Reagime të ashpra për dhunën në Kuvend: Skenar i përgatitur nga VMRO-DPMNE-ja!

Ndodhitë ku protestuesit e “Maqedoni të përbashkët” kanë hyrë me dhunë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, të irrituar se shumica parlamentare zgjodhi për kryetar të Kuvendit deputetin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Talat Xhaferi, ka bërë që ky i fundit, objekti i institucionit më të rëndësishëm të Maqedonisë, deputetë, gazetarë dhe kameramanë të shumtë të sulmohen, shkruan Portalb.mk.

Sipas njohësve të çështjeve sociale, politike dhe juridike, këto akte kanë qenë të pritshme duke qenë se Nikolla Gruevski dhe protestuesit e udhëhequr nga eksponentë të VMRO-DPMNE-së, tash e një kohë të gjatë kanë tentuar të nxisin konflikte ndëretnike nëpërmjet fjalorit nacionalist.

Por, që të gjithë janë të mendimit se me ndodhitë në Kuvend, Maqedonia dhe shumica parlamentare ka hapur rrugën drejt proceseve demokratike dhe se kryerësit e dhunës fizike dhe policët të dënohen nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë (MPB).

*Rënditja është bërë sipas alfabetit a-zh

 

Abedin Zymberi
Abedin Zymberi

Abedin Zymberi, ishdeputet

“Ngjarjet e në Kuvend ishin të pritshme duke pas parasysh deklaratat e liderëve të VMRO-së. Maqedonia me këtë ngjarje Maqedonia po futet në rrezik që kriminelët e saj duan ta shndërrojnë konfliktin prej ati politik në konflikt multietnik. Shqiptarët treguan pjekuri të madhe, të cilët edhe pse ishin të provokuar nuk lejuan që skenari i përgatitur të realizohet. Apeloj vëllezërit shqiptar që edhe në të ardhmen mos të lejojnë që dikush ti manipulojë, dhe ti fus në lojë. Ky skenar do të përfundoj shumë shpejtë dhe ruajtja e qetësisë do ti sjellë shqiptarëve fitore të madhe”, tha Zymberi.

 

 

 

Albert Hani
Albert Hani

Abert Hani, analist politik

“Dhuna në Parlament mbaroj me reperkusione të mëdha. Lëndë kjo jo vetëm për mjekët por edhe për mbrojtësit e ligjit dhe të drejtave dhe lirive të qytetarëve në Maqedoni. Turp jo vetëm për dhunuesit por edhe ato lider partiak që i udhëheqin dhe përfitojnë nga kjo situatë. Kaosi i në Kuvend tregoi qartë se sistemi mbrojtës i lirisë dhe paqes është i brishtë. Forcat e armatosura të Policisë dhe Armatës janë të pakontrollueshme. Kështu të pa koordinuar ato vetë do pësojnë më tepër.  Dobësi që vazhdimisht theksohej më parë nga analistët tjerë.Këto janë Parakushte ideale për krim. Kur hajnat mund të hynë në Parlamentin e Maqedonisë pa probleme, si në pazar, dhe të bëjnë namin e dhunës, më tregoni ku s’mund të hynë ato hajnat që në petkun e patriotizmit fshehin  krimin. Ky ishte triumf i dhunës në shtëpinë ku mbrohet me dialog demokracia, liria dhe paqja.  Shqiptarët sërish treguan maturi, mençuri urtësi dhe tolerancë. Durimi i tyre i shpërblen të gjithë ato që ja duan të mirën vendit. Uroj që shpejtë të vetëdijesohen hajnat se në këtë mënyrë luftojnë vetëm kundër vetes dhe nuk e mbrojnë Maqedoninë”, tha Hani.

