Lakimi i Ivanovit: dikur s’donte të përzihen ndërkombëtarët, tani kërkon ndihmën e tyre

“Maqedonisë i është shkurtuar e drejta e prosperitetit. I janë bllokuar integrimi në NATO dhe BE. Kjo e dëshmon hipokrizinë e rendit ndërkombëtar me standardet e dyfishta”, kjo ishte porosia e presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, më 16 mars 2017, në fjalimin e tij në Forumin e Pestë Global në Baku i cili u mbajt në Azerbajxhan, njofton Portalb.mk.

Ivanov jo rrallë herë ka dërguar kritika për faktorin ndërkombëtarë për “përzierjen në punët e brendshme të Maqedonisë”, madje sipas një interviste për gazetën austriake “Wiener Zeitung”, tha se koalicioni VMRO-DPMNE- BDI është dakorduar, por në moment të fundit është prishur nga një bisedë telefonike, duke aluduar për ndërhyrje të jashtme.

Ai gjithashtu, faktorin ndërkombëtarë e akuzuar “për politizim të sektorit civil” duke thënë se “është e papranueshme mjete të huaja të derdhen në OJQ për zhvillimin e qëllimeve politike, inicimin e aktiviteteve, që përfshijnë drejtpërdrejtë involvim të huaj në punët e brendshme të një shteti sovran”.

Pas ndodhive të dhunshme në Kuvend, ku u rrahën deputetë e gazetarë, Ivanov, sot gjatë takimit me zëvendës-ndihmës sekretari shtetëror i SHBA-së për Evropën dhe Euroazinë, Hojt Brajan Ji, ka zbutur qëndrimin rreth zgjidhjes së krizës politike, gjegjësisht mundësinë për dhënien e mandatit.

Edhe pse dikur, për Ivanovin, rendi ndërkombëtarë ishte “hipokrit” dhe kërkonte që të mos përzihen në punët e brendshme të Maqedonisë, qëndrim identik me bashkëpartiakun e tij, liderin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, sot Ivanov ka kërkuar ndihmë nga “SHBA si partner i Maqedonisë, për largimin e pengesave dhe të mundësohet që shumicës parlamentare t’i jepet mandati”.

Ivanov kërkon nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev që ta plotësojnë fjalimin publik se “bashkë me partnerët e koalicionit do të vijnë dhe do t’i sigurojnë kufijtë për përforcimin e unitaritetit të shtetit dhe se gjithçka do të jetë në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë”.

“Presidenti i Maqedonisë e dënon çdo dhunë politike dhe fizike në Republikën e Maqedonisë dhe ka theksuar se vetëm nëpërmjet dialogut patjetër duhet të kërkohet zgjidhje. Presidenti Ivanov nënvizoi se nëse ekziston lidership i vërtetë nga kryetarët e partive parlamentare, pengesa politike dhe juridike për ndarjen e mandatit për formim të Qeverisë mund të tejkalohet”, thonë nga Kabineti i Ivanovit.

LEXO:

Ivanov kritikon BE-në për standarde të dyfishta

Takimi me Hojt Ji ia zbuti fjalorin Ivanovit

Ivanov nga Budapesti godet OJQ-të në Maqedoni

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button