Jankullovska nuk tregon pse policia fshehi detaje për sulmin ndaj familjes shqiptare në Radishan

Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska nuk dha përgjigje për tentativën për të fshehur të vërtetën e plotë lidhur me incidentin në Radishan, për të cilin thonin se erdhi si pasojë e një aksidenti trafikut. Incidenti rezultoi të jetë sulm klasik mbi një familje shqiptare, e cila tashmë disa herë është viktimë e torturës. Këtë e pranoi edhe Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska, vetëm pasi kamerat private të familjes Zeqiri zbuluan çka në të vërtetë kishte ndodhur të dielën mbrëma. Jankullovska tha se puna e policisë lidhur me këtë rast ka përfunduar, duke ngritur 5 padi kundërvajtëse dhe 1 padi penale, për vozitësin që kishte sulmuar turmën me veturë, i cili tashmë është në paraburgim.

“Për ne ky rast është i përfunduar. Ne kemi ngritur 6 padi. 5 janë kundërvajtës dhe 1 është penale varësisht prej motiveve dhe gjithë rekonstruimit të ngjarjes. Sidoqoftë kompetencat e mëtejshme janë tek prokurori i cili gjatë procedurës së mëtutjeshme mundet mund të vërtetojë edhe motive të tjera”, tha Gordana Jankullovska, ministre e punëve të brendshme. 

Faik Zeqiri, njëri nga anëtarët e familjes që tashmë disa herë është pre e sulmeve të tilla, shpjegon për Alsat-M, se nuk është bërë fjalë për ndeshje trafiku, por për sulm ndaj familjes së tij nga një grup i madh huliganësh. Madje, Zeqiri shpjegon se atë natë ka pasur edhe të shtëna me revole nga ana e sulmuesve maqedonas, gjë që nuk përmendet në raportet policore.

Lajme të ngjashme

Back to top button