 

Alajdin Abazi

 

Alajdin Abazi, akademik

“Ajo çfarë ndodhi në Kuvend është një fotografi shumë e keqe. Në këtë mënyrë të sulmohen deputetët si të përzgjedhur të popullit. Por edhe pse sun u pandalua shpresojmë që këto ngjarje të hapin rrugën e proceseve demokratike sepse këto ngjarje tentuan t’i bllokojnë ato. Ata do të tentojnë të rezistojnë ndaj ndryshimit të Qeverisë, por kjo do të jetë e pamundur”, tha Abazi.

 

 

 

 

Ardita Abazi Imeri
Ardita Abazi Imeri

Ardita Abazi Imeri, Instituti për Politikë Evropiane

“Ne dënojmë fuqimisht të gjitha metodat e dhunshme të zgjedhjes së mosmarrëveshjeve. Kryesit e  ngjarjeve në Kuvend duhet menjëherë të identifikohen dhe të thirren në përgjegjësi. Shprehim mbështetjen e plotë për shumicën parlamentare për të siguruar funksionimin e Parlamentit, në përputhje me vullnetin e shprehur të zgjedhjeve parlamentare dhe të vazhdohet kundrejt  formimit të  qeverisë. Kjo është mënyra e vetme që do të hapë rrugën drejt një Qeverie të re demokratike në vend. Deklaratat që vijnë nga bashkësia ndërkombëtare janë në drejtim të pranimit të kryetarit të ri të parlamentit të zgjedhur. Nuk presim përkeqësim të situatës, presim stabilizim në drejtim të restaurimit e demokracisë dhe të ligjit në Maqedoni”, tha Abazi.

 

Azam Dauti
Azam Dauti

Azam Dauti, botues dhe opinionist

“Në Kuvend ndodhi një dhunë e organizuar mirë nga “protestuesit” për “Maqedoni të bashkuar”, e që në fakt ishte dhunë e “rrugaçëve” për “Maqedoni të pastër”. Kjo gjë ishte e frymëzuar që nga 11 dhjetori i vitit të kaluar, ku fjalori i VMRO-së, në mënyrë konstante, e ushqente idenë që “shumica e re parlamentare (67 apo 69 deputetët), do të ballafaqohet me mllefin e popullit”! Hyrja e të ashtuquajturve protestues në mënyrë të dhunshme ne parlament, duke u menaxhuar dhe koordinuar në mënyrë perfekte me policinë e Çavkovit, tregon qartë që e gjithë kjo dhunë e shprehur ndaj deputetëve, është skenar i frymëzuesve të “mllefit popullor”, që është dirigjuar nga selia e VMRO-së. Prandaj, shpresoj që deputetët e lënduar Ziadin Sela, Zoran Zaevi dhe të tjerët, të mëkëmben sa më shpejtë, dhe me hapa edhe më të sigurtë, të formojnë qeverinë e ndryshimeve.  Ndëkaq, nxitësit e dhunës të përballen me sundimin e shtetit ligjor. Asnjë variant tjetër, nuk është i dobishëm për asnjë qytetarë në Maqedoni. Nëse mund të thuhet se “e dobishmja” e dhunës së asaj dite nga rrugaçët e VMRO-së, është ajo që nuk arritën të realizojnë planin e tyre, që konflikti të zhvillohet në drejtim të konfliktit shqiptaro-maqedonas”, tha Dauti.

 

Bardhyl Zaimi
Bardhyl Zaimi

Bardhyl Dauti, publicist

“Ngjarjet në Kuvend janë atak i pashembullt i dhunës mbi institucionet demokratike, mbi gjithë atë që përfaqëson normalitet politik dhe demokratik. Ato janë finalizim i retorikave urrejtëse të ushqyera nga parti maqedonase në pushtet, një lloj “natë e kristaltë” mbi proceset demokratike nga fallanga të frymëzuara politikisht”, tha Zaimi.

