuara, lart qielli i kaltër, poshtë Radika e gjelbër.
Në Tërnicë shihen kopshtet e mëdha me perime. I punojnë xhandarët. Në Zhirovnicë është qetësi e përmortshme. Është ndërtuar një han manastiri përfund Shën Gjonit të Bigorit.
Përshpirtma e kral Milutinit duket nga pak me modesti nëpër degët e dendura të drurëve të malit me ndërtesat e mëdha përreth dhe me kambanaren, në të cilën ka tri kambana të dy dinastive tona. Një e ka falur “Milosh Teodorov Obrenoviçi, knjaz i Serbisë – Sh. Gjonit të Bigorit, manastirit serb në Shqipëri” (5). Kurse dy të tjerat i kanë dhuruar me mbishkrime Persida dhe knjaz Aleksandri për shpirt të prindërve të tyre. Bullgarët janë përpjekur t’i shlyejnë shkronjat, po nuk kanë mundur. Ia kanë dalë ta shlyejnë mbishkrimin përfund ikonës së Sv. Savës në murin e Manastirit dhe të shkruajnë “Shën Klementi”. Pastaj, pasi erdhëm ne ia kthyem emrin Sv. Savës (Serbët i kanë falsifikuar mbishkrimet, datat dhe emrat nëpër kisha, ikonat, freskat. Shën. i përkth.).

Kapërcejnë para nesh fshatrat Jançë, tri Skudrinjat, Kosovrasti i Epërm dhe ai i Poshtmi, Melniçani i Epërm dhe i Poshtëm. Defilojnë pranë nesh grunajat e tyre të dobëta dhe vreshtat e gjelbra. Prej banjës së Kosovrastit përhapet era e sulfurit dhe ndjehet larg, kurse uji me sulfur buron edhe përfund udhës kah kalojmë. Më në fund dielli i afrohet malit të perëndojë dhe para nesh duken vreshtat e Dibrës. Ngjitemi kodrës përpjetë dhe pastaj del e bardhë Dibra me minaret e veta në rrafsh dhe me lagjen e krishterë në kodër.
Është viti i tretë prej se s’kam qenë në Dibër dhe syri e vëren menjëherë se mungojnë dy shtëpi: shkolla e madhe dhe e bukur dhe shtëpia ku ishte e vendosur komanda e vendit. Qenkan djegur. S’ka asnjë ndërtesë të re. Dibra ka mbetur e vjetër dhe më e vdekur për shkak të kufirit i cili e ka sakatosur. Ajo tash nuk ka dru, për shkak se Malësia i mbet Shqipërisë (Pak i duket autorit të tekstit grabita e dy të tretave të territorit shqiptar. Shën. i përkth.). Drutë mund të sillen këtu vetëm nga Jama, tridhjetë kilometra larg. Nuk është më ajo ditë e gjallë pazari siç ka qenë dikur. Fati i rëndë ka rënë mbi këtë qytet, për të cilin dikur thuhej: “Po të digjet Stambolli, e paguan lehtë Dibra (dëmin). Marrëdhëniet me Shqipërinë nuk janë rregulluar. Ata të Peshkopisë nuk kanë misër, miell të bardhë, mall manufakture. Gjithçka duhet të vijë nga Durrësi, e për këtë duhen katër ditë.

Të gjithë vrapojnë të përshëndetemi. Erdhi myftiu, Hafëz Sherifi, Sabri Beu, Saki Beu, Ramadan Aga, Ibrahim Kaba, myteveliu, Teofil Kunoviçi, Jordan Dukoviçi, Petko Strezoviçi,. Dolën vrap të rinjtë (kam qenë kryetar i tyre). Erdhi edhe Inta Magjypja nga kroi. Dhe me qindra herë u përgjigjem pyetjeve të njëjta:
– Ti si je?
– Shyqyr Zotit.
– E carroku?
– E më është rritur djali. Tri vjet i ka. Po është lazdruar. Shumë.
– Eh, shqiptar. Uji është i tillë këtu. Shyqyr! Shyqyr!
– Ka vdekur Hysen Teufik Beu, një plak i ndershëm dhe njeri i fjalës në përgjithësi. Një prind i mirë dhe një shpianik i mirë. Kur u përshëndetëm me Dibrën në vitin 1920 për shkak të sulmeve të arnautëve, që do të ndodhnin, ai më përcolli deri në Ohër. Boshkoja im atëherë kishte gjashtë muaj, e lozte në prehrin tim.
– Ma jep mua pakëz, më thotë ai.
Pastaj Boshkoja luan në krah te ai, kurse fytyra e Hysenit u shndërrua në mirësi dhe dashuri, e i thoshte: 
– Mashallah! Mashallah!
I marrim vesh ndryshimet. Ishte martuar Sava, një vashë simpatike prej “matanë përroit”; Bogdani, i biri Teofilit ishte kthyer prej ushtrie; Minoja, muratori, punon në Tiranë, mirëpo puna nuk i shkuaka mirë.

