SHBA dhe BE e njohin zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi

Nëpërmjet kumtesave, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoni, eurokomesari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Han dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogerini, kanë dhënë përkrahje për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvedit, Talat Xhaferi nga ana e shumicës së re parlamentare, LSDM, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët, njofton Portalb.mk.

Dhunën në Kuvend e ka dënuar ashpër ambasada amerikane në Shkup, prej ku kanë thënë se ajo nuk është në pajtueshmëri me demokracinë dhe nuk është mënyrë e pranueshme për të zgjidhur dallimet.

“Është e rëndësishme që të gjitha partitë të respektojnë proceset demokratike dhe ligjin dhe të përmbahen nga aktet e dhunës e cila përkeqëson situatën. Shumica e deputëtëve kanë zgjedhur Talat Xhaferin për kryetar të Kuvendit gjatë seancës së rregullt parlamentare, ku kanë qenë dëshmitarë deputetët dhe mediat. Ne do të punojmë me të për të mbështetur demokracinë dhe për të avancuar interesat e Maqedonisë”, kanë thënë nga ambasada amerikane.

Eurokomesari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Han, në profilin e tij në Tuiter, e ka dënuar dhunën ndaj deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë.

“Më së ashpërmi i dënoj sulmet ndaj anëtarëve të parlamentit. Dhuna nuk e ka venin në Kuvend. Demokracia patjetër duhet të vazhdojë sipas kursit të saj”, shkruajti Han.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federika Mogerini përmes një letre të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Evropian ka dënuar aktin e dhunës të bërë sot në ambientet e kuvendit të Maqedonisë duke bërë thirrje që organet e rendit të marrin masa dhe të sigurojnë anëtarët e Parlamentit.

“Jemi të shqetësuar me zhvillimet dhe dhunën e realizuar sot në ambientet e kuvendit të Maqedonisë dhe sulmin ndaj anëtarëve të kuvendit, ministria e brendshme dhe policia duhet urgjentisht që të marrin masa të sigurojnë anëtarët e kuvendit”, thuhet kështu në letrën e publikuar nga KE-ja.

“Demokracia duhet të veprojë, ashtu sic jemi informuar për zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryeparlamentar ne kemi marrë notë pozitive për zgjedhjen e tij. BE-ja konsideron se dialogu politik në institucione është rruga e vetme që duhet ndjekur dhe urgjentisht partitë politike dhe aktorët politik të bëjnë konstituimin e institucioneve të vendit si një akt demokratik. Maqedonia është shtet kandidat i BE-së dhe BE-ja është e gatshme të bashkëpunojë me parlamentin në reformat e nevojshme që të lëvizë shtetin në rrugën euroatlantike”, thuhet mes tjerave në reagimin e lëshuar nga Mogerini.

LEXO: Gjendja në Kuvend pas sulmeve (FOTO+VIDEO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button