 

 

 

 

Bardhyl Kuka
Bardhyl Kuka

Bardhyl Kuka, zëvendësprokuror publik në pension

“Drama në Kuvendin e Maqedonisë ka qenë një skenar mirë i paramenduar dhe parapërgatitur nga pakica parlamentare VMRO-DPMNE. Deputetët e saj, shumicës së re parlamentare duke u shprehut “mos ua merr mendja të bëni ndonjë veprim të pamatur, se përndryshe do të merrni përgjigjen më të ashpër nga populli” ua kanë bërë me dije se pritet një skenar i tillë nëse ata do të zgjidhnin kryetarin e Kuvendit. Forca e VMRO-DPMNE-së rrjedh nga shpresa e marrjes së mbështetjes ruse. Që gjërat të normalizohen Kuvendi duhet të punojë në ndonjë vend tjetër, larg Shkupit, ku do të sigurohej fillimisht nga turmat gjithëpopullore”, tha Kuka.

 

 

Bardhyl Jashari
Bardhyl Jashari

Bardhyl Jashari, drejtor i fondacionit “Metamorfosis”

“Nuk është hera e parë që dhunohet Parlamenti si institucioni më i rëndësishëm demokratik, kjo në Maqedoni ndodhi edhe në dhjetor të vitit 2012 gjatë votimit të buxhetit. Megjithatë, pas ngjarjeve në Kuvend u bë ende më e dukshme se kush janë armiqtë e vërtetë të shtetit, kush janë ata që janë  kundër stabilitetit dhe progresit. Ata që deri dje me vjedhje e korrupsion, ndërsa tani haptazi edhe me dhunë, rrënojnë institucionet demokratike të shtetit dhe nxisin konflikt. Besoj që ky është fillimi i fundit i një periudhe të errët në historinë e Maqedonisë, kur Maqedonia ishte e okupuar nga një parti politike”, tha Bardhyl Jashari.

 

Besa Arifi, profesore e asociuar në Universitetin e Evropës Jug-Lindore
Besa Arifi

Besa Arifi, profesoreshë universitare

“Ngjarjet në Parlament nuk ishin një vepër e zakonshme dhune. Ato ishin një tentativë për vrasje mire e organizuar dhe e targetuar për persona të caktuar, deputetë të shumicës parlamentare. Ato paraqesin vepër të rëndë penale për të cilën përgjegjësi duhet të mbajnë si ekzekutoret direktë, si personat që ndihmuan këto ngjarje, ashtu edhe pjesëtarët e policisë dhe vete MPB për kryerje të veprës me mosveprimin e tyre dhe me lëshimin e qëllimshëm, por mbi të gjitha, përgjegjësinë kryesore duhet ta mbajnë organizatorët dhe urdhërdhënësit të cilët me muaj të tërë e nxiten një pjesë të qytetarëve me retoriken e tyre nxitëse dhe plot urrejtje për të bërë këtë krim. Provë më e mirë për përgjegjësinë e tyre direkte është fakti se as Ivanov e as Gruevski nuk e dënuan dhunën e asaj dite e as tentativën për vrasje ndaj deputeteve te caktuar, por paturpësisht dënuan veprimin tërësisht legjitim të shumicës parlamentare e cila me 61 vota votoi kryeparlamentarin e ri duke i dhënë fund kështu, në mënyrë paqedore, sabotimit disamuajsh të transferim të qetë të pushtetit. Po ashtu duhet theksuar që në këtë dite të rëndësishme për të gjithë qytetaret e këtij vendi e veçanërisht për shqiptarët e Maqedonisë, kur për herë të parë u arrit që kryeparlamentari i zgjedhur të jetë shqiptar, për këtë nuk votuan gjithsej 8 deputetë shqiptarë në këtë përbërje, duke përfshirë këtu edhe Ali Ahmetin i cili nuk e pa te arsyeshme te jete bashke me grupin e deputeteve te BDI dhe te votoje për bashkëpartiakun e tij në këtë moment historik. Përfundimisht, dhuna dhe kriminaliteti i asaj dite ishte një sulm direkt ndaj demokracisë dhe ndaj vullnetit te shumicës se qytetareve te RM”, tha Arifi.