Çarshia nuk ishte ndërruar. Ka disa firma të reja. Ramiz berberi e kishte lyer dyqanin dhe e kishte bërë një “sallon të vërtetë flokëtari”. Rruga kryesore e pastër si në ditë feste. Te “Ballkani” janë nëpunësit civilë, te “Makedonija” menazha e oficerëve, te “Dvadeseti veku” (“Shekulli njëzet”) mund të gjeni në mëngjes byrek, pas dite akullore.
Në treg ka pakëz drithë. E blejnë me strajca, dy tanët që kanë mbetur nën Shqipëri. Janë përvjedhur disi, se kufiri është i mbyllur për shkak të trazirave në veri. Pastaj  pushteti i kishte zënë, e kishin fituar dënimin dhe i kishin  përzënë përtej kufirit.
– A mendoni ju se shqiptarët bëhen të verbër, kurse ju po na ndiqni? pyesin ata.
– Hajde! Ligji është i tillë.
Eh ky ligji ynë!
Ka ardhur kryeshefi i ri i rrethit. Ai i moçmi që ka shkuar ka qenë i mirë dhe të gjithë e lavdërojnë. Nuk e ka ndjekur askënd për shkaqe partiake. Dhe mbeti edhe tri vjet aty, në qytet dhe po aq vite edhe në kujtime të mira te njerëzit. Quhej Dragolub Popoviç. Për këtë të riun që ka ardhur paskan dëgjuar se qenka partizan i madh. Dhe të gjithë më luten të shkoj te ai dhe ta këshilloj mos t’i ngucë njerëzit. “Populli nuk duhet të ftohet prej pushtetit, populli duhet ta ndjejë ngrohtësinë e pushtetit”, thotë Hafëz Sherifi. Dhe unë shkoj. Por sa u ula, vjen e futet brenda njëfarë praktikanti, të cilin kryeshefi i ri e ka sjellë me vete dhe të cilit tashmë në Dibër ia kishin ngjitur nofkën “kryeshef shtabi”. Ulet edhe ai. Më duket si “një qytetar i pranishëm”. Dhe unë nuk flas asgjë për politikë dhe i lë dibranët në fatin e tyre.

Dola kah dreka në lagjen e të krishterëve, lart në kodër përmbi shtëpinë në të cilën kam ndenjur dikur. Pse vallë kujtesa për të kaluarën nxit aq shumë ndjenja dhe pse e prek zemrën një valë e ngrohtë dhe misterioze e cila shumë shpejt ia vë flakën kraharorit? Para meje shfaqet po ajo e njëjta ultësirë e kaltër e Drinit, nga syprina e së cilës reflektohet dielli si dritë e polileit nga pasqyrat me korniza të arta. Ajri mbi të është i ndritshëm, i pastër, e mua më duket se dikush hedh rërë me grushte deri në Bulqizë dhe në Qafë të Murrës. Kurse atje larg duken malet e tmerrshme shqiptare si ndonjë botë tjetër e magjepsur.
Edhe mua më duket se në atë çast drite dhe qetësie edhe tash e ndjej zërin e Alltane Strezit ku këndon nga çardaku atë këngën e ndjeshme dibrane, me zë të zgjatur e të thjeshtë:
Në zemër e kam moj nanë
nji gjarpën të zi
Pastaj përsërit:
oh moj nanë
nji gjarpën të zi…
Dhe kjo këngë i ngjan vajtimit të një visi të tërë, i cili sikur s’ka kujt t’i ankohet përveç se nënës. Kurse më së ëmbli është t’i ankohesh nënës, se ajo më së bukuri t’i fshin lotët dhe më së lehti të ve në gjumë me muzikën e fjalëve të veta si me frymën e erëzës së vjeshtës.
… Oh moj nënë:
Udhëve janë kaçakët, në fshat komitët, nëpër zyra akull.
Ekzarkistët i quajnë bullgarashë, patriarkistët duarzezë, kolonistët jabanxhinj.
Kur e vrasin Rexhepin e Shtimjes, vjen naçallniku i Ministrisë, kurse kur i vrasin gjashtë serbë nga Siriniçi – nuk vjen askush (5).
… Oh moj nanë:
Thonë se liria ka ardhur në vitin 1912. Liria nuk është diçka ajrore. Në liri duhet të vijmë te të drejtat tona. Kurse bejlerët kanë mbetur bejlerë, e ne çifçinj…
Dhe, ku ta dish se çka thotë ende kënga e Alltane Strezit?
Vetëm malet e larta shqiptare qëndrojnë serioze dhe të errëta si Scipioni mbi Kartagjenë, të cilën e kanë rrënuar.

_______________________________________________________________________________
1 Njësoj si tezat që qarkullojnë sot. Pra: paratë janë te shqiptarët, shqiptarët janë të armatosur, kaçakë, etj. Asgjë nuk ndryshon në politikën antishqiptare të fqinjëve.2 Eh, nënën!
2 Njëherë na shpallin shqiptarë, njëherë arnautë, po gjithherë ne duhet të jetojmë vetëm nën kupolën e zezë të urdhrave serbe
2  Drinia dhe Vardaria, luginat rreth këtyre lumenjve. Kështu quhen nga shqiptarët.
3 Brenda disa rreshtave ndërrohen kualifikimet për shqiptarët
4 E shihni demokracinë që mbetet e pandryshueshme në këto anë
5 Knjaz Miloshi për rajonin ku është vendosur manastiri dëshmon se është tokë shqiptare
5 Vini re kukamat dhe ankesat të cilat i keni të njohura nga ditët e sotme

LEXO PJESËN PARAPRAKE: KUR KAM QENË MORI GJURGJO…

Autor i librit: M. Jeliç
Përktheu, komentoi dhe përgatiti për botim: Xhabir Ahmeti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button