 

Elida Zylbeari
Elida Zylbeari

Elida Zylbeari, kryeredaktore e Portalb.mk

“Maqedonia ishte dëshmitare e tentativave të fundit të një grupi kriminal të shpëtojë veten. Pamjet e tmerrit treguan fytyrën e vërtetë të një lidershipi fashist si që është ai i VMRO-DPMNE që me vite torturon popullin. Demokracia duhet të del fitimtare, duhet të respektohet vullneti i popullit ndërsa është thelbësore të kërkohet përgjegjësi dhe të  dënohen të gjithë ata që shkaktuan kaosin e asaj dite. Policia duhet të jep përgjigje pse ishte kaq e papërgatitur dhe madje u bë bashkëfajtore në krim në gjithë atë rrëmujë. Secili, duke nisur nga ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe fikusi që quhet president, që ka lëvizur edhe gishtin më të vogël për të krijuar situatën e tillë duhet të mbajë përgjegjësi dhe të ballafaqohet me drejtësinë. Përndryshe, sakrifica dhe qëndrueshmërinë e asaj ditë të deputetëve dhe kolegëve tanë nuk do të kishte efektin që gjithë e presim”, tha Zylbeari.

 

Fatmir Sulejmani
Fatmir Sulejmani

Fatmir Sulejmani, profesor universitar

“Ajo që ndodhi në Kuvend është absurd i paparë për një shoqëri demokratike. Është diçka që ndodh vetëm në sistemet diktatoriale. Kjo, sepse të dhunosh aq barbarisht deputetët që përfaqësojnë vullnetin e qindra mijëra qytetarëve, t’i lësh ata të pambrojtur dhe në mëshirën e huliganëve me maska, të ndihmuar dhe nga policët e partisë në pushtet, është e barabartë me krimin monstruoz pushtetar. Të shpresojmë se kjo nuk do të përsëritet kurrë më, sepse, pas makabriteteve të asaj dite, Maqedonia nuk mund të jetë kurrë ajo qe ishte”, tha Sulejmani.

 

 

 

Salajdin Salihu
Salajdin Salihu

Salajdin Salihu, profesor universitar

“Me ndodhitë në Kuvend u dhunua demokracia në Maqedoni nga një turmë e shfrenuar, që dirigjohej nga nëntoka politike, e cila, me vite, e ka prodhuar ligësinë. Në këtë ditë u dhunua deputeti, gazetari, nga një regjim autoritar, që paraprakisht e cenoi vullnetin dhe mendimin e lirë, që prodhoi vetëm fasadë pa përmbajtje, që prodhoi identitetin e shpifur, që prodhoi kiçin politik me sllogane e refrene. Ky regjim e lartësoi injorancën deri në Olimpin e shtetit. U ngjit aty edhe një kryetar amorf, që kërkon takim liderësh në çaste kritike dhe nuk kishte guxim të distancohej nga dhunuesit. Kërkonte takim me liderë të përgjakur nga turma e ekzaltuar prej fjalimeve të tij të patetike! Ishte trishtuese teksa shihje sulmet makabre ndaj gazetarëve dhe deputetëve, pra sulmeve ndaj Zijadin Selës, Zaevit, Sheqerinskës, nga një turmë e etur për gjak, teksa policia partiake e lejonte dhunimin e demokracisë. Ai që merret me politikë dhe mbështet turmat e frikshme, turmat që veprojnë me rrëmbim e instinkt, ai nuk e ka vendin në politikë… Qytetarët duhet ta ruajnë gjakftohtësinë, sepse dhunën sot e kërkon vetëm ky regjim i dhunshëm”, tha Salihu.

 

Image may contain: 1 person
Shpëtim Pollozhani

Shpëtim Pollozhani, kryetar i Shoqatës së ish të burgosurve politik

“Ishim dëshmitarë të një rasti klasik se si prodhohet një krizë e kontrolluar. Kulupi i kësaj krize, Gruevski ka shkuar jashtë vendit në ndonjë takim të pa vlerë. Ministrit të brendshëm, i cili është shqiptar i vishen të gjitha kompetencat për të komanduar me forcat speciale të policisë që të njëjtat t’i ngarkohen Drejtorit të Drejtorisë së Sigurimit Publik, Çafkov,  kuadër agresiv i Gruevskit dhe i cili në valën e krizës nuk ia hap telefonin ministrit te vetë. Parlamentin e ,,mbronin” një numër qesharak i forcave policore. Huliganet futen në Parlament sikur të ishin futur në ndonjë kafene. Kulmi i kësaj maskerade ishte momenti kur një pjesëtar nga teshi i njohur antishqiptar, deputeti Vllatko Gjorçev bënte sikur i mbronte deputetët e shumicës parlamentare nga ato që ai vetë i kishte organizuar ta kryejnë këtë akt terrorist. Gruevistët jetojnë jashtë kohe dhe hapësire. Ata jetojnë në botë e tyre të ëndrrave. Ziadin Sela dhe Zaev dëshmuan se si duhet të sillen atë që janë zgjedhur për të ndjekur rrugën parlamentare të veprimtarisë së vetë. Rasti i Kuvendit do të hyjë në teorinë e krizave të kontrolluara dhe besoj se do të mësohet nëpër fakultetet e sigurisë dhe të mbrojtjes”, tha Pollozhani.

Përndryshe, më 27 prill të 2017-s, shumica e re e Kuvendit e Maqedonisë, me anshkalim të kryesuesit të deritashëm të Kuvendit, Trajko Veljanoski dhe 51 deputetëve të VMRO-DPMNE-së, zgjodhën për kryetar Talat Xhaferin nga rradhët e Bashkimit Demokratik për Integrim. Të irrituar nga kjo përzgjedhje e shumicës parlamentare, derisa mbahej konferencë për shtyp e partive parlamentare në dhomën për media, protestuesit të cilët janë përkrahës të VMRO-DPMNE-së, e ashtuquajtura iniciativë “Për Maqedoni të përbashkët” depërtuan në sallën ku mbahet seanca kuvendore. Duke hyrë në të ata demoluan këtë institucion, sulmuan fizikisht deputetë të shumicës së re dhe gazetarë e kameraman të cilët nuk propagandojnë VMRO-DPMNE-në.

Ndërsa, në orët e vona të kësaj dite, presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov doli në konferencë për shtyp ku duke mos dënuar aktin në fjalë dërgoi ftesë tek liderët e partive parlamentare për takim me të, mirëpo kjo ftesë hasi në vesh të shurdhër dhe ky takim nuk u realizuar dje.

Por, edhe pse të gjithë të kontaktuarit nga Portalb ftuan Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) që të ndërmerr hapa sa më të shpejta për dënim të kryerësve të këtij akti, me këtë edhe policët të cilët të udhëhequr nga Mitko Çavkov sikur e mirëpritën turmën e protestuesve me mosreagim dhe mënjanim nga situata, nga kjo Ministri nuk treguan se është ndërmarrë ndonjë hap sanksionimi për të gjithë këto.

Ndërsa si rezultat i tërë kësaj, ministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu, nga përpjekja e dështuar e tij që të depolitizojë institucionin të cilin e udhëheq ai, paralajmëroi dorëheqje si shenjë e përgjegjësisë morale.

MPB për të këto sulme ka arrestuar vetëm tetë persona, të cilët më pas mësohet se janë lëshuar.

LEXO: Kuvendi i Maqedonisë, ndodhitë e datës së 27 prillit të 2017

LEXO: Ja si dukej dje Kuvendi i Maqedonisë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button